Babai i gjyqtarit: Darka e fundit e tim biri, nuk shfaqi asnjë shqetësim
Fotaq Konomi rrëfen për “MAPO”-n tronditjen që pësoi, pas marrjes së lajmit se makina e shpërthyer në qendër të Vlorës ishte e të birit. “Një natë më parë i kisha mbledhur të gjithë fëmijët në shtëpi. Skerdi nuk shfaqi asnjë shqetësim” Pronat? I kemi marrë sipas të gjitha rregullave, nuk di të them se kemi konflikte prej tyre
Nga i dërguari ynë
Habjon Hasani
Orët e fundit të jetës, Skerdilajd Konomi i ka kaluar me njerëzit e tij më të afërt. Babai i gjyqtarit të vrarë në mes të Vlorës, Fotaq Konomi tregon për “MAPO”-n se gjithçka i vjen ndërmend është mbrëmja e së enjtes, kur kishte mbledhur në shtëpi fëmijët e nipërit, në atë që ai e quan një darkë të fundit me Skerdin. I shokuar nga gjithçka ka ndodhur, babai i gjyqtarit nuk gjen as arsye e as ndonjë shenjë nga gjëma që i ndodhi të birit. “Im bir nuk ka shfaqur asnjë shqetësim, as në darkën e fundit, ku ia kaluam shumë bukur dhe në harmoni. Kemi parë gjithnjë punët tona dhe djali nuk ka shprehur asnjëherë shqetësim për detyrën”,-shton më tej i brengosur, Fotaq Konomi. Në shtëpinë e tij mësojmë se gjyqtari, baba i dy fëmijëve të mitur jetonte me qira në një pallat përballë shtëpisë private të prindërve të tij, në afërsi të Kampit të Punëtorëve tek Uji i Ftohtë. E ndërsa shtëpia e babait të Skerdi Konomit pret e përcjell prokurorë e gjyqtarë, Fotaqi bën apel për zbardhje të shpejtë të krimit.
Zoti Konomi, vrasja e djalit tuaj me eksploziv në qendër të Vlorës ka tronditur gjithë vendin. Si e mësuat ju këtë lajm të hidhur?
Ajo që më bie ndërmend është vetëm darka e djeshme, ku jemi mbledhur me të gjithë fëmijët, nipërit e mbesat dhe kemi kaluar shumë bukur dhe në harmoni. Djali nuk ka shfaqur asnjë lloj shqetësimi. Ndejtëm të gjithë në darkë, deri vonë mbrëmë dhe sot në mëngjes zbrita me gruan në Vlorë, për disa punë tonat në qytet. Kur ka ndodhur shpërthimi, në orën 9 e 15 ne kemi qenë brenda në qytet, po nuk morëm vesh gjë. U nisëm për në shtëpi dhe vetëm nja gjysmë ore pasi kemi mbërritur në shtëpi, na kanë telefonuar dhe na thanë lajmin e tmerrshëm, që djalin ma kishin vrarë me eksploziv në automjet.
A ishit ju në dijeni të ndonjë problemi që Skerdilajdi mund të kishte në punë apo të ndonjë konflikti tjetër?
Fare, asnjë shqetësim apo ngatërresë nuk di të ketë pasur. Kemi parë punët tona dhe djali madje në asnjë moment, nuk ka shfaqur shqetësime. Jam i shokuar dhe nuk di t’u them apo të vë gisht mbi diçka apo mbi dikë.
Zoti Konomi, familja juaj njihet për pronat e trashëguara, siç është ish-Kampi i Punëtorëve. A keni pasur ju si familje probleme me betejat ligjore apo me njerëz të tjerë, për të cilën edhe mund të lindin dyshime për krimin?
Ne këtë pronën këtu ku kemi dhe shtëpinë e kemi marrë në bazë të të gjitha rregullave dhe kemi patur çdo dokumentacion të nevojshëm. Është diçka që e meritonim prej vitesh. Jo vetëm që nuk kemi patur konflikte, por jemi në rregull dhe me pronarët kufitarë në këtë zonë. Nuk di të them se kemi probleme apo konflikte me dikë, për shkak të pronave që kemi trashëguar.