E Diel, 1 Nëntor 2026

FNSH ekzekuton policin, dyshonte se shkonte me të shoqen

Dashamir Biçaku

TIRANË- Polici i forcave speciale ka vrarë dje kolegun e komisariatit nr.2 dhe më pas ka tentuar të vrasë veten pasi dyshonte se e shoqja e tradhtonte me viktimën. Viktima është Bashkim Memia, 41 vjeç nga Tropoja, banues në Tiranë, efektiv i Komisariatit të Policisë nr.2 ndërsa autori i krimit është Genci Domi, 36 vjeç efektiv i repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë FNSH, në Tiranë. Vrasësi ka qëlluar shtatë herë me pistoletë dhe katër nga plumbat e kanë kapur Meminë në qafë e trup duke e lënë të vdekur në vend.

Shkak për krimin e djeshëm mësohet të jetë bërë një konflikt i vjetër mes policit Memia dhe kolegut të tij, të forcave speciale Genci Domi. Vrasësi dyshonte se Memia kishte një lidhje me të shoqen dhe për këtë ishin grindur disa herë. Dje në mesditë rreth orës 12:20, polici Memia ka qenë duke në byrektoren e tij, bashkë me të shoqen. Aty është afruar pas pak minutash polici Genci Domi. Mes tyre ka nisur një debat pikërisht në lidhje me pretendimet e Domit, mbi marrëdhëniet që, sipas tij, kishte Memia me të shoqen. Pas debateve në dyqanin e Memiajve, policët mësohet se kanë nisur të shahen rëndë me njëri-tjetrin. Madje në këtë moment mësohet se ata janë konfrontuar fizikisht. Pas pak momentesh, Domi nxori armën e tij personale të punës nga brezi dhe qëlloi tri herë në drejtim të kolegut të tij. Polici mundi të shmangej, por mbeti i plagosur në trup. Madje ai mundi të dilte nga dyqani i tij, ku ishte bashkë me të shoqen dhe kapërceu lulishten, duke kaluar në rrugën Ali Kelmendi, nga rruga Petraq Leka. Ndërkohë nga byrektorja doli me shpejtësi edhe gruaja e Memisë, bashkë me një person tjetër identiteti i të cilit nuk dihet. Në këtë moment, polici i FNSH-së, ndoqi nga pas kolegun e tij, Domi, dhe e arriti në mes të rrugicës tjetër. Aty ai e qëlloi katër herë duke e lënë të vdekur në vend.

Vetëm pak momente pasi Domi qëlloi disa herë në trup dhe në kokë Meminë, ai i drejtoi armën e tij vetes duke munduar të vriste veten. Ai tërhoqi këmbëzën e armës, por i kishin mbaruar plumbat. Dy efektivë të patrullës së komisariatit nr.6, u afruan me shpejtësi dhe mundën të bindin, kolegun e tyre tiu dorëzohej. Pas pak sekondash ai u dorëzua dhe pranoi të shkonte me ta në komisariatin e policisë nr.6.

Pak kohë pas ngjarjes, pellgu i gjakut, ende kundërmonte, ndërsa dhjetëra kureshtarë vëzhgonin me jo pak kujdes dhe interes veprimet e policisë dhe të ekspertëve në vendin e ngjarjes. Gjatë marrjes së tij në pyetje mësohet se polici i FNSH-së, ka pranuar se vrasjen e kishte kryer për shkak se dyshonte se Memia, kishte lidhje intime me bashkëshorten e tij. Ndërkaq ekspertët në vendin e ngjarjes, kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes.

Ekspertët kanë konstatuar shenja plumbash në xhamat e kioskës së Memisë, që përdorej si byrektore. Po kështu edhe disa predha dhe gëzhoja të plumbave ndodheshin në krahun tjetër të vendit të ngjarjes. Burimet e policisë thanë se në vendin e ngjarjes kanë mbledhur shtatë copë gëzhoja, të kalibrit 7.62 mm, në vendin e ngjarjes.

Pas krimit, policia shoqëroi një numër të konsiderueshëm personash, kryesisht dëshmitarë në vendin e ngjarjes, si dhe të afërm të dy protagonistëve të saj, të cilët kanë rrëfyer çka dinin për krimin dhe rreth shkakut të tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›