E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa kundërkandidat ?

Kanë mbetur vetëm edhe dy ditë deri në afatin e fundit për dorëzimin e plan-programeve për postin e selektorit të përfaqësueses së Kosovës në basketboll, derisa i sigurt është vetëm kandidimi i Arben Krasniqit. Dy kandidatë tjerë, Agim Kasapolli dhe Bujar Loci, ende janë të pavendosur nëse do të kandidojnë për këtë post. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 16 janar 2011 në ora 12:18

Tre kandidatët për selektor të përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Agim Kasapolli, Bujar Loci e Arben Krasniqi, ende nuk i kanë dorëzuar plan- programet e tyre në zyrat e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).

Të tre këta trajnerë do të kenë kohë deri të hënën në orën 12:00 që t’i dërgojnë në shtëpinë e basketbollit kosovar plan-programet e tyre njëvjeçare. Ndërsa, trajneri me plan-programin më të mirë do të zgjidhet selektor.

Por, dy ditë para se të mbyllet afati i dorëzimit të plan-programeve, vetëm Arben Krasniqi është i sigurt se do ta paraqesë plan-programin e tij në FBK, por jo edhe Kasapolli e Loci.

Një burim i besueshëm i Express-it, i afërt me Krasniqin, ka bërë të ditur se trajneri prishtinas të hënën do ta dërgojë plan-programin e tij në FBK. Sipas këtij burimi, edhe vetë Krasniqi ka mjaft dëshirë të punojë në përfaqësuesen e Kosovës.

“Krasniqi do ta paraqesë plan-programin e tij. Ai e ka një plan-program shumë serioz. Madje, Krasniqi plan-programin ua ka prezantuar shumë basketbollistëve kosovarë, posaçërisht atyre që luajnë jashtë Kosovës. Atyre lojtarëve u ka pëlqyer plan-programi i Krasniqit, andaj rreth 80 për qind prej tyre ia kanë shprehur gatishmërinë trajnerit për të luajtur për Kosovën”, ka thënë ai burim, sipas të cilit Krasniqi beson se nëpërmjet plan-programit të tij do t’ia del ta fuqizojë ekipin kosovar.

“Vërtet Krasniqi e ka një plan-program të shkëlqyeshëm, i cili do ta fuqizojë përfaqësuesen e Kosovës. Edhe vetë Krasniqi beson në këtë dhe është dëshirë e tij që të punojë me reprezentacion”, tha burimi i cili bëri me dije se Krasniqi njëkohësisht do ta vazhdojë punën si trajner i Sigal Prishtinës, edhe nëse emërohet selektor.

Në anën tjetër, selektori i deritanishëm i reprezentacionit kosovar, Agim Kasapolli, nuk ka dashur të flasë për Gazetën Express rreth kësaj çështjeje. Mirëpo, para pak ditëve, Kasapolli u pat shpreh të jetë i pavendosur nëse do ta dërgojë apo jo plan-programin e tij në FBK.

Ndërsa, edhe Bujar Loci akoma nuk ka vendosur nëse do ta paraqesë apo jo plan-programin e tij në zyrat e FBK-së.

“Unë e kam një plan-program. Por, akoma nuk kam vendosur për ta dërguar apo jo në FBK. Ka edhe pak kohë për të vendosur. Realisht, çështja është e ndërlikuar, sepse ne nuk jemi të ndërkombëtarizuar dhe nuk ekziston agjendë për përfaqësuese”, u shpreh Loci.

Përzgjedhjen e këtyre tre kandidatëve e ka bërë para pak ditëve Këshilli Profesional i FBK-së. Të tre këta kandidatë në të kaluarën kanë qenë selektorë të përfaqësueses së Kosovës dhe të tre ata krenohen me punën e tyre që kanë bërë në reprezentacionin shtetëror.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›