Halim Deda: Më ofruan para dhe foton e vrasësit
I ka kapërcyer të 70-tat dhe zakoni i malësorit e do mos me u korit as në ditën më të zezë. Halim Deda ka ditë të tilla për të rrëfyer. Ekzekutimi i të birit, Hekuranit, nga rojet e Kryeministrisë në 21 janar 2011 është një prej tyre. E ka qarë dhe përcjellë si e do zakoni. Por kur në derë i kanë trokitur për të shitur gjakun e të birit vdekja i është dukur kapak floriri. Edhe pse i biri kishte tre ditë nën dhe, 73-vjeçari nuk e ka humbur durimin.
Lajmësit e kryeministrit i ka përcjellë duke u thënë se nuk kishte gjak për të shitur. Një vit pas ekzekutimit i të Hekuranit, familja Deda ende kërkon drejtësi.
Z. Halim, po mbushet një vit nga vrasja e djalit tuaj përballë kryeministrisë. A gjykoni se keni marrë tashmë përgjigje çfarë ndodhi atë ditë me Hekuranin?
Jo, deri më tani unë nuk di se përse dhe si më është vrarë im bir, Hekurani. Vdekjen e tij e kam mësuar nga televizori. Ne jemi shtëpi e madhe dhe deri më tani nuk i kemi mbajtur krahun asnji force politike, por për këtë varfëri që po jetojmë sigurisht që duhet protestuar. Hekurani ishte pa punë, provoi të gjente këtu po nuk mundi, ndaj dhe doli për të protestuar.
Keni besim se kjo vrasje do të zbardhet?
Megjithëse kjo çështje po zvarritet unë kam besim se një ditë e vërteta se kush më vrau djalin do të dalë në shesh. Tashmë, pas një viti kriminelët duhet të ishin përballë drejtësisë, si ata që qëlluan mbi djalin tim dhe tre burra të tjerë, ashtu dhe urdhëruesit e tyre. Na vranë dhe na thanë në televizor se jemi kokëpalarë. Ai që sot është Kryeministër mund të deklarojë çtë dojë, por hesapet mirë nuk i ka bërë. Unë kërkoj të di përse mu vra djali me duar ndër xhepa… Ata e dinë fort mirë se kush është autori dhe urdhëruesi i vrasjes së Hekuranit.
Për kë e keni fjalën kur thoni që ata e dinë se kush është autori i vrasjes së Hekuranit?
Kanë qenë lajmësit e Berishës ata që kanë thënë këtë. Madje kanë ofruar edhe para në mënyrë që unë të prisja për kafe në shtëpi kryeministrin Sali Berisha. Në shtëpinë time, as hasmi nuk ndalohet për të shprehur ngushëllime. E unë me 21 janar kam hapur dyert e mortit për djalin. Se ma vranë djalin… Kam pritur në shtëpi këdo që ka ardhur për ta ndarë me familjen tonë dhimbjen. Erdhën edhe ata që kërkonin ta shisja unë gjakun e djalit.
Z. Halim, kush ka ardhur në shtëpinë tuaj dhe çfarë ju kanë kërkuar?
Ka qenë dita e katërt që ishte vrarë Hekurani. Në mbrëmje vjen këtu një makinë e madhe, (një fuoristradë sipas saktësimeve të familjarëve) me xhama të zinj. Kërkuan të bisedonin veçmas dhe veten e paraqesin si punonjës së gardës e njerëz të afërt të familjes së kryeministrit. Më kërkuan që të prisja në shtëpi për kafe Kryeministrin e për këtë më ofruan një çantë me para dhe më thanë do të japim këto dhe foton e autorit se kush ka qëlluar mbi Hekuranin. Kanë ndenjur mbi dy orë në shtëpi e mezi i kemi përzënë. Ka qenë dita më e zezë e jetës sime. Ishte sikur Hekuranin po ma vrisnin edhe para syve. Pa ardhur këto njerëz unë mund ta prisja kryeministrin për ngushëllime… Por kur mu kërkua shitja e gjakut të djalit, kurrsesi nuk mund ta pranoja më.
Z. Halim, është lajmëruar se më 21 janar, pra pas disa ditësh, do të organizohet një protestë-homazh në vendin ku u ekzekutuan Hekurani, Aleks Nika, Faik Myrtaj dhe Ziver Veizi. A do të merrni pjesë në këtë protestë?
Sigurisht që po. Madje, e ftoj çdo shqiptar të ndershëm të bashkohet aty. I duam vrasësit të vihen përballë drejtësisë. Sigurisht që do të jem. Se do të përkujtojmë tim bir.
*********
Të zhvendosur nga Kalaja e Dodës prej 22 vjetësh, familja jeton në zgrip të mjerimit në fshatin Laknas të Tiranës
Në shtëpinë e Hekuranit, aty ku drejtësia pritet në qetësi
Rruga që të çon në shtëpinë e Hekuran Dedës, një prej viktimave të protestës së 21 janarit 2011 përballë kryeministrisë, është tërë baltë e gropa të mëdha. Ndërsa disa shtylla prej druri, të bëra me dorë, përçojnë rrymën elektrike ku banon familja Deda. Shtëpia ndodhet në fund të fshatit Laknas të Tiranës, e prej 22 vjetësh Halim Deda së bashku me vëllezërit e tij dhe fëmijët janë vendosur aty duke blerë një copë tokë, me të cilën mbajnë frymën, jo vetëm njerëzit, por dhe gjëja e gjallë. Vendasit e kanë identifikuar lagjen si vendi ku banon viktima e 21 janarit. Ndryshe, në këtë vend ku zor se mund të mbërrish në shtëpinë e Hekuran Dedës. Të atin, Halimin, e gjejmë verandën e shtëpisë, duke u ngrohur në rrezet e diellit që në këto ditë të acarta fal pa çmim ngrohtësinë e tij. Është ftohtë brenda ndaj jam ulur këtu, por ejani brenda, – të thotë tërë përzemërsi Halim Deda. Plaku e di fortë mirë se këto ditë shtëpia e tij do të jetë plotë me njerëz. Është njëvjetori i ekzekutimit të djalit të tij, Hekuranit, e duket se jeta e përvoja i ka mësuar aq sa për të kuptuar si gjendemi aty.
Ma vranë djalin, por askush nuk ka qetësi deri sa të gjendet se kush ka urdhëruar për të, – nis bisedën dibrani, e fill dërgon nusen e djalit për të marrë të vetmet sende që i kanë mbetur nga Hekurani. Një paketë cigaresh e papërfunduar dhe një portofol me 300 lekë të vjetra në xhep, është ajo çka ka pas me vete Hekurani atë ditë, ndër protestën që do të përmbyste me dhunë regjimin e Berishës. 73-vjeçari i vërtit ndër duar sendet që për herë të fundit ka prekur i biri, a thua se kështu rikthen në jetë Hekuranin.
Është ende në zi, ashtu siç janë dhe nuset e shtëpisë e vëllezërit e 32-vjeçarit të ekzekutuar me një plumb në kokë përballë kryeministrisë. Jetojnë në varfëri të plotë, e për këtë mjafton të shohësh duart e Valentinës, nuses së shtëpisë, që i ka përveshur deri në llërë duke gatuar vetë bukën e përditshme.
Ndërsa fëmijët janë veshur si mos më keq, por askush nuk ban za. Ilmi, djali me të cilin jeton tashmë Halimi, të thotë se mbajnë frymën gjallë me punën e tij të krahut. Por dhe kjo që pas ngjarjes së 21 janarit është fort e vështirë për të. Për autoritet e qeverisjes vendore, familja Deda shihet si delja e zezë. Askush nuk na përkrah, por edhe po të kërkojmë në komunë qoftë edhe kushtet më elementare të jetesës askush nuk do të denjojë të kthejë përgjigje. Ne këtu nuk kemi ujë, dritat i marrim me shtyllë druri dhe për rrugë as që bëhet fjalë. Jetojmë si në geto, – të thotë Hekuran Deda.
Por duket se nuk është mjerimi ai që dhëmban zemrat e të afërmeve të 32-vjeçarit të ekzekutuar. Arsye dhe kush vrau vëllanë e tyre duket se është pyetja pa përgjigjen e së cilës kurrë nuk do të gjejnë qetësi asnjë prej meshkujve të kësaj familje. E për këtë janë gati të sakrifikojnë gjithçka. Deri më tani, një vit pas ngjarjes së 21 janarit, po përballen me mjerimin. Por drejtësia është një kambanë që bie fort në Laknas, gjëmimi i së cilës zor se mund të lërë në qetësi këdo që ka dijeni për ekzekutimet e 21 janarit.
