E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: Zgjedhjet mbyllen më 1 gusht

Detyrimi për të respektuar afatin kohor prej pesë ditësh për ankimimet, ka detyruar KQZ-në ta shtyjë shpalljen e rezultatit përfundimtar deri më 1 gusht

Vetëm më datën 1 gusht shqiptarët dhe gjithë opinioni ndërkombëtar që ndjek nga afër zhvillimet politike në vendin tonë, do të kenë mundësi të njohin rezultatin përfundimtar dhe zyrtar të zgjedhjeve parlamentare, që u zhvilluan gati një muaj më parë. Pavarësisht se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i përfundon nesër së shqyrtuari dhe miratuari rezultatet dhe mandatet e tre qarqeve të fundit, Tiranës, Shkodrës dhe Fierit, ai është i detyruar që për të shpallur rezultatin përfundimtar në rang republike, të presë edhe disa ditë të tjera. Bëhet fjalë për pesë ditët që Kodi Zgjedhor u njeh subjekteve politike si të drejtë për të bërë ankimimet e tyre në Kolegjin Zgjedhor në lidhje me çdo vendimmarrje të këtij komisioni, përfshi këtu edhe ato për shpërndarjen e mandateve, si momenti final i një procesi zgjedhor.

Në këto kushte ligjore, nisur edhe nga fakti se e hëna e 27 korrikut pritet të jetë dita ku KQZ-ja do të miratojë dhe mandatet e fundit, rezulton se ky komision do të mund ta certifikojë përfundimin e zgjedhjeve parlamentare vetëm më 1 gusht. Një gjë të tillë e ka konfirmuar dje edhe vetë kreu i këtij komisioni, Arben Ristani, gjatë një prononcimi për mediat, ku dhe ka sqaruar se miratimi i mandateve për tre qarqet e fundit nuk shënon fundin e këtyre zgjedhjeve. Ai ka bërë të ditur se megjithëse nuk priten ndryshime në rezultatin final, për ta shpallur atë, KQZ-ja është e detyruar të respektojë afatet ligjore. "KQZ-ja, të hënën do të bëjë shpërndarjen e mandateve për të tre qarqet e fundit, por për të shpallur rezultatin përfundimtar ajo do të presë që të skadojë dhe koha që ligji u jep partive për të bërë ankimime kundrejt këtyre vendimmarrjeve", - tha Ristani.

Megjithatë, një procedurë e tillë është krejt formale dhe nuk pritet që të ketë asnjë ndikim në rezultatin e këtyre zgjedhjeve, me të cilin tashmë forcat politike dhe shqiptarët janë njohur në mënyrë paraprake. Kështu, sipas verdiktit të pranuar tashmë edhe nga KQZ-ja, por edhe Kolegji Zgjedhor, i cili, me gjithë kundërshtimin e palëve në konflikt, ka mbyllur të premten procesin e ankimimeve të tabelave të rezultateve, forca që ka fituar më shumë mandate, por jo më shumë vota popullore, dhe që pritet t'i jepet e drejta për të formuar qeverinë, është Partia Demokratike. Ajo mundi të sigurojë 68 mandate deputetësh si forcë e vetme, dhe 70 si koalicion, ku nga një mandat kanë mundur të marrin PR-ja dhe PDI-ja.

E dyta në mandate, por e para në votë popullore, është renditur Partia Socialiste, e cila ka mundur të sigurojë 65 mandate si parti e vetme dhe 66 si koalicion, ku një mandat ka mundur ta fitojë PBDNJ-ja. Ndërkohë që, në Kuvend do të jetë pjesëmarrëse edhe LSI-ja, e cila mundit të marrë në të gjithë vendin vetëm 4 deputetë. Për sa i përket përbërjes së Kuvendit, emrave të rinj dhe përfaqësueseve femra, rezulton se PS-ja ka një epërsi kundrejt kundërshtarëve të saj, pasi ka mundur që në 65 deputetë të ketë 40 të rinj, ndërsa PD-ja rezulton të ketë 38 të rinj, nga 68 që ka gjithsej.

Për sa i përket gjinisë femërore, përsëri PS-ja ka respektuar më shumë ligjin për barazinë gjinore. Kështu, nga 65 deputetë që ajo ka gjithsej, 13 prej tyre do t'i ketë të gjinisë femërore. Ndërkohë që demokratët nga ana tjetër kanë vetëm 10 deputete femra, megjithëse kanë më shumë deputetë në total se socialistët. Deri më tani, KQZ-ja ka mandatar 80 deputetë për nëntë qarqe dhe nesër ajo ka programuar të mandatojë dhe 60 deputetët e tjerë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›