Shqiptarët presin njerzillëk dhe jo harbutllëk
Sekretariati Ekzekutiv i Partisë Socialiste dhe Kryesia e Grupit Parlamentar, në mbledhjen e tyre javore shqyrtuan edhe letrën që zoti Ilir Meta i drejtoi publikisht kryetarit socialist.
Duke ndjerë keqardhje për gjuhën e papërshtatshme të letrës dhe duke vënë re mungesën e qartësisë së zotit Ilir Meta edhe në këtë adresim të shkruar publik, Sekretariati Ekzekutiv dhe Kryesia e Grupit Parlamentar Socialist ranë në një mendje për të kërkuar nga drejtuesi i LSI-së që të reflektojë pa mllef mbi devijimin e tij krejt të pajustifikuar të kohëve të fundit e të kthehet në rrugën e arsyes e të bashkëpunimit.
Aleati ynë Ilir Meta duhet të mendojë për miliona njerëz që nga politika presin njerzillëk e jo harbutllëk, presin zgjidhje të problemeve të tyre të panumërta e jo sherre për orekset e pak politikanëve, presin arsye për të besuar tek e ardhmja e jo mllef që buron nga e shkuara.
Ai duhet të kuptojë se nuk është më koha e politikës së vjetër të interesave e inateve personale, po ora e një angazhimi të madh të të gjitha forcave progresiste të shoqërisë shqiptare, për një politikë të re qytetare në shërbim të vendit e të njerëzve.
Po ashtu, është ora e forcimit të themeleve të brishta të parlamentarizmit shqiptar, jo vetëm përmes reformave që garantojnë përfaqësimin e drejtë e dinjitoz të alternativave në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe votën e popullit për programin, ekipin dhe drejtuesin që fiton zgjedhjet, po edhe përmes një etike të re politike në raport me institucionin e Parlamentit, ku sovraniteti i popullit shprehet me votën e përfaqësuesve të tij legjitimë.
Të mos jesh dakord me vendimet e shumicës është natyrë e jetës demokratike, të veprosh për t'i ndryshuar vendimet e shumicës parlamentare në rrugë referendare është pjesë e të drejtave e lirive të njerëzve në demokraci, ndërsa të kërcënosh e anatemosh një shumicë kushtetuese sepse ushtron një të drejtë kushtetuese për ndryshimin e Ligjit Themelor të Shtetit në Parlament, është shprehje e një kulture të vjetër antidemokratike e anti-institucionale që i ka sjellë plot dëme vendit e shoqërisë sonë.
Partia Socialiste e Shqipërisë nuk e dëshiron konfliktin e paarsyeshëm që zoti Ilir Meta ka hapur mbi bazën e një projekti personal dhe nuk do të bëhet asnjëherë pjesë e këtij konflikti që nuk ka asnjë bazë parimore, asnjë arsye objektive, asnjë argument të qëndrueshëm dhe asnjë interes e dobi për jetën e shqiptarëve e shqiptareve. Rruga jonë është rruga e një bashkimi të ri në Dialog me Shqipërinë reale, me burrat e gratë e këtij vendi që duan ndryshimin e jetës së tyre, punë e siguri për familjen e tyre, shkolla të denja për fëmijët, zhvillim të qëndrueshëm e bashkëjetesë qytetare për komunitetin e tyre, modernizim e integrim për atdheun e tonë të përbashkët.
Rruga jonë është rruga e një politike të re, me ndjenjë atdhetare e vetëdije qytetare. Rruga jonë është rruga e një opozite që ndërton konsensus kur është fjala për reforma që i duhen Shqipërisë në rrugën e demokratizimit e të integrimit europian dhe që çdo ditë ngre zërin, pa shpifur e as fyer kënd, po duke treguar të vërtetat e dhimbshme e sugjeruar rrugëdaljet e mundshme, kur është fjala për të folur e vepruar në emër të vendit dhe të të gjithë grupeve shoqërore e individëve të dëmtuar nga keqqeverisja.
Kjo është rruga e një partie të madhe që nuk jeton për kryetarin, po për çdo shqiptar e shqiptare që përmes fuqisë së kësaj force të madhe opozitare dëshiron të ndryshojë Shqipërinë duke shkruar së bashku me ne në programin e ndryshimit, duke zhvilluar së bashku me ne betejën qytetare për ndryshim, duke fituar së bashku me ne zgjedhjet për ta bërë realitet ndryshimin në çdo pjesë të atdheut tonë.