E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA i kërkon falje Berluskonit për biografinë fyese

Shtëpia e Bardhë dje është detyruar t’i kërkojë të falur Italisë, pasi përhapi te gazetarët një biografi të Silvio Berluskonit, në të cilën lihej të kuptohej se ai ka fituar poste 

zyrtare vetëm për shkak të “ndikimit të konsiderueshëm” që ka në media. Profili që u është dorëzuar gazetarëve, ndërsa ata janë ngjitur në avionin presidencial amerikan “Air Force One” drejt samitit të G8 në Japoni, e ka përshkruar kryeministrin italian si “një nga liderët më të diskutueshëm në histori, të një vendi të njohur për korrupsionin qeveritar dhe vese të tjera”. Profili e përshkruan atë si “të urryer nga shumë, por të respektuar nga të gjithë. I konsideruar nga shumë si amator në politikë, ai i ka arritur postet e tij zyrtare falë ndikimit thelbësor në median kombëtare”. Një ditë më parë, Ambasada italiane në Uashington dërgoi një notë proteste mbi këtë paketë shtypi në Shtëpinë e Bardhë. Si përgjigje, Tony Fratto, një ndihmës i Presidentit Bush, u detyrua të kërkojë falje zyrtare duke thënë se: “Një biografi e kryeministrit italian, Berluskoni e përfshirë në një paketë informacioni për shtyp ka përdorur një gjuhë fyese si për kryeministrin, ashtu edhe për popullin italian. “Ndjenjat e shprehura në këtë biografi nuk përfaqësojnë pikëpamjet e presidentit Bush, qeverisë amerikane apo popullit amerikan”, tha ai. “Ne i kërkojmë falje Italisë dhe kryeministrit për këtë incident”, shtoi ai. Fratto nuk dha detaje se kush e kishte shkruar profilin e Berluskonit, i cili besohet se ka marrëdhënie të ngrohta miqësore me presidentin Bush.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›