E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi për pronat, familja Konomi fitoi 40 ha tokë në Gjirin e Lalzit

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 10-09-2011 10:33

Tiranë Vetëm pak javë më parë, familja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i ka dhënë fund një beteje të gjatë gjyqësore për një sipërfaqe të lakmuar toke në Hamallaj të Durrësit. Me një vendim të ngushtë, 3 me 2, Kolegji i Gjykatës së Lartë i ka njohur të drejtën e pronësisë për 40 hektarë tokë, familjes së gjyqtarit të ekzekutuar paraditen e djeshme në Vlorë. Sipas dosjes së depozituar në Gjykatën e Lartë, katër paditësit: Fotaq Konomi ( babai i gjyqtarit), Ana Mitro (Veveçka), Vasillaq Goxhomani dhe Eleni Mima pretendonin pronësinë e një sipërfaqe prej gati 3.4 milionë metra katrorë në zonën e Hamallajt, në qytetin e Durrësit, por Gjykata e Lartë, e drejtuar nga gjyqtari Fatos Lulo, ka vendosur t’u njohë atyre 40 hektarë, duke pranuar në këtë mënyrë pjesërisht kërkesën e tyre. Padia në fjalë është regjistruar më datën 27 korrik 2010 në Gjykatën e Lartë, ku katër paditësit kanë hedhur në gjyq Agjencinë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë. Në objektin e padisë thuhet: “Ndryshimin e vendimeve: 1) Nr. 384, datë 04.01.2008 të ZRKK Pronave të Qarkut Durrës dhe Nr. 1070, datë 24.09.2008 të AKKP Tiranë duke i njohur të drejtën e pronësisë dhe duke i kthyer në natyrë një tokë me sipërfaqe 1 575 900 m2. 2) Nr. 380, datë 28.12.2007 të ZRKK Pronave të Qarkut Durrës dhe Nr. 1069, datë 24.09.2008 të AKKP Tiranë, duke njohur të drejtën e pronësisë dhe duke e kthyer në natyrë një sipërfaqe prej 1 820 000 m2.” Pas shqyrtimit të të gjitha provave, Gjykata, me vendimin e marrë në muajin korrik të këtij viti, vendosi të pranojë pjesërisht këtë kërkesë, duke i dhënë të drejtë paditësve për të marrë një sipërfaqe prej 40 hektarësh në zonën e Hamallajt në qytetin e Durrësit. Referuar historikut të kësaj çështjeje, që sipas burimeve familjare i ka marrë shumë kohë dhe energji gjyqtarit Skerdilajd Konomi rezulton se në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës, vendimi ka qenë në favor të paditësve. Disa muaj më vonë, Apeli i Durrësit vendosi të rrëzojë pretendimet e tyre dhe ti jap të drejtë AKKP-së. Të ndodhur përpara këtij fakti, Fotaq Konomi, Ana Mitro (Veveçka), Vasillaq Goxhomani dhe Eleni Mima vendosën të depozitonin një Rekurs në Gjykatën e Lartë me shpresën e fitimit të së drejtës për këtë pronë. Sipas verifikimeve të djeshme për llogari të hetimit për zbardhjen e atentatit të gjyqtarit mësohet se një pjesë e kësaj pronë ishte në pronësi të familjes Konomi, e trashëguar nga mamaja e Fotaq Konomit dhe për këtë fakt, ata kanë pretenduar deri në fund pronësinë mbi këtë truall, të cilin pas proceseve të shumta gjyqësore arritën të fitonin një pjesë të saj. Zona në të cilën ndodhet toka e familjes Konomi, pranë Gjirit të Lalzit, është përfolur shumë herë për ndërtime të shumta në këtë zonë e madje edhe për përplasje mes banorëve dhe Policisë Ndërtimore. Nuk dihet ende nëse kjo ngjarje ka lidhje me krimin tronditës, të ndodhur dje në Vlorë, por hetuesit pohojnë se do të verifikohen të gjitha pistat e mundshme për të zbardhur ngjarjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›