E Diel, 1 Nëntor 2026

Delijorgji sulmon nga burgu Kreshnik Spahiun: Paragjykoi

Biznesmeni i hekurit Mihal Delijorgji, i arrestuar për tragjedinë e Gërdecit, sulmoi dje nga qelia nënkryetarin e KLD-së Kreshnik Spahiu. 

Fatos Mahmutaj

 Shkak për reagimin e Delijorgjit, janë bërë deklaratat mediatike të nënkryetarit të KLD-së, i cili kërkoi ndëshkimin e tre gjykatësve ushtarakë, që i dhanë pafajësi biznesmenit të hekurit në Apelin e Durrësit në fund të vitit 2007. Nëpërmjet një letre të hapur, të dërguar Presidentit të Republikës Bamir Topi, në cilësinë e kreut të KLD-së; kryeparlamentares Jozefina Topalli; ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, kryeprokurores Ina Rama; Avokatit të Popullit Ermir Dobjani dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit (kryeministri nuk figuron); Delijorgji u kërkon ndihmë kundër Spahiut, duke pohuar nga burgu, se në cilësinë e personit nën hetim, kërkon të sqarojë këta institucione dhe opinionin publik, i detyruar nga deklarata mediatike e Spahiut: “Tre gjyqtarët që i dhanë pafajësi Mihal Delijorgjit, shkelën rëndë ligjin. Lirimi i Delijorgjit nga akuza dhe dhurimi i pafajësisë i hapën rrugë ngjarjes së Gërdecit, duke nënshkruar kontratën me MEICO-n”. Delijorgji pohon se, Spahiu me këtë deklaratë e ka detyruar të ndërmarrë përgatitjen dhe publikimin e letrës së hapur, duke kaluar çdo lloj durimi nga ana e tij. Duke argumentuar këtë, Delijorgji pohon se: “Them çdo lloj durimi nga ana ime, pasi që nga dita e ndodhjes së fatkeqësisë së Gërdecit, për të cilën mu desh mua dhe familjes time të përballoj një sulm dhe trysni të paparë, nga ana e mediave, që rrallë mund të gjenden dhe vendosen paralelizma në të tilla raste, krahasuar me çdo vend të botës”. Duke pretenduar se, kjo deklaratë e Spahiut është njëfarë presioni për dy Shkallët e Para të Gjyqësorit, të cilat varen nga KLD-ja, Delijorgji, pohon se e vetmja gjykatë kompetente që mund të japë drejtësinë në çështjen e tij është vetëm Gjykata e Lartë. I arrestuari për tragjedinë e Gërdecit pohon se: “Spahiu ka deklaruar fajësinë time dhe dy personave të tjerë të arrestuar lidhur me ngjarjen e Gërdecit dhe pas kësaj deklarate, të cilat ndodhin dhe kalojnë në heshtje vetëm në Shqipëri, nuk ka dhe nuk do të ketë gjyqtarë, që të gjykojë çështjen tonë”. Më tej ai shton se gjyqtarët e Faktit apo Apelit e kanë marrë verdiktin e fajësisë nga shefi i tyre, Spahiu, dhe nuk u mbetet tjetër veçse ta pyesin nënkryetarin e KLD-së, se sa vite burg duhet t’i japin këtij dhe dy të bashkakuzuarve. Në fund të letrës, Delijorgji pohon se u bën thirrje të gjithë personave që u ka drejtuar letrën të reagojnë kundër Spahiut.

Alibeaj: Spahiu tejkaloi ligjin

Në një prononcim të dhënë dje për Zërin e Amerikës, ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, është i bindur se nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu ka tejkaluar kompetencat duke shfaqur, sipas tij, një protagonizëm politik dhe një tendencë të personalizimit të pushtetit të Këshillit, i cili është një organ kolegjial. Sipas Alibeaj, ligji parashikon tagrat e ushtrimit të detyrës nga nënkryetari. “Nënkryetari merret vetëm me mbarëvajtjen e KLD, shpërndarjen e materialeve, përpilimin e vendimeve dhe vetëm kaq. Asnjë gjë tjetër. Nuk ka asnjë lloj pushteti mbi pjesën tjetër të anëtarësisë dhe çdo tejkalim i këtyre tagrave është shkelje ligjore”, tha Alibeaj. Kjo deklaratë e tij erdhi një ditë pasi 13 anëtarët e KLD-së e rrëzuan kërkesën e tij për verifikimin e ushtrimit të detyrës sipas ligjit nga ana e nënkryetarit.

Delijorgji: S‘kisha kontratë me MEICO

Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli, presidenti dhe adrejtori i “Alba Demil” të arrestuar për tragjedinë e Gërdecit u morën dje në pyetje në qelitë e burgut 313.

Fatos Mahmutaj

 Lajmi konfirmohet nga burime hetimore të çështjes, sipas të cilëve Delijorgji e Minxolli janë pyetur për kushtet e sigurisë teknike në punë gjatë çmontimit të municioneve, pasi ende mendohet nga grupi hetimor, referuar përfundimeve të ekspertëve, se shkak i tragjedisë ishte pikërisht neglizhenca apo moszbatimi i rregullave të sigurisë teknike në fabrikën e demontimit të predhave të artilerisë. Të dy të arrestuarit janë marrë në pyetje në prani të mbrojtësve të tyre, gjatë dy seancave të veçanta që kanë zgjatur disa orë. I pyetur për kushtet e sigurisë teknike në punë, Delijorgji mësohet të ketë pohuar se ai nuk kishte kontratë me ndërmarrjen shtetërore të Ministrisë së Mbrojtjes MEICO, për të zbatuar kushtet e sigurisë teknike në punë. Sipas tij, kontratën me MEICO e ka shkruar kompania amerikane “SAC”, ndërsa kompania e Delijorgjit, “Alba Demil” ishte nënkontraktore në këtë sipërmarrje. Po kështu në një tjetër seancë të veçantë, Dritan Minxolli, drejtori i përgjithshëm i fabrikës së “Alba Demil” ka shpjeguar fillimisht se ndodhej në krye të kësaj kompanie, pasi dy ortakët kishin rënë dakord për një gjë të tillë. Ndërkohë, ai ka sqaruar se midis tij dhe Delijorgjit ekzistonte një lidhje familjare, pasi biznesmeni dropullit ishte martuar me vajzën e xhaxhait të tij. Minxolli ka shpjeguar gjithçka rreth kontratës që ka pasur firma “Alba demil” me kompaninë amerikane “SAC” për demontimin e predhave të artilerisë. Gjatë shpjegimeve Minxolli ka pohuar se në Gërdec kishte përshtatur si banesë një sipërfaqe të ish-repartit ushtarak. Pas kësaj kishte nisur të rekrutonte punëtorët, të cilëve u kishte bërë të ditur se procesi i punës së tyre ishte demontimi i predhave. Duke vazhduar Minxolli ka thënë se gjatë gjithë kohës ishte kërkues, përsa i përket punës dhe po kështu korrekt ka qenë edhe me pagesat, të cilat i ka shlyer në kohë. I pyetur dje nga hetuesit e çështjes në prani të mbrojtësit të tij, Minxolli ka pohuar se zjarri mund të ketë ardhur nga karrocat e salduara, por sipas tij kishte shumë shkaqe të tjera për të lindur shkëndija fatale e mesditës së 15 marsit. Gjatë përgjigjeve të veta Minxolli i ka mëshuar pretendimit se në fabrikë ekzistonin të gjitha kushtet e sigurisë teknike. Ai ka përsëritur gjatë seancës së pyetjeve se Patrik Henri, përfaqësuesi i amerikan i “SAC” kishte sjellë një rregullore nga Amerika që ishte përkthyer në shqip dhe përveçse u jepej ta lexonin dhe nënshkruanin me detyrim të gjithë punonjësit, ajo ishte afishuar në ambientet e fabrikës. Ndërkohë, sipas tij kësaj i shtohej edhe fakti i punësimit të disa specialistëve që instruktonin krerët e grupeve të punës dhe më pas këta, tre punëtorët vartës që kishte secili.

Sherri në KLD për dosjen “Delijorgji”, la pa ndëshkim 3 gjyqtarët e akuzuar

TIRANE – Konflikti mes Ministrit të Drejtësisë dhe nënkryetarit të KLD-së ka lënë pa masë disiplinore, tre gjyqtarët e akuzuar se kanë rrëzuar akuzat që ishin ngritur në Durrës ndaj biznesmenit Mihal Delijorgji. Ministri i Drejtësisë Alibeaj është përfshirë në një mosmarrëveshje me nënkryetarin e KLD-së dhe nëse i referohemi votimit të ditës së hënë, me gjithë Këshillin, lidhur me çështjen e procedimit disiplinor për tre gjyqtarët, që kanë gjykuar akuzat e ngritura ndaj Delijorgjit në vitin 2004. Duke iu referuar një kontrolli të bërë nga KLD-ja dhe shkeljeve të gjetura në proces, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu, dhjetë ditë më parë i përcolli zyrtarisht Ministrit të Drejtësisë, raportin me shkeljet e tre gjyqtarëve. Më pas, nënkryetari i KLD-së e ftoi Ministrin e Drejtësisë të propozonte sipas ligjit në KLD, fillimin e procedurës për ndëshkim disiplinor të tre gjyqtarëve. Ministria e Drejtësisë reagoi menjëherë duke kërkuar që KLD të mos nxitohej dhe që akuzat ndaj tre gjyqtarëve të Apelit Ushtarak të verifikoheshin e më pas të kalohej në veprime konkrete. Ajo që në fakt Ministria e Drejtësisë e konsideronte si një përpjekje për maturi në këtë rast, rezultoi ndryshe menjëherë pas deklaratës së këtij dikasteri, e cila u pasua me një sqarim të KLD-së sipas të cilit, Këshilli në rrugë zyrtare i kishte dërguar Ministrisë së Drejtësisë, raportin e kontrollit të gjyqtarëve të Delijorgjit. Për shkak të interpretimit të reagimeve të tij si përplasje me KLD-në, Ministri Alibeaj doli në konferencë shtypi të shtunën e javës që shkoi dhe hodhi poshtë mundësinë e një mosmarrëveshje me KLD-në dhe nënkryetarin e këtij institucioni. Alibeaj madje i cilësoi dezinformime të medias, interpretimet sikur ai ishte në konflikt me nënkryetarin e KLD-së. Por tri ditë më parë, ministri i Drejtësisë zbuloi pozicionin e vërtetë të tij, kur i kërkoi KLD-së verifikimin e mandatit të nënkryetarit Spahiu, duke e akuzuar atë se e kishte tejkaluar kur kërkoi nisjen e procedurës ndëshkimore për tre gjyqtarët e Delijorgjit. Me të gjitha votat kundër KLD rrëzoi kërkesën e ministrit Alibeaj, e cila shkaktoi debate dhe acarim të dukshëm të diskutimeve në mbledhjen e KLD-së sa u desh ndërhyrja e Presidentit për të qetësuar situatën.                       t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›