E Diel, 1 Nëntor 2026

Babai i taksistit të vrarë: Gjaku lahet me gjak, do marr hakun e tim biri

KORCE - Kur nuk ka drejtësi, gjaku lahet me gjak. Drejtësia në Shqipëri po favorizon krimin dhe kriminelët. Kjo drejtësi e korruptuar po na detyron që të kthehemi tek Kanuni i Lekë Dukagjinit. Dy nga vrasësit e tim biri janë liruar nga Gjykata; po pres që të lirohen dhe të tjerët e pastaj do t'i vras. Nuk e dua më jetën, nuk mund të fal gjakun e tim biri". Kështu u shpreh dje, 72-vjeçari Fiqiri Talelli nga fshati Pilul i Devollit. Nuk është hera e parë që plaku deklaron publikisht se do të bëjë vetëgjyqësi. Reagimi i radhës i babait të taksistit Fredi Talelli, i cili u vra më 24 nëntor të vitit 2010, ka marrë shkas nga fakti se ka mësuar që familjarët e ekzekutorëve kanë depozituar kërkesë në Gjykatën e Lartë për ulje të mëtejshme të dënimit për djemtë e tyre. Afro tre muaj më parë, Gjykata e Shkallës së Parë e Korçës dënoi me 41 vite burg katër nga të rinjtë e akuzuar për masa-krimin e taksistit. Bëhet fjalë për Elkjero Revanin, Arnest Xhaçkën, Domeniko Kumrinë dhe Kastriot Paplekën. Ndërsa liroi me kusht Amarildo Selmanin dhe Jurgen Zeqjan nën akuzën e fshehjes së krimit. Nga ana tjetër, Prokuroria e Korçës kishte kërkuar dënimin me 144 vite burg në total për personat e përfshirë në vrasjen e babait të dy fëmijëve.
Përse keni ardhur në Gjykatën e Korçës dhe çfarë kërkoni?
Po kërkoj drejtësi për djalin tim, por më kot, se ajo ka kohë që ka humbur. Këtu nuk funksionon më asgjë. Drejtësia është e korruptuar, dhe vetëm emrin ka të tillë. Drejtësia më duket si kukull në duart e qeverisë. Unë dua rigjykim të çështjes së djalit tim, që ma vranë kriminelët, dhe që kjo drejtësi po i nxjerr të pafajshëm. I zbuti dënimet në maksimum, dy i liroi, tani dhe ata të tjerët do dalin dhe do të vrasin sërish, se kjo është drejtësia në Shqipëri. Shpirti nuk më gjen rehat, ndaj dhe në këtë moshë endem rrugëve. Nuk falet gjaku i djalit.
Nuk keni besim tek drejtësia?
Ata po tallen me ne, ju flisni për drejtësi. Drejtësia këtu po favorizon krimin, po na ha të gjallë. Ky është shtet i kalbur.
Pse kërkoni rigjykimin e çështjes?
U vra një njeri, nuk u vra një pulë. Ndërsa gjyqtarët i lirojnë kriminelët ose japin dënime koti. Tani që shkova të merrja vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për arsye proceduriale për rigjykimin e çështjes, mësova se familjarët e të pandehurve kanë depozituar kërkesën për Gjykatën e Lartë. Ata kërkojnë ulje dhe më tej të dënimit, se nuk u mjaftuan me turpin e Prokurorisë dhe Gjykatës së Korçës. Kjo është për të dhënë ulërimën vërtet.
Çfarë do të bëni tani?
Do të marr hak vetë. Do pres të dalin nga burgu vrasësit. Dy kanë dalë, dhe këta të tjerët do dalin, dhe do të hakmerrem. Do kthejmë Kanunin e Lekë Dukagjinit. Është zgjidhja e vetme kur shteti dhe ligjet e tij nuk funksionojnë. Kur nuk ka drejtësi gjaku lahet me gjak. Unë nuk e dua më jetën. Po vdes nga hallakatjet, zvarritjet, korrupsioni dhe tallja e kësaj drejtësie me ne. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›