E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Njeriu i ri” paska qenë fabrikuar për “politikën e re” të Edvinit

Kur Partia e Punës të Shqipërisë e Enver Hoxhës mburrej e fryhej se kishte ndërtuar kryeveprën e partisë, njeriun e ri, njerëzit nuk vonuan të kuptonin se ç’lloj njeriu i ri ishte ai që u ngjiz në klonimin komunist. Vetëm se gojëvulosurit s’kishin mundësi të flisnin.  Ishte modeli i Pavlik Morozovit, të krijuar në BS-në e Stalinit, në laboratoret zhdanoviste të fabrikimit të monstrave njerëzore. Ndonëse Pavlikun, që kishte spiunuar të ungjin se i kishte dhënë një qese miell një kulaku, të cilit   po i vdisnin fëmijët nga uria në kolkozin stalinian të zisë së bukës, -ndonëse Pavlikun e vranë fshatarët, pra, - në shkollat sovjetike, u ngritën monumente bronxi për ta patur sërish pranë nxënësve, “të gjallë” këtë prototip të spiunimit brenda familjes, të mizorisë pushtetare, të militantit keqbërës. Njeriu i ri në vendin tonë mori një grusht të rëndë në proceset demokratike; u zgërlaq kur ia rrëzuan Enverin në shkurt të ’91-shit dhe u tulat fare në marsin e ’92-shit, ditës së fitores plebishitare kundër tiranisë enveriste. Por mëkatarët ndërruan emrin, si kameleonë që ishin: - Doni demokraci, doni Amerikën, doni Europën? E bëjmë ne! Doni NATO-n, doni BE-në? E duam edhe né! Jeni kundër diktaturës? As ne nuk e duam atë! (Paçka se mbetën nostalgjikë të fshehur, por të thekur, amà. Një pjesë nuk e ndjeu nevojën as të fshihej, fare, madje!). I pari nga ata që ulëriu kundër Enver Hoxhës, kundër komunizmit, kundër PPSH-së, ishte Edvin Rama. Shumëkush i mban mend mirë ato fjalë buçitëse, në fillim të herës, në sheshin para stadiumit “Q. Stafa”. Ky është sot njeriu që përfaqëson PS-në, të cilën e vuri në dorë me anë të këpëdarëve; ky është njeriu i ri, i ruajtur për të qenë protagonist si politikan i ri, pasi nuk iu besuan fjalët bombastike dhe ia mbathi për në rrugën e mërgimit. Dhe erdhi prej andej për ta filluar me vonesë politikën, por me mendime të reja(!). Paçka se e nxirrte demagog safi i gjithë ai rrebesh fjalësh hipokrite, tërë patos, në sheshin e hyrjes  për në stadiumin “Q. Stafa”! Tani po na mburret njeriu i mendimeve “të reja” se na paska bërë një politikë të re!
Politika e re, në emër të kësaj risie, e përçau të majtën shqiptare. Megjithëse fliste me përgjërim të shtirë për bashkim! Politika e re është po aq kameleonike, sa ajo e sheshit para hyrjes në Stadiumin “Q. Stafa”. Politika e re është ajo që bën një dyzim të përçarjes në radhët e së majtës, me nihilizmin e skajshëm ndaj qeverisjes së tanishme, suksesi i së cilës mund të përmblidhet, fare shkurt, vetëm me autostradën Shqipëri-Kosovë, përveç sukseseve të tjera të pamohueshme, të vëna në defterin e zi, i ngjasshëm me atë të “Dimrit të Madh”.  Këtë vepër nuk e shpiku qeverisja e tanishme. Madje e përmendën (vetëm e përmendën) për efekte mburrjeje pa bereqet, ata të tetëvjeçarit dështak.  Por ishte kjo qeveri që e realizoi, paçka se kërkonte fonde të shumëfishta për nivelin europian të punimeve, për tunelet që opozita e tanishme as i kishte marrë me mend ndonjëherë, për  kohën rekord të përfundimit të punimeve. Orvatjet majtiste për të bërë një karikaturë të zbehtë të kësaj rruge madhështore nisën me kohën e qeverisjes tetëvjeçare. Por ishte, si kurdoherë, vetëm një propagandë e radhës. Se as që filluan punimet, paçka se fondet u mbodhën, por s’dihet ç’u bënë! Një rrugë të tillë opozita e tanishme nuk do ta bënte dot, édhe po të hamendësohej se do të kishte në dispozicion edhe dy tetëvjeçarë! Arsyeja ishte e thjeshtë: Se nuk mund të mblidhte dot fondet, për shkak të korrupsionit galopant, që u bë njëri nga shkaqet thelbësore të dorëzimit të pushtetit.
Edvin Rama do të dëshironte të mos mbaronte kurrë kjo autostradë e nivelit mbiballkanik, supereuropian, që është bërë si shkallë krahasimi ndërmjet suksesit dhe dështimit. (“Një byrek që s’është për mua, le të digjet në furrë!” – është maksima e egoistit). Kjo autostradë është një pasqyrë e pathyeshme suksesi të njëmendtë. Reflektimi i dritës nga kjo pasqyrë e verbon Edvinin, që ka vënë në kor të gjithë lakenjtë e tij që të flasin për dështime të hamendësuara; e të buçasin me zëra çjerrës (si ai Lej Feni i ngjirur, me zë gërvishtës, Erion Braçja, që ulërin për korrupsion, për korrupsion, për korrupsion...,  i cili i është ngjitur në gjuhë, si një shirit magnetofoni ). Njëri ndër analistët e “55-s”, F. Zeneli, ka shkruar: “Akuza kryesore e dosjes për “Rrugën Durrës-Kukës” është “shpërdorim detyre për shkelje të barazisë në tendera”, kur dihet që për këtij lloj investimi nuk është bërë tender, por është aplikuar një metodë tjetër europiane investimi, me kosto faktike për njësi punimi, e aprovuar édhe nga Banka Botërore”. Në vend që t’u përgjigjen këtyre argumenteve, nihilistët tanë kanë marrë urdhër partie që t’ua ngarkojnë të tjerëve atë fjalë të hidhur për të cilën humbën pushtetin: Korrupsion! Urdhërdhënësi është njeriu i ri enverist, njeriu i apoteozës së E.H.-s në Pezë, njeriu i politikës së re (që është bërë qesharake), Edvin Rama. Urdhërmarrës janë nja tre prokurorë që i shpëtuan përgjegjësisë politike për zellin enverist të vnies në zbatim të politikës së luftës së klasave në politikën juridike sipas porosive të Vishinskit, për dënimin e njerëzve të pafajshëm në kohën e diktaturës. Duhet t’i kthejnë reston PS-së që bëri çmos t’ua mbulonte mëkatet, në synimin për ruajtjen fanatike të kontingjenteve të krimit, elementët e të cilëve u grumbulluan pranë saj, si zogjtë e korbit, te nëna-korb!
Lulzim Basha argumentoi se nuk mund të vidheshin fondet, sepse u ngarkuan dy supervizorë, të dy kompanive nga më prestigjiozet në kontinentin tonë, që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, që të shqyrtonin me kandarin e farmacistit në dorë, sesi bëheshin shpenzimet për këtë investim. – “Po shpenzimet janë të mëdha”. - Sigurisht, se nuk po bëhen kotecë pulash, - themi ne. “Ajo aortë e gjerë është ndërtuar kryesisht me fonde të brendshme”, - është shprehur në Parlament deputeti i PD-së, Gjokë Vuksani. Fjala e tij është botuar në “55-n”, me titullin  “Urithët e rrugës së Kosovës”: “Meqë përmendëm ministrin Basha, duhet të shtojmë se opozitarët tanë tendenciozë janë të prirur në mënyrë patologjike që të mësyjnë bash ata më të suksesshmit, siç është ministri që cilësuam. Ministri Basha do të mbetet në historinë më krenare të qeverisjes demokratike, me përkushtimin, zotësinë dhe me aftësinë e tij. Pa dyshim edhe me kombëtarizmin e tij, me dashurinë e pafundme ndaj Kosovës së vuajtur, duke qenë i denjë për atë kontribut të pallogaritshëm që ka dhënë ndaj një rrënje të fortë trashëgimie dhe dashurie, që e lidh me shpirt e me zemër me këtë popull të papërkulur shqiptar. Nga këta prokurorë, që e meritojnë cilësimin “Dosjet e prokurorëve me dosje”, afati kohor për të nxjerrë “korrupsionin”  e përfytyruar nga nihilistët tanë nën diktat, ka qenë më se i mjaftueshëm. Përse nuk doli korrupsioni? Ç’tregon ngjarja faktike që vite të tëra nuk e zbuluan dot atë, nga prokurorë për të zbardhur të vërtetën? Ata ishin të ngarkuar që të nxirrnin “të vërtetën e tyre”,  ashtu siç ishin të molepsur me paragjykime dhe të instruktuar për të zbatuar  detyrën e tyre politike! Por njerëzit e sinqertë, duan të dinë me ngulm: Përse nuk u doli koha, përse?  Përse kërkojnë kohë-shtesë?! U dashkan thyer afatet kohore të hetimit.Por  a është e ligjshme kjo? Përse u desh shmangur nga gjykimi gjyqtarja Fatmira Hajdari, kur ajo u caktua në këtë detyrë konkrete me short elektronik? Duhej që ajo të shprehte detyrimisht vullnetin e tyre të kondicionuar, siç deshën ata? A mos duan ta diskreditojnë majtistët tanë fjalën korrupsion, që ka qenë simboli dhe emblema  e qeverisjes së tyre tetëvjeçare të korrupsionit e që ishte bërë fjala e ditës? Kërkojnë të mbulojnë korrupsionin e tyre që ka mbetur në dosje të cilat i ka zënë pluhuri për efekt të plogështisë së Theodhori Sollakut, pluhur i pashkundur ende as prej kryeprokurores së re? A mund të shndërrohet korrupsioni makroskopik i tetëvjeçarit të qeverisjes socialiste në një fabulë, sa për të bërë pakës humor? Apo është e vërtetë, ajo e shkruara e zezë në të bardhë se “s’ka si bëhet hetim profesional nga një ish-prokuror politik, i vendosur deri ne vdekje për ta lënë “të përmbysur” klasën e demokratëve edhe tani në pluralizëm”?” - “Urithët” e Rrugës së Kosovës
*
Do të dëshiroja ta përfundoja këtë shkrim, me një përmbledhje të fjalës së mbajtur nga deputeti i Mamurrasit në seancën e pardjeshme plenare të Kuvendit të Shqipërisë:“Gjatë ketyre 3 viteve, rruga Durrës-Kukës-Morinë ka qenë kali i betejës së PS-së, ashtu siç mund ta shikojë shumëkush, si veprën më të madhe të Qeverisë. Që në fillesat e ndërtimit të saj, përfaqësues seriozë ose jo të PS-së, kundërshtuan projektin, vlerën e rrugës, efektivitetin e saj dhe mundësinë e ndërtimit te saj me fonde te Qeverisë.Edhe më skeptikët kanë filluar ta kuptojnë se ajo do te perfundojë në Qeshor të 2009-s.... Rruga po përfundon. Ajo është ndërtuar nga Qeveria Demokratike, kryesisht me fonde te brendshme. Është vërtet një aortë e gjerë dhe e madhërishme. Por acarimi i armiqve te rrugës ka edhe një arsye shumë djegëse, që duhet te theksohet: afrimin e fushatës elektorale te 2009-s. Kjo vepër inxhinierike madhështore, kjo veper ekonomike e pakrahasueshme, kjo veper kombëtare largpamëse, është frika më e madhe për humbjen e PS-së në 2009-n. Pa kaluar shumë vite, baltëhedhësit e detyruar do te turpërohen për qëndrimet e tyre, madje edhe pasardhësit do ta kenë të vështirë të përmendin emrin e baballarëve te tyre, pikërisht për këtë fakt. / Para disa kohësh isha në një debat televiziv me dy përfaqësues te opozitës për problemet e Bujqësisë dhe gjysma e kohës u harxhua prej tyre duke sharë rrugën. Duket sikur është krijuar jo më “njeriu i ri”, por tipi i “Politikanit te Ri”, i politikës së re që frymëzohet nga një lider i ri i së Majtës, i cili vlerësimet i shpërndan sipas kriterit “kush flet më shumë, pa argumente dhe është kundër gjithçkaje që ndërtohet në Shqipëri, kundër shkollave te reja, ujësjellësve te rinj, rrugëve te reja, kanaleve kulluese, autostradave, qendrave shëndetësore e, sigurisht, edhe kundër “Rrugës së Kosovës”.
Kjo politikë dritëshkurtër do t’i çojë në nje humbje të sigurt në zgjedhjet e Qershorit, por “Politikanët e Tipit të Ri” do ta kenë shumë të vështirë ballafaqimin me njerëzit e Kurbinit, të Mirditës e të Kukësit. Unë sot, thjesht po u drejtohem me shprehjen e Jezu Krishtit: “Fali Zot, se s’dinë çka bajnë!”.
Demokrati trim Azem Hajdari e tha paksa ndryshe këtë shprehje biblike: “Mos i fal, o Zot, se ata e dinë mirë ç’bëjnë”! (kur mori në analizë ’97-n e tyre të kobshme).

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›