“Babai i dha mjekut paratë e tokës së shitur në Bërxull”
Dashamir Biçaku
Pacientja e fundit e operuar nga mjeku Kastriot Dautaj para arrestimit, është Liljana Hoxha, 35 vjeçe banuese në Bërxull, periferi e Tiranës. Ajo nuk pranon se mjeku i arrestuar ka kërkuar para prej tyre, ndërsa thotë se babai i saj, i cili pagoi ryshfetin para disa kohësh kishte shitur një copë tokë. Një ditë pas operacionit ajo ndodhet nën vëzhgimin e mjekëve në sallën e reanimacionit. Një infermiere që mendon se jemi të afërm të Liljanës na lutet të bëjmë kujdes. "Ju lutem mos e mbani shumë me bisedë se është e lodhur dhe nuk e përballon bisedën e gjatë", thotë infermierja, e cila kërkon të mos qëndrojmë shumë në sallë se edhe personat e tjerë që mbahen aty sapo janë operuar. Infermierja tregon se Liljana ende nuk e di çfarë ka ndodhur një ditë më parë, kur mjeku që sapo e kishte operuar e kishte lënë zyrën e tij i arrestuar nga policia bashkë me babain e pacientes, që akuzohet se ka paguar ryshfet. Shpeshherë, gruaja e operuar që kishte tre gurë në veshka, tregon se herë pas here i telefonon të atit dhe ai nuk e kap telefonin. "S'di pse nuk më del në telefon, pohon ajo për të atin. Të afërmit i thonë se babai, ka qenë në punë, ka qenë i zënë e i lodhur dhe nuk ka pasur mundësi të vinte ta shikonte në spital. Liljana edhe pse në gjendje jo të mirë, ka pranuar të këmbejë dy fjalë nga shtrati i reanimacionit.
Liljana, si ndiheni pas operacionit?
Kam shumë dhimbje dhe ndihem si e mpirë. Nuk qëndroj dot dhe më duket sikur kam kriza. Po them se do të përmirësohem tani që hoqa gurët në veshka.
Kur e morët vesh që kishit gurë në veshka?
Në fillim të janarit të këtij viti, unë isha në spitalin e fëmijëve. Djali im i vogël ishte i sëmurë, kishte temperaturë, duhej të ishte ftohur ndoshta. Unë isha në spital po rrija me të dhe nuk e kuptova, por pata një krizë të fortë në veshka. Bëra një vizitë të thjeshtë dhe një eko në spitalin e fëmijëve dhe më thanë që kisha gurë në veshka. Mora ca ilaçe dhe u mundova të kurohesha, duke përdorur lëngje dhe ilaçe të tilla si çajra për të mos ardhur në spital. Ca kohë sikur mu rralluan, por më pas ato erdhën duke u shtuar.
Që prej janarit deri të premten ju nuk kishit bërë asnjë vizitë tjetër apo kishit marrë ndonjë kurim?
Jo nuk pata kryer vizitë, sepse mendova se me ilaçet e marra, vizitën dhe ekon që pata bërë në janar në spitalin e fëmijëve, gjërat do të përmirësoheshin, por para dy javësh nisa të ndjej dhimbje të tjera të forta dhe vendosa të bëj një vizitë.
Erdhët dhe u shtruat të premten menjëherë?
Erdha të enjten. Bëra një vizitë tek mjeku kirurg Kastriot Dautaj dhe më pas u shtrova në spital. Babai dhe burri, biseduan me doktorin, se ç'kanë folur nuk e di. Më thanë që do të operohesha ditën e hënë dhe kështu u bë. Të hënën nga ora 10:00, unë jam futur në operacion. Mora vesh nga njerëzit e mi që kam dalë nga operacioni aty nga ora 12:00.
A ju kërkoi para mjeku?
Jo nuk na ka kërkuar asnjë lek. Nga sa di unë të paktën kështu ka ndodhur. Çfarë ka bërë babai, apo im shoq, unë nuk e di. Ne shkuam tek ai, se qe mjeku i parë që gjetëm, por më vonë na thanë që ishte kirurg shumë i mirë.
Por babai juaj i ka dhënë mjekut 500 mijë lekë. Pse ia ka dhënë atëherë?
Nuk e di. Ai nuk ka kërkuar lekë. Ato ndoshta ia ka dhënë për kafe apo për qejf vetë babai. Por unë di që ai nuk i kishte kërkuar lekë. Më thanë që ai ishte mjek i mirë.
Nga i gjeti babai paratë për të paguar?
Po babai ka lekë nuk është keq tani, këtë shumë nuk e kishte problem. Para ca kohësh shiti një copë tokë. Mori ca lekë nga toka që shiti dhe me një pjesë të këtyre parave, ndoshta edhe ka paguar mjekun për operacionin e djeshëm. Ja të marr një herë babain në telefon (pasi formon numrin dhe i bie, ai nuk del). Se marr vesh përse nuk del në telefon. Që dje pasdite kur unë dola nga operacioni e pashë vetëm pak, por tani s'e kuptoj pse s'ka ardhur. Haxhiu (bashkëshorti), më tha se ka qenë në punë dhe ka qenë i lodhur prandaj s'ka ardhur. Shyqyr që hoqa gurët nga veshkat tani.
I shoqi i pacientes: Si u arrestua mjeku e vjehrri
TIRANE - Bashkëshorti i Liljana Hoxhës, 35-vjeçares nga Bërxulli, e cila u operua nga mjeku i arrestuar, qëndron në QSUT pranë gruas së tij. Ai ka parë momentin e arrestimit të vjehrrit dhe mjekut që kishte marrë paratë. Në një intervistë për "Panorama", i shoqi i pacientes tregoi ngjarjen.
Sa kohë ka që vuan gruaja juaj nga gurët në veshka?
Në janar të këtij viti, kur kishim shtruar në spital djalin e vogël, 4 vjeç, e zunë krizat e forta të veshkave. Mori ca mjekime, u kurua në mënyrë popullore me çajra, me bimë popullore, e neglizhuam ca dhe para dy javësh pati krizën tjetër, që nuk qetësohej me asnjë lloj ilaçi.
Çfarë bëtë më pas?
E sollëm në spital, bëmë eko prapë dhe doli që ishte i domosdoshëm operacioni.
E njihnit më parë doktorin, apo ju rekomandoi dikush?
Jo asnjë, nuk e njihnim fare, na kishin thënë se ishte kirurg shumë i mirë. E sollëm, u konsultuam me të dhe pasi pa të gjitha analizat dhe ekon, doktori tha se duhej të operohej. Të enjten e shtruan Liljanën në spital, bëri analizat të gjitha dhe të hënën u fut në operacion.
Më pas ç'ndodhi?
Ishim duke pritur te dera që të dilte Liljana, unë, vjehrri im, dhe xhaxhai i Liljanës. Në këtë kohë vijnë shumë policë dhe na thonë që ishin të policisë së krimit ekonomik dhe marrin te dhoma e mjekut vjehrrin tim. Shkuam të pyesnim se çfarë po ndodhte, se s'po merrnim vesh pse e kishin marrë, po s'na kthyen përgjigje, vetëm kur pamë që e morëm me vete dhe na thanë se e çuan në drejtorinë e policisë. Pastaj, Liljana nuk po dilte, sepse mjeku që e operoi e morën me vete dhe kanë ardhur ca mjekë të tjerë që e sollën në reaminacion dhe e kanë ndjekur gjithë kohës.
Mjeku që operoi gruan është arrestuar për mitmarrje, sepse i ka marrë vjehrrit tuaj 500 mijë lekë. Ju ka kërkuar lekë përpara se të futej në operacion?
Jo, absolutisht. Unë kam qenë me vjehrrin bashkë, kur kemi takuar doktorin dhe ka vizituar Liljanën dhe nuk ka kërkuar asnjë lek.
Policia thotë se ka filmime që vjehrri juaj i ka dhënë lekë mjekut kirurg...
Nëse i ka dhënë ndonjë lekë, ia ka dhënë nga dëshira, sepse Liljana doli mirë nga operacioni, jo sepse i ka kërkuar dikush. Unë nuk di se sa i ka dhënë konkretisht, sepse unë nuk mund të kontribuoja. Punoj si roje te "Ford"-i në autostradë dhe marr 15 mijë lekë të reja në muaj, gruan e kam pa punë dhe kam tre fëmijë, nuk kisha lekë t'i jepja doktorit, por nuk di as sa lekë i ka dhënë vjehrri im kirurgut.
Akuza: Mjeku ma shiti veshkën në Kosovë
LAÇ - Padia për heqjen e veshkës së pacientes 53-vjeçares Zyra Ago ndodhet tashmë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Akuza e saj se mjeku ka bërë tregti organesh drejt Kosovës është vënë në shënjestër të hetimeve ndaj Kastriot Dautajt. Vetë gruaja, banore e qytetit të Laçit, tregon se ndonëse jeton prej 5 vitesh vetëm me një veshkë në trup, nuk është klasifikuar si invalide. "Mjeku Kastriot Dautaj nuk më mbushi epikrizën pas operimit, dhe pse i kam shkuar dhjetëra herë në spital për ta takuar", thotë Zyraja. Tashmë që mjeku urolog është në qeli, gruaja kërkon dënimin që ai meriton, për pasojat e shkaktuara në shëndetin e saj.
Zyra, sa kohë keni që jeni operuar?
Kam të patën 5 vjet, nuk e mbaj mend datën, por i kam të shënuar në një dosje, që e mbajnë njerëzit e mi, ndërsa një kopje e kam dorëzuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda prej 6 muajsh.
Kur e morët vesh që mjeku ju kishte hequr veshkën?
Pas tre vitesh, kur pësova një trompozë. Nuk e dija më parë sepse sa kohë qëndrova në spital Kastriot Dautaj nuk më takoi dhe kryeinfermierja më tha se menjëherë pas operimit tim ishte nisur në Kosovë për një mbledhje. U desh që të më shfaqej një trombozë në këmbë dhe mjeku që më bëri eko-n zbuloi se nuk e kisha njërën veshkë. Aty sa nuk vdiqa nga meraku. Mjeku që më bëri eko-n këmbënguli, duke kërkuar që të vinte dhe ta shikonte mjeku Kastriot Dautaj gjendjen time shëndetësore. Ai më tha: Duhet të krenohesh me njerëzit e tu se tromboza është vdekjeprurëse. Bëra debat me të, por nuk më përfilli e as nuk më kërkoi falje. I kërkova epikrizën, por nuk ma dha, duke më detyruar të vija 13 herë në Tiranë. Atëherë i dha një fletë të bardhë një infermiereje, e cila plotësoi atë që Dautaj thoshte. Menjëherë shkova te shefi i pavijonit, Mustafa Xhani, me një tufë letrash që kisha mbledhur, duke i treguar se nuk kisha më veshkë. I befasuar më tha të shkoja te ministri, po i thashë se kur unë u operova ministër ishte vetë ai. U çua në këmbë e tha: Ti moj motër me këto letra dhe këtë problem që ke, duhet t'i drejtohesh Prokurorisë.
Ju e bëtë denoncimin?
E denoncova mjekun, por prokurorja e mbylli çështjen pas 6 muajsh, pa arsye, pa më ballafaquar me doktorin. Më pas e denoncova tek Urdhri i Mjekut, por nuk gjeta zgjidhje. Gjashtë muaj më parë, një prokuror i Krimeve të Rënda pasi më mori në telefon, erdhi në Laç dhe më mori në pyetje mua dhe familjarët për çka kishte ndodhur. Pas gjashtë muajsh të them të drejtën, por papritur komshija ime më tha: Zyra, ndiq lajmet se Kastriot Dautaj u arrestua për veshkën, që të ka marrë dhe shitur në Kosovë. Unë e di që Kastriot Dautaj ka para, por një apel ju bëj mediave: Më ndihmoni të dalë e vërteta deri në fund, të hiqen kasapët që bëjnë miliona me tregti organesh, duke vjedhur edhe brenda organizmit. Këta janë më kriminelë se kriminelët. r.n
“Kirurgu gjurmohej për shitje organesh”
Arrestimi i kirurgut urolog, Kastriot Dauti, është bërë pas një periudhe më tepër se 2-vjeçare gjatë të cilës ai është survejuar me dyshimet për shitje të organeve njerëzore.
Trazhgim Sokolaj
Një dyshim i tillë ishte ngritur nga organet e hetimit dhe strukturat e antitrafiqeve, pas denoncimit të bërë në Prokurorinë e Tiranës në vitin 2006 prej Zyra Agos, nga Laçi. Ajo denoncoi në Prokurori faktin se mjeku Kastriot Dauti ia kishte hequr asaj veshkën gjatë një operacioni për gurë, pa i treguar asgjë rreth këtij fakti. Denoncimi është regjistruar në vitin 2006 në Prokurorinë e Tiranës, por hetimi i këtij rasti ishte i vështirë. Vetë e dëmtuara nga Laçi por edhe burime të akuzës thonë se, dyshimet për implikimin e mjekut të arrestuar për korrupsion në ndonjë veprimtari me organet njerëzore, janë hetuar edhe prej Prokurorisë së Krimeve të Rënda për një periudhë disamujore. Një hetues i këtij institucioni kishte shkuar nga Tirana në Laç dhe kishte marrë në pyetje gruan, e cila tre vite pas ngjarjes gjatë një operacioni të rastësishëm, mësoi se veshka e saj ishte hequr nga Kastriot Dauti. Objekt i hetimit kanë qenë telefonatat e mjekut urolog, kontaktet e tij me persona të dyshimtë, angazhimi në punë me klinika private dhe gjithçka tjetër që mund të bëhej shkak për të gjetur prova për dyshimet e ngritura për veprimet e paligjshme me organet njerëzore. Burime të hetimit kanë servirur dje për median të dhëna që bëjnë fjalë deri edhe për çmime, me të cilat mjeku dyshohet se kishte blerë organet e dëmtuara të pacientëve apo një klinikë brenda unazës së Tiranës, ku janë çuar ato. Megjithatë gazeta referuar edhe vetë burimeve që i konsiderojnë këto të dhëna si informacione operative ende të pakonfirmuara me prova, vendosi të mos i bëjë publike plotësisht.
Arresti për ryshfet
Nëse dyshimet për veprime me organet njerëzore të pacientëve që ka operuar nuk u vërtetuan asnjëherë për mjekun Kastriot Dautaj, mbajtja e tij në vëzhgim, përgjimet ambientale dhe të telefonatave u bë shkak për zbulimin e rasteve të korrupsionit. Ai është përgjuar teksa fliste me personat që në katër raste, sipas Prokurorisë është provuar se i kanë dhënë të holla, para ose pas operacionit të personave të tyre të afërm. Në asnjë rast, nga frika për jetën e të afërmve që bëheshin operacion, qytetarët nuk kanë denoncuar mjekun, i cili është zbuluar në këtë implikim për shkak të dyshimeve të ngritura ndaj tij pas denoncimit për heqjen në mënyrë të fshehtë të veshkës së pacientes nga Laçi. Njësia Task-Force Antikorrupsion është duke hetuar tashmë veç rastit të tri ditëve me parë edhe katër raste të tjera të dokumentuara të marrjes së ryshfetit, nga ana e kirurgut të arrestuar. Ai gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit, nuk ka pranuar të kishte marrë para nga babai i pacientes, që kishte operuar në veshka duke thënë se, shuma financiare i ishte vendosur në xhepin e bluzës së bardhë nga persona që kanë dashur ta fusin në kurth. Ndërsa babai i pacientes ka pranuar se i ka dhënë ryshfet mjekut të arrestuar. Dyshimet e Prokurorisë ndaj tij u shtuan akoma më shumë kur u mësua se ai kishte dy depozita bankare, me vlerë 630 mijë dollarë amerikanë, sasi kjo e cila u konsiderua me burim të dyshimtë dhe u kthye në objekt hetimi për Prokurorinë.
Vdekja e 17-vjeçares nga bajamet, merret i pandehur mjeku që e operoi
TIRANE - Prokuroria e Tiranës mori të pandehur mjekun, që operoi 17-vjeçares nga Korça, Matilda Petriti, e cila vdiq një muaj pas ndërhyrjes kirurgjikale në bajame. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, që kanë pohuar dje se, mjeku Xhevahir Hoxhallari, i cili kishte një klinikë private në Pogradec, është marrë zyrtarisht i pandehur për vdekjen e 17-vjeçares. Ai akuzohet për mjekim të pakujdesshëm ndaj vajzës, e cila si pasojë e prerjes së një vene në afërsi të bajameve, humbi sasi të konsiderueshme gjaku, çka më pas i shkaktoi vdekjen. Në hetim janë edhe tre mjekë të tjerë, të cilët pas dështimit të operacionit që shkaktoi prerjen e venës janë përpjekur të qepin enën e gjakut në pjesën e dëmtuar të saj, por qepja nuk ka mbajtur duke u bërë kështu shkak për zgjerimin e plagës. Matilda Petriti humbi jetën në ditët e fundit të muajit prill rreth 30 ditë pasi kishte kryer një operacion në bajame, në klinikën private të mjekut Xhevahir Hoxhallari në Pogradec. Pas operacionit vajza ka pasur temperaturë e më pas edhe rrjedhje gjaku, çka është bërë shkak për dërgimin e 17-vjeçares në spitalin e Korçës. Kolegët e mjekut që kishte kryer operacionin konstatuan prerjen e venës dhe tentuan qepjen e saj, por ajo nuk mbajti ndërsa plaga u zgjerua më shumë. Më pas vajza është sjellë në Tiranë, ku është bërë një tjetër qepje e venës së dëmtuar përsëri pa rezultat. Pak kohë pasi vendosjes në QSUT, vajza 17 vjeçe nga Maliqi i Korçës gjeti vdekjen ndërsa sipas autopsisë, shkak për këtë ka qenë humbja e sasisë së madhe të gjakut si pasojë e hemorragjisë nga vena e prerë gjatë operacionit në bajame. Prokuroria filloi hetimet pas denoncimit të bërë nga prindërit e vajzës, të cilët vunë në dukje pakujdesitë dhe gabimet, që sipas tyre, ishin kryer nga mjekët në dëm të 17-vjeçares. t.s