Terror në Vlorë, ekzekutohet gjyqtari me minë-telekomandë
Makina e gjyqtarit 33-vjeçar Skerdilajd Konomi është hedhur në erë në mes të qytetit, duke shpërthyer në flakë dhe tym. Gjyqtari ndërron jetë në bagazhin e një furgoni policie, rrugës për në spital. Dëshmitarët: Ndjehemi të terrorizuar. Nuk dinim si ta ndihmonim, pasi mungonte ambulanca
Vlorë Karkasa e shkrumbuar e makinës ka mbetur në qendër të Vlorës, si dëshmi e një krimi tronditës, që i kapërceu kufijtë e qytetit bregdetar. Qarkullimi është ndërprerë, në rrugën ku ndali frymën gjyqtari Skerdilajd Konomi, por jo moria e kalimtarëve, që i rikthehen vendit të krimit për të analizuar ato momente terrori, kur atentati i stilit mafioz ndaj një zyrtari të drejtësisë u transmetua thuajse live në televizor. Gjyqtari 33-vjeçar ka qenë duke udhëtuar me një automjet “Benz 250”, nën sediljen e së cilit ndodhej një sasi e telekomanduar tritoli, që pak minuta më vonë do t’i merrte jetën. Automjeti është gjendur fare pranë Tirana Bank kur butoni është shtypur, ndërsa shpërthimi ka ngritur fillimisht renë e tymit dhe më pas flakët. Dëshmitarët tregojnë për “MAPO”-n se shpërthimi në mes të rrugës i përngjante një tmerri të vërtetë. “Isha në dyqan dhe po rregulloja diçka pranë derës së jashtme. Ora nuk kishte vajtur ende 10:00, kur dëshova një shpërthim të fortë. Ktheva sytë andej nga vinte, nga makina, por nuk merrej më vesh çfarë ishte. Copa u shpërndanë përreth, xhama, hekura, por më e tmerrshmja ishte njeriu që ishte brenda. Një çun i ri, që për disa moment ka qenë gjallë”,-tregon një nga dëshmitarët okularë. Ai pohon se gjyqtari ishte palosur mbi pjesën e parme të makinës, ndërsa këmbët i kishte të copëtuara nga shpërthimi. “ Njerëzit nuk dinin çfarë të bënin me të. Një që ka dyqanin përballë mori një kovë më ujë dhe po ia hidhte për ta shpëtuar nga flakët. Më pas erdhi zjarrfikësja, pasi makina u përfshi nga flakët. Nuk dinin si ta kapnin, pasi ishte i dëmtuar. Asnjë ambulancë nuk erdhi, të paktën ti jepej ndihmë e specializuar. E tërhoqën dhe futën në bagazhin e një furgoni policie. Ndjehemi të terrorizuar. Nuk më hiqet nga mendja si rrinte shtrirë dhe përpëlitej në momentet e fundit ndoshta”-thotë dëshmitari për “MAPO”-n.
***
Pas 20 minutave mes shpërthimit të tritolit dhe flakëve, Skerdilajd Konomi ndërroi jetë në furgonin e policisë, pa mbërritur ende në spitalin e Vlorës. Burime nga policia e Vlorës pohojnë se dëmtimet kanë qenë fatale për të: gjymtyrët e dëmtuar nga tritoli, ndërsa trupi i shkrumbuar nga flakët. Brenda pak minutash, në vendin e krimit zbarkuan dhjetëra forca policie dhe specialistë të antiterrorit, të cilët nisën punën për të mbledhur ato pak prova që mund të gjendeshin nga shpërthimi. Dëshmitarë të tjerë pohojnë se 33 vjeçari, Konomi ndodhej në atë zonë, ku kishte pirë kafenë e mëngjesit. Më pas kishte marrë automjetin e parkuar, për të shkuar në Gjykatën e Vlorës, ku edhe punonte. “Benzi” me targa Vl 6383 B fillimisht është tronditur nga shpërthimi i fortë, e pas kësaj është përfshirë nga flakët. Nga të dhënat paraprake mendohet se lënda plasëse ka qenë tritol, i cili është aktivizuar me anën e një telekomande. Skema është thuajse e ngjashme me atë të shpërthimit pranë rrethit në Skele, pak muaj më pare, ku mbeti i vdekur një person dhe u plagosën katër të tjerë.
***
Specialistë të policisë kanë rrethuar një pjesë të konsiderueshme të rrugës kryesore, ndërsa janë marrë provat e mbetura. Celulari i viktimës është gjetur disa metra më tej, ndërsa sasia e vendosur e eksplozivit tregon se autorët që fshihen pas këtij atentati të mirëorganizuar kishin si qëllim ekzekutimin e Skerdilajd Konomit. Në vendin e rrethuar dallohej një çadër, xhama dhe mbetje të automjetit të bërë copash nga shpërthimi. Vetëm pak kohë më vonë, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur me urgjencë edhe prokurorë të Krimeve të Rënda dhe specialistë të drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se kanë marrë në pyetje dëshmitarë, por edhe persona që janë takuar më parë me gjyqtarin Konomi. Deri në orët e vona të mbrëmjes, ende nuk dihej asnjë gjurmë e autorëve të këtij krimi të rëndë që i mori jetën një gjyqtari dhe shkaktoi panik në të gjithë vendin.
Atentati mafioz, autorët shpuan
gomën e makinës së Konomit
Një atentat i organizuar deri në detaje është ai që i mori jetën gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi. Mëngjesin e djeshëm, 33-vjeçari u detyroi të shkonte në punë me makinën e bashkëshortes, një “Benz 250”, pasi makinën e tij e gjeti në oborrin e shtëpisë së prindërve me gomë të shpuar. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për “MAPO”-n se dyshohet që ekzekutorët e Konomit kanë hyrë në orët e vona të natës në vendin ku ai mbante makinat. “Dyshojmë se janë përpjekur të hapin makinën e viktimës, por nuk ia kanë dalë dot. Për këtë arsye, ata i kanë prerë tubin e naftës dhe i kanë shpuar gomën e makinës, duke i lënë si mundësi të vetme marrjen e makinës së bashkëshortes”,-pohon një burim nga grupi hetimor. Nga ana tjetër, makina “Benz 250” duket se është hapur lehtësisht nga autorët e atentatit, të cilët kanë instaluar tritolin nën sediljen e shoferit. Sistemi ka qenë ai i bombës së telekomanduar, e cila është përdorur në mjaft atentate të bujshme e të pazbardhura nga drejtësia. Më pas, dyshohet se autorët kanë mbajtur nën vëzhgim të gjitha lëvizjet e gjyqtarit 33-vjeçar gjatë mëngjesit të djeshëm, duke shtypur butonin në një kohë kur në rrugë nuk ka pasur shumë makina të tjera. “Atentati ka qenë i organizuar në mënyrë të atillë, që 33-vjeçari të eliminohej”,-përfunduan ekspertët për “MAPO”-n.