E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi takim me ambasadorin iranian: Jemi për liri dhe paqe në botë

Presidenti Bamir Topi gjate takimit me Alibeman Eghbali Zarach Tiranë, 10 Nëntor, 15:00, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka pritur në një takim ambasadorin e Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri, Alibeman Eghbali Zarach, me kërkesë të tij. Gjatë takimit, Presidenti pohoi se marrëdhëniet dypalëshe do të ndjekin dhe do tu përshtaten fushave dhe interesave reciproke të dy vendeve tona. Ato duhet tu shërbejnë zhvillimeve të brendshme për të cilat vendet tona kanë nevojë dhe sfidave rajonale e globale me dëshirën e sinqertë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe një botë në paqe dhe në harmoni. Presidenti Topi nënvizoi se Shqipëria, si vend anëtar i OKB-së, do të mbështesë me shumë vendosmëri rezolutat, të cilat synojnë vendosjen e drejtësisë, të paqes dhe të barazisë në globin tonë. Shqipëria ka vuajtur për një kohë të gjatë nga mungesa e drejtësisë, barazisë, lirisë, respektit të të drejtave të njeriut, ka përjetuar diktaturën më të egër dhe izolimin më të gjatë ndërkombëtar prandaj është e vendosur të luftojë për demokracinë globale dhe kundër çdo tentative që rrezikon paqen. Ajo do të udhëhiqet nga këto parime edhe gjatë pjesëmarrjes së saj në bordin e Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për periudhën shtator 2007-shtator 2009. Shqipëria, - theksoi Presidenti i Republikës, - si një vend anëtar i ardhshëm i NATO-s dhe nënshkrues i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian ka qenë dhe do të jetë në një linjë me qëndrimet e aleatëve të saj euroatlantikë për raportet dypalëshe, rajonale dhe globale. Presidenti Topi shprehu qëndrimin se krijimi i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, është zhvillim shumë i rëndësishëm në rajonin e Ballkanit dhe zgjidhja më e drejtë dhe më e qëndrueshme, faktor stabiliteti, paqeje, begatie për rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Ai shprehu bindjen se ky realitet është i pakthyeshëm dhe njohja e saj ndërkombëtare e pandalshme duke besuar se edhe shtete të tjera të OKB-së do ta njohin Republikën e Kosovës si një kontribut real i tyre për paqen dhe sigurinë në Ballkan, për sigurinë evropiane, duke respektuar kështu edhe vullnetin e ligjshëm të popullit të saj. NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›