E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berzh dhe Vlora

 

Do doja të ngrija disa çështje në lidhje me artikullin me titull “BERZH: Vështirësi në miratimin e kredisë për Petroliferën”. Dëshiroj që lexuesit të kuptojnë qëndrimin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në lidhje me këtë projekt, si dhe projekte të tjerë.

Si pjesë e mandatit të saj, si institucion publik, Banka nxit dhe zhvillon një dialog të vazhdueshëm me OJF-të dhe komunitetet.Ne përfshimë me kënaqësi një takim të OJF-ve (të përmendura në artikull) me zv/Presidentin e Parë, Varel Freeman, gjatë vizitës së tij njëditore në Shqipëri. Ne jemi të kënaqur të shkëmbejmë pikëpamje me OJF-të. Biseda mbuloi të gjithë spektrin e aktiviteteve të BERZH-it dhe nuk u kufizua në projekte të veçantë. Mes çështjeve të tjera, OJF-të shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me financimin nga ana e Bankës të projektit të “Petroliferës” për ndërtimin e një terminali nafte në Vlorë.

Saktësoj se nuk ka pasur diskutim formal të projektit në Bord dhe as shtyrje të gjykimit mbi këtë projekt. Në fakt, e vetmja datë e shpallur është data në të cilën “Petrolifera” publikoi Vlerësimin e Ndikimit mbi Mjedis (VNM). Kjo datë është publikuar si pjesë e procedurave normale-sipas politikës së BERZH-it mbi informimin e publikut, çdo projekt privat duhet të publikojë një VNM, të paktën 60 ditë para diskutimit në Bord. Kjo nuk do të thotë se diskutimi në Bord është caktuar të mbahet në atë datë. Kjo do të thotë se, data më e parë kur mund të diskutohet projekti në Bord është 60 ditë pas publikimit të VNM-së.

Përsa i përket përfundimeve të Komisionit të Përputhshmërisë me Konventën e Aarhusit, duam të sjellim në vëmendje se Komisioni është informuar se kapaciteti i magazinimit të këtij projekti është nën pragun e kërkuar për aplikimin e Konventës së Aarhusit. (Shtojca 1, #18 e Konventës http://www.unece.org/env/pp/documents/cep43e.pdf)

Z.Freeman tha se, si pjesë e vlerësimit të çdo projekti të saj, Banka shqyrton çështje të ndryshme të lidhura me një projekt potencial. Këto çështje përfshijnë, ndër të tjera, aspekte komerciale dhe mjedisore.

Një tjetër projekt në Vlorë - Projekti i Termocentralit- është aktualisht nën shqyrtim për respektimin e procedurave nën Mekanizmin e Pavarur për Ankimim të Bankës (MPA). Ky shqyrtim, i cili fokusohet në pretendimin se Banka nuk ka vepruar në përputhje me Politikën Mjedisore të saj, është në proces dhe raporti i ekspertit të pavarur pritet t’i dorëzohet Bordit të Drejtorëve të BERZH-it në fund të këtij muaji ose brenda muajit tjetër. Pas miratimit nga Bordi, raporti do të bëhet publik në faqen e internetit të Bankës për MPA-të.

Delegacioni i BERZH-it, theksoi se Banka vlerëson opinionet e OJF-ve në lidhje me projektet e tashme dhe ato të ardhshme dhe i merr në konsideratë pikëpamjet e tyre me shumë seriozitet. Në të njëjtën kohë, Banka e ka të qartë se ka shumë pikëpamje mbi çdo projekt dhe ka ndryshime mes këtyre pikëpamjeve, sipas grupeve të interesit.

Unë mbetem i gatshëm për të diskutuar këtë ose çështje të tjera që lidhen me veprimtarinë e Bankës me gazetarët e interesuar.

Sinqerisht, Daniel Berg

*Head of Office / BERZH, Tiranë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›