E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babë e bir, thikë gardianit të Shënkollit pas sherrit

LEZHE - Babë e bir qëllojnë me thikë gardianin e burgut të Shënkollit. 

Ngjarja ku ka mbetur i plagosur rëndë Agustin Gjoka ka ndodhur në rreth orës 21:00 të ditës së djeshme, në një lokal në fshatin Tale të Lezhës, pas një sherri banal. Ndërsa gardiani i plagosur është dërguar me urgjencë në spitalin e Lezhës, dy personat atë e bir, janë arrestuar një orë më vonë në tentativë për t'u larguar nga fshati. Burime zyrtare të policisë së Lezhës bënë të ditur se, ngjarja që ka përfunduar me plagosjen e gardianit të burgut të Shënkollit, ka ndodhur në kohën kur ai po konsumonte një pije freskuese në orët e mbrëmjes në një prej lokaleve të fshatit Tale. Mësohet se të pranishëm në lokal kanë qenë edhe Ndue dhe Pjetër Lleshi, babë e bir, banorë të fshatit Tale. Në rrethana të cilat nuk janë bërë të qarta ata kanë filluar të debatojnë me gardianin e burgut Gjoka. Pasi kanë folur me tone të ashpra për pak çaste, babë e bir kanë qëlluar me një armë të ftohtë thikë gardianin. Pas plagosjes, ata janë larguar, ndërsa gardiani i plagosur është dërguar me urgjencë në spital nga banorë të zonës, të pranishëm në vendngjarje. Sipas burimeve, gjendja shëndetësore e gardianit të plagosur ka qenë e rëndë deri në orët e vona të natës. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe pas një rrethimi të plotë të zonës bënë të mundur arrestimin e Ndue dhe Pjetër Lleshit, në një nga rrugët dalëse të fshatit Tale.                                                                                          r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›