Dredhime që na rrëzojnë gjallimin
Në nisje të Shën Kollit, në këtë Shënëndre, sa u hoq mënjanë në dit-nemitje i pari i BDI-së, nisën pa mënuar dhe sazet e shtinglluara e të potershme të zvarranikëve të tij në kurt guverne, duke na qepur ca kaçkaritje të radhës, ca përralla të moçme me mbretër, që nisin me mallëngjim e trishtim dhe mbarojnë me fund të lumtur, që të kujtojë edhe njerëzia jonë se dhe fund i përrallës së gjatë me mbretër që ia thotë ky karagjoz i politikës, do mbarojë lumturisht, po nuk i shkon ndër mënt të kuptojë kjo njerëzi se kjo përrallë do t'i mbarojë liksht për shortën e së pritmes dhe për gjallimin e rrojtjen tonë! Afërmendsh, se përrallat që i stisin karagjozët e politikës si dredhime, që vjen me thënë - si marrëveshje e fshehtë për të hequr një mashtrim, kur e futin brënda tyre tërë një njerëzi, dalin përralla me mbretër me fund të liksht, të hidhur për atë njerëzi,sa të mbarojnë së thëni fjalët "përralla në shkallë…, mashtrimi del në ballë...!"
Hilerat kombiarë të dervenxhinjve/I pari që bëri zë me një të këtillë kaçkaritje, si e di njerëzia jonë radhën, ishte zëvendëskryeministri A.Ademi, dervenxhiu i Dredhisë se Ohrisë, që vjen me thënë, roja e Dredhisë dhe e përrallave që enden e thuhen për të mbuluar, për ta bërë të pakuptuar këtë dredhi dhe ua ngjet emrin, si i kanë thënë t'ua ngjesë, si "liri, barazi, lumturi…". Ky doli e tha prape njësoj si doli e tha ca muaj më parë, që zyra e tij në guvernë, që i ka shkuar tejetej 95 për qind Dredhisë së Ohrisë gjer aty kah sosja, do çelë dhe njëmijë vende të reja për administratorë për ta lumëruar djalërinë dhe vajzërinë shqiptare me të gënjyer, për të shkuar rehat e pa mërzitje Shën Kollin, si shkon pa shtjerë mërzitje një përrallë me mbretër - çapë më çapë gjersa të soset rrëfim i gjatë. Tek e thoshte këtë pranë flamurit të "vëndit" të Gruevskit, që ka vjedhur çengelat e Lunxhërisë shqiptare, kish bërë ca ngatërrime për 300 e sa sheqerkat e para për administratorë,që nisën të jepen ,po nuk i dhanë dhe janë në e sipër për t'u dhënë. U bë një zëdhënie se u dhanë për djalërinë dhe vajzërinë shqiptare, po mbaruan për ilakanë, farefisin dhe lëngstërlëngun e të parit, e të dytit dhe të tretit të BDI-së, se për "popull heroik shqiptar" ata kuptojnë farefisin dhe mëhallën e tyre se për 300 e sa vende u paraqitën 6 mijë të rinj e të reja dhe, që të mos u bëjnë hilera të gjithëve, bënë shtrembur kështu si bënë për veten dhe ilakanë e tyre..!
Përrallat tek njerëzia jonë, paratë tek njerëzi e Gruevskit - Tashti për këto një mijë vende të reja, hilerat mund të jenë më të vogla, po mashtrimi mund të dalë paksa më i gjatë, gjer në motnë e pritur në këtë kohë, se buxheti që stiset këtoditëzaj, nuk i ka vënë në hesap këto vende që hapen e thuhen si përrallë me fund dredhie, se buxheti i Gruevskit nuk merret me përrallat dhe dredhitë e Ahmetit, po merret me mëndjen e Gruevskit ku duhet t'i çojë paratë për njerëzinë e vet, që vjen me thënë si mbaron çdo përrallë - përralla tek njerëzia jonë, paratë tek njerëzie e tij..! Dhe, këtë drejtim që e ka marrë shtrembër Gruevski dhe bën tutje aty ku mbeti dhe nuk iu kujtua ta bëjë Hitleri, e ka marrë me "kompromis" me qiraxhiun Ahmeti, për të na dëftyer me gurë mbi kokën tonë se "vëndi" i tij është edhe "vëndi" i çlirimtarit Ahmeti, dhe ky "vend" nis nga Gjevgjelia përmbi Greqinë veriore që do bëhet Maqedoni Veriore me një emër bashkë edhe për Shqipërinë Juglindore, nis nga Gjevgjelia dhe vjen e arrin, për buxhetin e tij prej afro tre miliardë euro, gjer në anën e djathtë të Vardarit dhe gjithandej ku është njerëzi e tij, nëpër të cilën , në këtë muaj të Shën Kollit, doli të livadhisë me çantë buxheti në dorë dhe me projekte investimi në dorë, nga jashtë dhe nga guverna, ministri i ekonomisë i BDI-së, ministri me trup "shqiptari" dhe me mendje të shqehosur ekonomike..!
Gremisja për njerëzinë tonë, rrojtja për njerëzinë e Gruevskit - Më anë tjetër, në Shqipërinë Juglindore që e ka futur në Kushtetutë dhe në Ahd-namen e Ohrisë si Maqedoni e tërë, pa i thënë Maqedoni veriperendimore, guvernë e Gruevskit nuk do prishë buxhetin, por do prishë rrojtjen e njerëzisë sonë dhe do japë pasaporta për në kurbete e për kismet të shkretë europe kokë për kokë sa numuron djalëria dhe vajzëria jonë, që një ditë e më parë të lënë e të harrojnë vendin e të bëhen përjetë mërgimtarë,që guvernë e Gruevskit t'i shlyejë nga defteri në vend dhe t'i numurojë gabimisht edhe në mërgim dhe t'i qesë pakicë diaspore dhe të nxjerrë nga votë e tyre edhe një deputet diaspore nga dy-tri koqe mërgimtarësh të shumicës së rreme maqedonase, si ka firmosur me Gruevskin edhe "çlirimtari" Ahmeti këtu. Të bëjnë këtë me dashje të liruar, që të kenë "të drejta demokratike pa kufi" për të ardhur këtu si të shkulur me dashje të liruar e të shohin ku kanë lerë, për të bërë ndonjë dasmë dhe të kthehen, nëse duan, për të vdekur këtu..! Të bëjnë këtë si u thotë "çlirimtari", dhe të sjellin në "vend", si i thotë Ahmeti "vendit" për mall e kujtim të Enverit, dëngje me euro, për të mbushur dhe për të ribalancuar dy herë në mot buxhetin e Gruevskit, që ky të ndërtojë "vëndin" e vet nga Gjevgjelia gjer në anën e djathtë të Vardarit dhe gjithandej vetëm ku është njerëzi e tij dhe të mbajë me buxhet "nënat heroike" të njerëzisë së tij që do të lindin katër e më tepër fëmijë; që t'i vaksionojë kundër kancerit në gji vetëm vajzërinë e njerëzisë së tij ; që të ndërtojë apartamente vetëm për çiftet e rinj të njerësisë së tij; që të nderojnë ligjin që ndalon beqarinë e shtyrë dhe të mbajë "branitelat",sa të kërkojnë ata, dhe të mbajë me ca hajdutëri vetëm Ali Ahmetin me "shokët e idealit" xheptar që kanë..!!!
E liga që do vijë në Muajin e maceve - Sa kohë që Gruevski do bëjë rehat punën e ngritjes së rrojtjes së njerëzisë së tij dhe gremisjen e rrojtjes së njerëzisë sonë në mbështetje të ligjit të nxjerrë me firmë të ministrit të "çlirimtarit" Ahmeti, për aq kohë, nga ky muaj i Shën Kollit e tutje në Kollozheg e Hënarimbë dhe gjer Hënahulës, në Muajin e maceve, kur do nisë e liga e radhës, kur në firmat shqiptare do nisë shqipja të shkruhet, me forcë ligji që ka ardhur, me shkronja të sllavosura si turqishtja në kohën e Zhivkovit në Bullgari dhe në kohët e Brezhnjevit në Rusi, si asohere dhe tani në Kohën e Gruevskit dhe Ahmetit në Maqedoni, ky "çlirimtar" do bëjë të përpjekura e të lodhura duke na rrëfyer përralla të pasosura me mbretër për hyrjen e "vëndit" të tij dhe të Gruevskit në NATO dhe në EU dhe paskëtaj, kur do bëjnë dardhat në Shënëndre, do kemi "liri e barazi e lumturi "pa kufi", që vjen me thënë, sa kanë çamët dhe arvanitët në Greqi në fill të mortjes dhe të harrimit, se dhe Greqia është NATO dhe është EU; për të na mbajtur mëndjen të mpirë nga duhi e lirisë së tij rezile, të na mbajë mëndjen havadan në paqen e tij servile, që të bëhemi të mortshëm mengadalë, të rrojmë në fill të mortjes dhe pa e ndjerë këtë mortje në gjithë motet sa do qëndrojnë punët kështu, duke kujtuar "heroikisht" se ende jemi gjallë..!!!
Marrë nga e përditshmja e Tetovës “Koha”