E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai i Renatos: Romeo më vrau djalin pas sherrit për 300 euro

Kukës Vrasja me thikë më 8 mars ka pasur dëshmitar Kleo Kaçin, i cili ndodhet në Greqi

Ngjarja e dy ditëve më parë në qendër të Tiranës me grabitjen e bankës dhe rrëmbimin e një studenteje nga Romeo Leka vazhdon të komentohet intensivisht në Kukës, jo për shkakun e bankës dhe as të studentes, por për shkak se autori Leka është vrasësi i një prej emigrantëve kuksianë në Greqi. Me datë 8 mars të këtij viti, ai ka vrarë me thikë Renato Krasniqin, 22 vjeç, me të cilin njihej prej dy muajsh në shtetin grek. Islam Krasniqi, babai i Renatos së vrarë, sapo ka ndjekur kronikat televizive mbi operacionin e policisë në bulevardin e Tiranës ka shkuar në policinë lokale, ku ka thënë se Leka që tashmë ndodhet në duart e policisë është vrasësi i djalit të tij, Renatos. Islami, në një prononcim për gazetarët, tha se e kishte denoncuar edhe më herët vrasjen e të birit, i cili punonte dhe jetonte në Greqi prej tre vitesh. Njerëzit e familjes Krasniqi tregojnë se Renato ka qëndruar në Greqi prej tre vitesh dhe punonte në punë ndërtimi, apo çfarë të gjente. Për të është kujdesuar fillimisht dhe më pas halla e tij me emrin Flutura në Greqi, e cila ndodhet atje prej viteve ‘90 familjarisht me dokumente të rregullta. Vetë Flutura, e cila është kujdesur për të sjellë në Shqipëri trupin e pajetë të Renatos, ka treguar se ngjarja ka ndodhur në paraditen e datës 8 mars në periferi të Athinës, në banesën ku kanë qëndruar me qira Renato, bashkë me vrasësin Leka dhe një i ri tjetër nga Mirdita, i cili është identifikuar si Kleo Kaçi dhe rezulton i vetmi dëshmitar. Ndërsa kanë dalë nga shtëpia, vrasësi ka thirrur përsëri brenda Renaton, ku e ka therur me thikë, ndërsa Kaçi, duke parë vonesën e Renatos dhe tjetrit, ka rihyrë brenda. Aty ka parë Renaton të shtrirë e të mbuluar me gjak, ndërkohë që Romeo i është hedhur edhe këtij, duke e plagosur rëndë me të njëjtën thikë. Por ky ka mundur të njoftojë hallën e Renatos, e cila e alarmuar ka njoftuar edhe policinë. Ajo e ka pyetur të plagosurin nëse e dinte autorin e vrasjes së nipit të vet dhe ky ka pohuar se ka qenë Romeo Leka, madje ai ia ka kaluar një foto të vrasësit që e ruante në telefonin e tij. Sipas të dhënave, shkaku i ngjarjes ka qenë një borxh prej 300 eurosh që Romeo Leka i kishte shokut të tij. I plagosuri ka rrëfyer ngjarjen edhe para policisë dhe ka dëshmuar se vrasësi i ka grabitur viktimës Renato dy celularë, si dhe një sasi të hollash që ka pasur në xhep. Të tre shqiptarët si dhe një grek, për të cilin thuhet se është vrarë pak ditë më vonë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë e Athinës, njiheshin prej të paktën dy muajsh dhe ky fakt e kishte shqetësuar motrën e Islamit. “Edhe më herët kam qenë e shqetësuar për faktin se shoqërohej me një njeri që nuk dukej se ishte i besueshëm. Një herë mbaj mend se i thashë nipit mos u merr me këtë njeri se nuk më duket i mirë dhe ja çfarë ndodhi”, ka treguar Flutura në Kukës, në familjen ku kanë bërë mortin për vdekjen e 22-vjeçarit. Babai i viktimës, Islam Krasniqi, thotë se edhe më herët e ka informuar Policinë e Shtetit për vrasjen e djalit të vet 22-vjeçar, duke i treguar fotografinë e autorit. Transmetimet televizive të së premtes e kanë trazuar shpirtin e prindit Krasniqi, pasi e ka njohur për kë bëhej fjalë. “Sapo e pashë që në fillim në filmimet e bankës e njoha dhe nxitova të njoftoj policinë se ai është vrasësi i djalit tonë”, tregon i përlotur Krasniqi. Kapja e autorit, edhe pse ishte një rastësi e policisë, për shkak të vjedhjes së bankës dhe marrjes peng të një studenteje, për prindin Krasniqi është një farë lehtësimi, pasi, sidoqoftë, duket se beson te drejtësia. “Besoj te drejtësia, besoj se vrasësi do të marrë dënimin ligjor, edhe për shkak se ai është vrasës jo vetëm i djalit tim, por ai ka vrarë edhe të tjerë”, thotë Islami.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›