E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elvis Pupa Braktis Tiranën, për Amerikën

GOSSIP PANORAMA 

Rikthimi i fundit në "Portokalli", ka qenë pa pikë dyshimi një nga hapat më të rëndësishëm të karrierës së Elvis Pupës. Por derisa sezoni i ardhshëm i varietesë më popullore të fillojë sërish, Elvisi ka udhëtuar drejt Amerikës, për një turne së bashku me disa artistë të tjerë, i cili duket se ka qenë shumë joshës, edhe nga ana financiare. Ai ka marrë një ofertë të mirë nga Amerika dhe ka udhëtuar përtej oqeanit për një sërë koncertesh, ku do të këndojë hitin e tij me titull "Kameleon", por edhe do të interpretojë. Së bashku me Elvisin, ka udhëtuar edhe Valbona Mema, por edhe një grup i madh artistësh, të cilët do të ofrojnë mbrëmje vërtet plot adrenalinë në Konektikat, vendi ku pritet të mbahet turneu. Aktori i njohur i "Portokalli" pritet që të vërë në skenë një pjesë të numrave të tij, me të cilat është shfaqur së shumti në ekran, për të sjellë të qeshura dhe humor tek bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Agjencia që organizon turneun ka konfirmuar se, janë shitur pothuajse të gjitha biletat dhe koncertet që mendohen të mbahen këto ditë do të shtrihen më pas edhe në disa shtete të tjera amerikane. Por nëse një pjesë e aktorëve të tjerë të "Portokalli", këtë sezon kanë preferuar që të kenë një axhendë të përbashkët, fakti që Elvisi dhe këndon, ka bërë që ai të ndjekë një tjetër udhë, madje më fitimprurëse. Ndërkohë përsa i takon sezonit të ardhshëm, edhe pse paksa herët flitet se ai do të jetë sërish në "Portokalli", por nuk dihet nëse do të shfaqet me të njëjtin rol, apo do të rikthehet me rolet e dikurshme, me të cilat duhet të ketë përkrah, mikun e tij të ngushtë, aktorin Ervin Bejleri. Megjithatë gjithë misteri i pjesëmarrjes së tij në "Portokalli", do të zbulohet vetëm në muajin shtator, kur mbaron turneu i Pupës jashtë vendit dhe fillon varieteja e njohur.
Jeta private
Shumë kanë tentuar që të nxjerrin të vërteta nga jeta private e Elvis Pupës, por nuk kanë mundur të zbulojnë asgjë. Ai është përpjekur që të jetë gjithmonë sa më larg vëmendjes së medias, madje edhe në rastet kur është shfaqur me to në publik, ka qenë shumë i rezervuar dhe nuk ka lejuar që askush të dyshojë, nëse ndonjë nga vajzat që i rri përkrah të jetë e dashura e tij. Para pak kohësh u fol se Pupa ishte parë nën shoqërinë e një vajze afër lagjes së tij, por më pas rezultoi se nuk ishte asgjë e vërtetë. Ndryshe nga shumë artistë të tjerë, Elvis Pupa renditet në listën e atyre që është shumë i interesuar për karrierën e tij, madje edhe duke e parë atë si një biznes. I tillë pothuajse ishte konceptimi i "Ditari i Kronkondilit", mjaft i ndjekur dhe i shitur në DVD. Pas këtij momenti u përfol se Pupa filloi edhe rikonstruksionin e shtëpisë së tij aktuale, çka të bën të mendosh se të ardhurat e tij kanë qenë gjithmonë në rritje.

Drew Barrymoren ndahet nga i dashuri

Kjo stinë e çmendur duket se ka bërë që të gjithë të ndihen nga pak të tradhtuar. Aktorja Drew Barrymore dhe i dashuri i saj, Justin Long, janë ndarë përfundimisht. Të dy aktorët që kanë luajtur në filmin "He's Just Not That Into You", edhe pse janë njohur që prej shtatë vitesh dhe kanë pasur një lidhje të shëndoshë prej kohësh, më në fund janë ndarë për t'i dhënë kështu fund thashethemeve që kanë qarkulluar së fundmi në media. "Mund të konfirmoj se ata janë ndarë dhe nuk dua të komentoj asgjë më shumë", ka thënë zëdhënësi i Barrymore, për t'i dhënë kështu një përgjigje përfundimtare të gjitha arsyeve të hedhura në media mbi ndarjen e shumë diskutuar të çiftit.

Jennifer Lopez lamtumirë vithe seksi

Nëse vite më parë Jennifer Lopez ishte femra simbol i vitheve më seksi, pas lindjes ajo e ka humbur shkëlqimin e tyre të dikurshëm. Teksa ishte duke pushuar në plazhet italiane këngëtarja është fotografuar nga paparacët me format e saj trupore, larg kohës së saj të artë, madje vihet re mjaft qartë edhe celuliti në kofshët dhe belin e Lopez. Këngëtarja ka tentuar që të evitojë pamjen e saj të pakëndshme, por nuk ka mundur t'i shpëtojë objektivit të fotografëve, të cilët kanë ndjekur hap pas hapi udhëtimin e saj në Itali. Megjithatë gjithçka është justifikuar me faktin se ajo sapo ka dalë nga lindja e dy binjakëve, një periudhë paksa e vështirë për artisten e njohur.

Angelina Jolie një tatuazh për Churchill

Ndërsa bota po pret me ankth lindjen e dy binjakëve të Angelina Jolie dhe Brad Pitt, bukuroshja e "Lara Croft", e cila është vendosur në Nisë të Francës, është duke u kthyer në protagoniste me një tatuazh krejt të veçantë. E frymëzuar nga ish-kryeministri anglez, Jolie do të bëjë një tatuazh për nder të Sir Winston Churchill. Ajo do të shkruajë nga pas krahut me stil gotik një fjalë, që duket se i ka bërë shumë përshtypje. Sipas aktores, arsyeja që po bën këtë tatuazh lidhet me faktin se kjo frazë sipas saj, simbolizon drejtësinë dhe ndryshimet në glob. Fraza që e ka frymëzuar është "Forca e Vullnetit", çka të bën të mendosh se Jolie bazon gjithë forcën dhe kurajën e saj tek kjo thënie.

Greta Koçi në duet me të motrën

Nuk është hera e parë që provon të këndojë në duet, por nuk ka pikë dyshimi që këtë herë Greta Koçi ka zgjedhur që të vijë ndryshe. Miq të afërt pranë këngëtares pohojnë se, këngëtarja që sapo ka hedhur në treg këngën "Shkolla 2008", ka realizuar një duet mjaft të këndshëm me motrën e saj më të vogël. Nuk dihet ende me siguri nëse kënga do të publikohet në tregun muzikor, por ata që e kanë dëgjuar rrëfejnë se në familjen e Gretës, po lind një tjetër talent, pra motra e saj. Ka fare pak kohë që këngëtarja ka ndryshuar look-un e saj, duke treguar anën tjetër, që ajo nuk është më një vajzë e vogël, por edhe një femër shumë sharmante, që sezonin e verës e ka të mbushur me shumë koncerte.

Fejohet lideri i grupit "Aurora"

Stina e nxehtë duket se është stina e surprizave. Pas lajmeve për lidhje të reja dashurore dhe martesa, vjen një tjetër, që lidhet me fejesën e liderit të grupit "Aurora". Bëhet fjalë pikërisht për Nazmi Sfishtës, i cili është fejuar ditët e fundit me modelen e njohur kosovare, Afërdita Pllana. Lajmin e ka konfirmuar vetë lideri i grupit, gjatë një emisioni televiziv. Çifti e ka kurorëzuar dashurinë muajin e shkuar, duke realizuar kështu edhe ceremoninë e shkëmbimit të unazave, sipas traditës shqiptare. Kjo dashuri e re nuk do të ndërpresë asgjë projekt në karrierën e grupit, i cili prej më shumë se një viti ka rënë në qetësi totale, pas skandalit që patën në festivalin "Kënga Magjike".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›