E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitali i Bulqizës, kontratë me një kirurg

BULQIZE - Probleme të shumta kanë përjetuar banorët e Bulqizës në lidhje me shërbimin shëndetësor. 

Gjendja e rëndë e spitalit lokal dhe mungesa e mjekëve specialistë, kanë bërë që pacientët e këtij rrethi t'i drejtohen spitaleve të Peshkopisë, Burrelit e Tiranës. Por, drejtori i Shëndetit Publik, Fatos Hoxha, theksoi se situata në këtë spital ka ardhur duke u përmirësuar. "Situata ka qenë alarmante si pasojë e mungesës së stafit dhe aparaturave. Urgjenca të shumta jemi detyruar t'i dërgojmë në Tiranë e rrethe të tjera. Janë të shumtë aksidentet, sidomos në miniera, që kanë patur shumë nevojë për ndihmën tonë. Por, kohët e fundit në godinën e spitalit tonë po investohet nga ambasada amerikane. Na janë vënë në dispozicion 17 milionë lekë, me të cilat po rikonstruktohet plotësisht çatia e spitalit, po lyhet e meremetohet fasada, banjat, dhomat e mjekëve dhe ato të të sëmurëve etj.", shprehet Hoxha. Shqetësimi kyç, ai i mjekëve specialistë, veçanërisht i një kirurgu, sipas tij pritet të zgjidhet, pasi me ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë është nënshkruar një kontratë 1-vjeçare me një mjek kirurg. "Ndërkohë do të këmbëngulim për gjetjen e mundësive për sigurimin e pajisjeve të reja për kirurgjinë, urgjencën dhe repartet e tjera të spitalit. Firma ruso-austriake që merret me menaxhimin e minierës së kromit na dhuroi në 60-vjetorin e saj 20 mijë euro. Ato para për arsye burokratike nuk i kemi ende në duar, por kemi hartuar preventive për rikonstruksionin e patologjisë. Pas kalimit të parave në degën e thesarit, do të organizojmë tenderin për ndryshimin e gjendjes në repartin e patologjisë".                                     e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›