“Nuk doja ta vrisja, shkova të sqarohesha për lidhjen me të bijën”
Eduard Kola, i akuzuar për vrasjen e 55-vjeçarit Lazër Jaku, nuk e ka pranuar vrasjen, por ka deklaruar se roja i gurores ishte vetëvrarë
SHKODËR Gjykata e Shkodrës ka lënë dje në “burg pa afat” 25-vjeçarin Eduard Kola dhe Renato Isufin, 30 vjeç, pasi të dy akuzohen se kanë vrarë 55-vjeçarin Lazër Jaku. Ngjarja ka ndodhur të shtunën e kaluar në Gajtan, në një gurore ku viktima punonte roje. Çështja është gjykuar nga gjykatësja Izabela Radovani, me prokurore Edlira Cufin. Përfaqësuesja e organit të akuzës e ka cilësuar arrestimin e 2 rinjve të ligjshëm, pasi dyshohen si bashkautorë në krim. Për Eduard Kolën është formuluar akuza e vrasjes me paramendim, të kryer në bashkëpunim si dhe armëmbajtje pa leje.
Vrasja
Sipas prokurorisë, në vendngjarje është gjetur një pistoletë dhe 1 letër, të cilat janë çuar për ekspertizë, nga ku ka rezultuar se pistoleta nuk ka qenë arma e krimit. Pas ekspertizës së viktimës ka rezultuar se ai është qëlluar me çifte shutgan. Gurorja në të cilën ka ndodhur krimi është në pronësi të të ndaluarit të dytë Renato Isufi, i cili pasi ka shkuar në guroren e tij dhe ka parë trupin e Lazer Jakut më pas ka njoftuar policinë. Pasi ka mbërritur në vendin e ngjarjes, policia ka konstatuar se mungon çiftja, arma me të cilën u vra viktima dhe që pretendohej se ishte vetëvrasje. Pas kontrollit në banesën e Renato Isufit, është gjetur arma e krimit si dhe armë të tjera. Para trupit gjykues Renato Isufi ka deklaruar se çiften e kishte pa leje dhe e kishte blerë për rojen që të ruante guroren, viktimën Lazër Jaku. Ai shtoi se, pasi ka gjetur të vdekur 55-vjeçarin, e ka fshehur çiften në rrethanat e tronditjes, fillimisht te disa shkurre pastaj në banesë. Por akuza deklaroi se arma është fshehur qëllimisht, duke e ditur se çiftja është arma e krimit.
Autori
I ndaluari tjetër Eduard Kola, që është dhe i dyshuari kryesor, tha para trupit gjykues se “Shkova të sqarohesha me viktimën te vendi i tij i punës në gurore, pasi i kisha kërkuar të bijën për fejesë, por ai më refuzonte. Debatova me të, por asgjë më shumë. Kur u largova e lashë të gjallë”. Dy të ndaluarit gjatë dëshmisë së tyre kanë lënë të nënkuptohet se viktima ka vrarë veten. Mbrojtja e palëve deklaroi para trupit gjykues se nuk ka bashkëpunim mes dy të ndaluarve, sepse Isufi ka njoftuar policinë, kështu që ai mund të akuzohet vetëm për armëmbajtje pa leje. Mbrojtja kërkoi për Eduard Kolën burg me afat, ndërsa për Renato Isufin arrest shtëpie. Trupi gjykues ka hedhur poshtë pretendimin e mbrojtjes, duke e cilësuar të drejtë arrestimin e Kolës dhe Isufit, si dhe i cilësoi si të dyshuar kryesorë për vrasje të kryer në bashkëpunim. Në fund gjykatësja Isabela Radovani dha masën e sigurisë arrest me burg.