E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halimi: Komisioni nis punën javën e ardhshme

Mazhoranca

Mazhoranca deklaron e sigurt se komisioni hetimor parlamentar për transparencën e procesit elektoral të 28 qershorit, ngritja e të cilit u votua në seancën plenare të së premtes vetëm me votat e mazhorancës, pritet të nisë nga puna javën që vjen. Sipas deputetit demokrat, Eduart Halimi objekti i hetimit do të prekë të gjitha çështjet, ndaj të cilave socialistët pretendojnë se janë shënuar shkelje të rënda, përveç atyre që kanë të bëjnë me vendimin e gjykatave, apo ndaj të cilave është regjistruar më parë kallëzim penal në prokurori. Eduart Halimi, anëtar i komisionit hetimor, PD tha se çështjet që do të ketë në kompetencë komisioni janë: "Hetim për akuzat dhe dyshimet publike të ngritura nga partitë dhe vëzhguesit, lidhur me zbatimin e legjislacionit, hetimin e KQZ-së në lidhje me përdorimin e teknologjisë në procesin e monitorimit të numërimit të votave, hetim për largimin, transferimin e punonjësve të administratës, përdorimi i mjeteve publike në favor e subjekteve elektorale”.

Për demokratët, transparenca e plotë e zgjedhjeve do të vijojë pavarësisht tërheqjes së socialistëve nga nisma e tyre ligjore për hetim të plotë të procesit elektoral të 28 qershorit. Komisioni hetimor do të ketë në përbërje të tij 15 deputetë, mes të cilëve 8 i takojnë mazhorancës dhe 7, përfshi këtu kryetarin që i takon opozitës. Ndryshe nga nisma e socialistëve ku kërkohej që komisioni të ushtronte veprimtarinë e tij për një afat 24-mujor, me votat e mazhorancës në seancë maratonë të së premtes u vendos që të reduktohej në tre muaj, afati i ushtrimit të veprimtarisë së tij.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›