E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babaj, drejt Ukrainës

Nga Express më 16 janar 2011 në ora 12:13

Skuadra ukrainase, Metalurg Zaporizhya ka zgjuar interesim për mesfushorin kosovar Shpëtim Babaj, i cili së fundmi ka luajtur në Superligën e Shqipërisë me Tiranën.

Ekipi ukrainas e ka ftuar mesfushorin 29 vjeç për t’u provuar, derisa menaxheri i futbollistit Nexhmedin Haxhiu thotë se gjasat janë të mëdha që Babaj të nënshkruajë kontratë me këtë ekip, apo me ndonjë skuadër tjetër të Ukrainës.

Sipas tij, përpos Metalurg Zaporizhya, edhe shumë ekipe tjera ukrainase kanë zgjuar interesim për ish futbollistin e Gramozit të Ersekës.

“Këto ditë pritet që Babaj të udhëtojë drejt Ukrainës. Do ta zhvilloj vetëm një ndeshje provuese me Metalurg Zaporizhya dhe gjasat janë të mëdha të nënshkruajë kontratë me këtë ekip”, deklaroi Haxhiu për Express.

“Nëse nuk nënshkruan me këtë ekip, atëherë ai do të nënshkruajë kontratë me ndonjë ekip tjetër ukrainas, sepse ato janë të interesuara për të, pasi e njohin Babajn, i cili edhe në të kaluarën ka luajtur në Ukrainë. Kështu, 99 për qind ai do të mbetet në Ukrainë”, përfundoi Haxhiu.

Për mesfushorin kosovar futbolli ukrainas nuk është i panjohur, pasi ai atje ka luajtur në vitin 2008 kur i mbronte ngjyrat e Zorya Luhansk.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›