Babasi fyen Arta Daden, kërkon falje
Gjatë mbledhjes së djeshme në seancën plenare, deputeti i Partisë Demokratike, Ndriçim Babasi, fyeu deputeten e PS-së, Arta Dade. Babasi, i cili ishte duke folur në podiumin e Kuvendit, ndërhyri në fjalë direkte me deputeten e PS-së. Deputeti i PD-së, i cili u ngacmua nga deputetja Dade, për shkak se ngatërroi leximin e fjalimit, fyeu direkt Daden, duke i thënë: “Ky është një gabim njerëzor Arta, nuk është ai ato udhëtimet e tua jashtë shtetit”, - tha Babasi, i cili shtoi: “Nuk është si orgjitë e tua jashtështetërore”. Menjëherë deputetët e opozitës kanë reaguar duke u larguar nga salla në formë proteste. Kryetarja Topalli vendosi 5 minuta pushim dhe mblodhi Konferencën e Kryetarëve, nga ku vendosi se deputeti Babasi do të dënohet sipas rregullores. Opozita kërkoi largimin e deputetit Babasi nga salla, ndërkohë që ky i fundit kërkoi falje publike në Kuvend për fyerjen që i bëri deputetes së PS-së. Kjo nuk mjaftoi për opozitën e cila u largua nga salla, duke lënë në mes shqyrtimin e projektligjit për përcaktimin e poligoneve për demontimin e municioneve.