Babë e birë ekzekutojnë me çifte një 29 vjeçar për konflikt pronësie

Një 29 vjeçar humbi jetën paraditen e sotme në Tiranë, pasi u qëllua me armë zjarri nga babë e bir, të cilët u ndaluan nga forcat e policisë së Komisariatit Nr.1 të kryeqytetit.
"Xhevdet Qefalia, 29 vjeç, u qëllua me armë zjarri, çifte, rreth orës 10:50 në kthesën e senatoriumit pranë shkollës "Eurolingua" në Tiranë, nga shtetasit Kujtim Bakalli, 45 vjeç dhe djali i tij Endrit Bakalli, 18 vjeç, të cilët u ndaluan më pas nga policia", bënë të ditur burime zyrtare të policisë së Tiranës.
Sipas burimeve, forcat e policisë që mbërritën menjëherë në vendngjarje e dërguan 29 vjeçarin Qefalia në Spitalin Ushtarak të Tiranës, i cili si pasojë e plagëve të shumta nuk mundi të jetonte. Mësohet se policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e llojit, çifte, me të cilën babë e bir kryen krimin.
Mësohet se motivi kryesor i kësaj ngjarje është për motive pronësie, ku të dy familjet pretendojnë se janë pronar të një pjesë toke, e ndodhur në afërsi të shkollës "Eurolingua", në Sauk.
Ndërkohë që grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të kësaj ngjarje.
...