Baballarët dhe Njerkët e Kushtetutës
Në emër të popullit janë ngritur demokracitë dhe diktaturat e po në emër të tij janë shpallur luftra e nënshkruar paqe, e kjo sepse argumentat e mbështetura në një entitet të tillë, konkret dhe evaziv njëkohësisht, janë gjithmonë më të thjeshtë. E, siç ndodh rëndom, populizmin nga shqetësimi konkret e ndan çështja për të cilën flitet. Populistin e gjen shpesh të flasë në emër të popullit, për çështje që në fakt popullit vetë as që i interesojnë madje, përkundrazi, i shtojnë zhgënjimin për klasën politike që gjithmonë e më pak e përfaqëson.
Një variant modern i kësaj shfaqjeje qesharake të këtij modeli të vjetër politik po ndodh edhe sot. Në emër të popullit e për interesa kryekëput personale, disa individë apo parti po na shiten si baballarët e Kushtetutës, si rojtarët e vetëm të shtetit. E gjithë kjo tollovi po thuret e orkestruar kujdesshëm për t’i hedhur hi syve vetë popullit, në tentativën e dështuar për të nxjerrë fitim politik edhe aty ku nuk ka mundësi. Nuk po flitet për çmimet marramendëse që i vështirësojnë jetën qytetarëve, nuk po flitet për pensionet, për pagat, për rimbursimin e ilaçeve, për fermerët, për minatorët, peshkatarët apo për një mijë e një probleme të tjera. Jo, po flitet në emër të popullit, për interesat personale të fshehura pas kapakut të Kushtetutës. Populizëm e asgjë tjetër.
Se në fakt, këta që sot shiten si baballarët e Kushtetutës, kur interesi partiak ka kërkuar, e kanë pasur shumë të thjeshtë të ndryshojnë Kushtetutën brenda 3 orëve pa pyetur as për konsultim e as për moral publik, as për çati e as për tavan.
Po për çfarë interesi madhor të qytetarëve shqiptarë flitet vallë? Për kë Kryeministër omnipotent flitet, kur kompetencat e Kryeministrit kanë mbetur po ato që kanë qënë, pa ndryshuar asnjë germë, pra, ato që shqiptarët kanë votuar një herë në referendumin e Kushtetutës së 1998-ës? Për çfarë Presidenti kukull flitet, kur kompetencat e Presidentit dhe mënyra e shkarkimit kanë mbetur po ato që kanë qënë, pa ndryshuar asnjë germë, e për të cilat shqiptarët kanë votuar një herë tashmë në referendumin e Kushtetutës së 1998-ës? Cilat janë ndryshimet thelbësore të Kushtetutës, për të cilat shqiptarët u dashka të shprehen edhe një herë me referendum? Apo mos vallë, përveç borxheve kolosale që politika iu ka tash e 18 vjet, duhet t’i transferojmë edhe krizën personale të disa individëve apo partive?
Sot, nuk ka më shqiptarë që të trajtohen si bidona e të besojnë se PS votoi në Parlament për të forcuar pushtetin e Sali Berishës. Nuk ka shqiptarë të verbër aq sa të besojë se PS tradhëtoi interesat e atyre që prej më shumë se 2 vjetësh po i dëgjon në çdo cep të Shqipërisë, duke mbajtur shënim me përulje hallet e tyre, për të hartuar një program të denjë, realist e të zbatueshëm.
E vërteta e thjeshtë e qytetarëve nga Vermoshi në Konispol, është tjetër. Askush nuk bie dot më në grackën abuzive të politikës së vjetër, që me kosto popullore të zgjidhë problemet e axhendave personale. Më shumë se interesi i shtirur i disave për kushtetutën, ata duan zgjidhje për problemet e tyre, të cilat jo rastësisht politika u ka shkaktuar në vite. Sot nuk gënjehet më njeri me tmerret e diktaturave të së kaluarës, apo me makthin e diktaturave të ardhshme. Nuk beson njeri sepse nëpërmjet po këtyre ndryshimeve kushtetuese është garantuar vetë thelbi i demokracisë, përfaqësimi i drejtë i vullnetit të shqiptarëve nëpërmjet votës së tyre në Parlament.
Të gjithë mbajmë mend të shkuarën, e të gjithë mund të nxjerrim mësimet për të tashmen e të ardhmen bashkë. A nuk ishte LSI dhe Ilir Meta, që vetëm disa muaj më parë (pa pyetur fare PS dhe aleatët e tjerë) shkoi e takoi i pari Sali Berishën, duke nënshkruar madje edhe një dokument bashkëpunimi për reformën zgjedhore (që presupozonte edhe ndryshimet kushtetuese)? A nuk ishte LSI dhe Ilir Meta, që vetëm disa muaj më parë (me të drejtë) mbajtën peng Parlamentin dhe ndryshuan Kushtetutën për një anëtar më shumë në KQZ? Fundja, këto janë instrumentat legjithime të veprimit në një demokraci funksionale.
Po përse bashkëpunimi me PD i një partie si LSI qenka demokratik dhe nuk tradhtoka interesat e popullit të majtë? E përse ndryshimi i kushtetutës për një anëtar të KQZ brenda 3 minutave qënkërka demokratik, ndërkohë që ndryshimet e tanishme instalokan diktaturën e re në vend?
E po me të njëjtën logjikë, përse bashkëpunimi ndërmjet maxhorancës dhe opozitës po na shitet si një instrument antidemokratik, a thua vallë se do të ishte më demokratike që një parti e vetme me maxhorancë absolute në Parlament, të bënte po të njëjtat ndryshime? Apo do të ishte më demokratike që një parti me vetëm 5 deputetë në parlament, të bënte këto ndryshime së bashku me PD? Përse u dashka të konsiderohet antidemokratike bashkëpunimi ndërmjet maxhorancës dhe opozitës e konsensusi parlamentar përtej normës kushtetuese dhe u dashka konsideruar demokratike kontestimi individual i një partie apo disa partive që në Parlament nuk kanë më shumë se 10 deputetë, e për më tepër, një pjesë të mirë të tyre, me votat e dy partive të mëdha.
Ku qëndron tradhtia e interesave të qytetarëve? Po, në të vërtetë ka një “tradhëti” e mirë u bë. U tradhtuan interesat e pista që kanë mbajtur peng për vite me radhë të ardhmen e vendit dhe qytetarëve, u tradhtuan përfundimisht ata që në popull nuk kanë sy e faqe të dalin përsëri për të kërkuar votën, u tradhtuan ata që kanë mbijetuar si shushunjat në Parlament e në kurriz të popullit, me vota të blera e të shitura si simite. Fatmirësisht, raportin e drejtpërdrejtë që maxhoranca e ardhshme do të instalojë me publikun, nuk mund ta marrë peng më një individ apo një parti fantazëm. Që këtej e tutje, nuk ka më Xhuvelë e xhuvelizma që mund të prodhojnë në parlament maxhoranca rroskope që jo vetëm nuk qeverisin, por akoma më keq, majmen e fryhen në karriget e ngrohta të pushtetit. Sot e tutje, zgjedhjet do të fitohen me programe qeverisëse të cilat do të gjykohen nga shqiptarët e jo me marrëveshje tavolinash e korridoresh ku merren e jepen deputetë, ministra, kryeministra, e bashkë me to dhe interesat e popullit.
Diktatura e vetme që po instalohet është diktatura e votës së popullit, e sovranit që do të votojë atë që më mirë do zgjidhë problemet e qytetarëve, e jo atë që më mirë do blejë votën e tyre. E vullnetin e shprehur të shqiptarëve, së bashku me përfaqësimin respektiv në Parlament, nuk mund ta marrin më peng tekanjozët duke bllokuar qeverisjen për interesat personale. Shqiptarët kanë nevojë për zgjidhje, kanë nevojë për mirëqenie, për siguri, kanë nevojë të dëgjohen e të shohin politikanë të maturuar që marrin parasysh problemet e tyre. Nuk ka më nevojë njeri, e shyqyr Zotit as politika vetë, për modele hibride xhuveliste, që mbarsen majtas e pjellin djathtas, apo për ata që me miell borxh duan të bëjnë Pazar për gjithë lagjen. Nuk ka më nevojë njeri për ata që shiten si baballarët e Kushtetutës, e që më shumë se një herë kanë dëshmuar se në të vërtetë janë vetëm njerkat e përkohshme të një realiteti që po merr fund. Shqiptarët kaq e kanë kuptuar e nuk pranojnë më tallje në emër të tyre nga parti a individë me axhenda okulte.
Për të mësuar këtë leksion kaq të thjeshtë nuk ka nevojë për referendum, mjafton të ndjekësh lajmet për një javë rresht, meqë ata fshatarët që mund të sigurojnë jetesën duke mbjellë kastravecin dhe lakrën e që këtë mësim kanë kohë që e kanë mësuar, për baballarët dhe njerkët e kushtetutës, janë vetëm një ironi urbane. Ky është një tjetër leksion që kta lloj politikanësh mund të mësojnë, tashmë jo nga lajmet e gazetat, por duke i takuar atje ku rritet varfëria dhe mjerimi, e jo majmja përtace në emër të popullit brenda zyrave të partisë.