Dekoracionet zbukurojnë qytetin e Durrësit

Festat e fundvitit kanë filluar të ndihen në Durrës prej disa ditësh falë zbukurimit të rrugëve dhe shesheve kryesore të qytetit bregdetar. Për herë të parë këtë vit rruga hyrëse e Durrësit nga ura e Dajlanit te Mauzoleu i dëshmorëve, është ndriçuar dhe zbukuruar në një gjatësi prej 2 km ndërsa për krijimin e atmosferës festive kanë kontribuar dhe institucione të tjera shtetërore dhe private.
Drejtori i Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit, Luan Zaza, tha se "në qendër të qytetit tashmë janë ndriçuar për festë fasadat e institucioneve të Prefekturës dhe Pallatit të Kulturës".
Lulishtja e shatërvanit ka marrë pamjen e një kopshti të vogël të rrethuar në mënyrë dekorative, ku do të ketë kënde të veçanta fotografimi për fëmijët e vegjël. Në fasadën e godinës së bashkisë do të ketë një ndriçim të veçantë, ndërsa në rrugën Tregtare bashkë me ndriçimin e përvitshëm dekorativ këtë vit janë zbukuruar me drita në formë yjesh dhe këmbanash edhe shtyllat në formë kolonash.
Zaza shprehet se rrugët "Skenderbej", "Taulantia" dhe "Aleksandër Goga" do të zbukurohen si çdo vit me rrjeta ndriçuese me forma dhe ngjyra të ndryshme, si dhe me zbukurime në shtyllat e ndriçimit.
Një pamje të veçantë ka marrë rruga hyrëse e Durrësit, e cila për herë të parë është ndriçuar në të gjithë gjatësinë e saj ndërkohë që në bashkëpunim me ndërmarrjen e dekorit të Tiranës gjithçka do të jetë gati të martën e kësaj jave.
Për krijimin e atmosferës festive në Durrës kanë punuar dhe drejtuesit e disa bizneseve private që i kanë dhënë Torrës antike apo shesheve para hoteleve një pamje të këndshme veçanërisht në mbrëmje. Një pemë dekorative me lartësi 12 metra është zbukuruar me shirita ndriçues nga filiali i "Raifaisen Bank" në Durrës, ndërsa Autoriteti portual ka ndricuar në mënyrë festive hyrjet 1 dhe 2 të portit detar.
...