FYROM tregon fytyrën
Cervenkovski dhe Gasparoviç
Fqinjet lindore flirtojne me Sllovakine dhe flasin ne dem te interesave shqiptare. "Pavaresia e Kosoves mbart rreziqe", thote presidenti Cervenkovski
Presidentët e IRJ të Maqedonisë dhe Sllovakisë, Branko Cërvenkovski dhe Ivan Gashparoviç, deklaruan dje se pavarësia e Kosovës sjell rreziqe. “Maqedonia i sheh rreziqet nga pavarësimi i Kosovës, por është e bindur se ka mjaft kapacitet demokratik për të zgjidhur problemin e pakicës së saj shqiptare”, tha pas takimit Cërvenkovski. Sipas agjencisë sllovake “Sita”, presidenti IRJ maqedonas u shpreh se vendi i tij nuk ka ende një qëndrim përfundimtar lidhur me njohjen e Kosovës dhe se do të ndjekë zhvillimet në BE rreth kësaj çështjeje. Por sipas tij, çdo vendim që do të merret, do të jetë në përputhje me interesat e IRJ të Maqedonisë. Nga ana tjetër, homologu i tij sllovak, Gashparoviç, tha se bie dakord me vlerësimin për rrezikun që sjell pavarësia e Kosovës, duke shtuar se Sllovakisë ndoshta do t’i duhen vite që të njohë Kosovën. Presidenti sllovak gjithashtu ka mbështetur IRJ të Maqedonisë në kontestin për emrin me Greqinë, dhe u bëri thirrje dy palëve që të merren vesh. Por ky qendrim rreth Kosovës nuk i shkon sipas linjes Bashkimit Europian. “Vendet e Ballkanit duhet të ndjekin shembullin e BE-së për njohjen e pavarësisë së Kosovës”. Ka qenë kjo deklarata e shefit të diplomacisë evropiane, Havier Solana, gjatë takimit që pati dje me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Lulëzim Bashën, në Bruksel. “Pavarësia e Kosovës është një ngjarje tepër e rëndësishme me ndikim në stabilitetin e të gjithë Ballkanit. Kam diskutuar me liderët e të gjithë shteteve të rajonit dhe u kam sugjeruar që të përcjellin shembullin e Evropës”, - tha Solana. Shqipëria është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit që ka njohur pavarësinë e Kosovës, pasi vendet e tjera ende nuk kanë marrë një qëndrim zyrtar për njohjen ose jo të shtetit të ri, duke përjashtuar këtu Serbinë, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.