Topalli: Të kontrollohen fondet në shëndetësi
Komisioni i Shëndetësisë shqyrtoi dje projektbuxhetin e vitit 2009, ku morën pjesë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Financave, Bode, dhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho. Ata vlerësuan rritjen e fondeve të shëndetësisë ë në krahasim me vitin 2008 rriten rreth 14 për qind dhe përbëjnë 4 për qind të PBB-së. Kryetarja Topalli u shpreh që fondet duhet të mirëshpenzohen. “Fondin e projektbuxhetit të parashikuar për shëndetësinë, që do të miratohet në Parlament, do ta bëjmë të detajuar dhe askush pas ditës së votimit nuk mund të guxojë të lëvizë asgjë”, - tha Topalli. “Është shumë e rëndësishme, - theksoi ajo, - që fondet janë rritur, por po kaq e rëndësishme është gjetja e mekanizmit të duhur për të kontrolluar dhe menaxhuar ato. Duhet verifikuar nëse 100 milionë dollarë që kemi vendosur më shumë, arrijnë atje ku ne kërkojmë, arrijnë te pacienti”. Nga ana e tij, ministri Bode tha se fondet për shëndetësinë janë rritur ndjeshëm. “Në krahasim me vitin 2005, në sektorin shëndetësor në vitin 2009 kalojnë nga 15 miliardë lekë që ishte fondi total që harxhoheshin për sektorin e shëndetësisë në 25.6 miliardë lekë me një rritje të konsiderueshme. Fondet për vitin 2009, në krahasim me buxhetin e viti 2008, rriten me 2.5 miliardë lekë ose 13-14 për qind më shumë. Investimet në sektorin shëndetësor do të kenë një rritje në krahasim me ato të viteve në vijim dhe 700 milionë lekë të tjera”, - tha Bode. Anëtarët e komisionit mbështetën kauzën e kryetares së Kuvendit për shtimin e pajisjeve të spitaleve.