Varfërim i pandalshëm
Nuk ndalet inflacioni. Rritjen më të madhe të çmimeve buka, vaji, zarzavatet dhe benzina
Jetesa e shqiptarëve vazhdon të bëhet çdo ditë e më e shtrenjtë. Muaji që lamë pas ka shënuar rritje të lartë të çmimeve, çka ka sjellë që pagat dhe pensionet të zhvlerësohen në 3.6 për qind. Pra, në krahasim me muajin janar, çmimet e produkteve ushqimore dhe të shërbimeve janë rritur me 1 për qind. Të dhënat për rritjen e çmimeve paraqiten nga Instituti i Statistikave, sipas të cilit, rritjen më të madhe e kanë shënuar grupi i zarzavateve. Në rritjen e lartë të çmimeve janë përfshirës edhe buka me 4.4 për qind, duke mos përjashtuar edhe çmimin e benzinës. Por ekspertët e Institutit të Statistikave shpjegojnë se rritja e këtyre produkteve vjen si rezultat i hendekut mes mallrave që prodhohen në vend dhe atyre që vijnë nga importi. Po ashtu, këtu ndikon edhe kursi i këmbimit, ku për gjatë muajit shkurt monedha vendase ka qenë më e dobët kundrejt monedhës evropiane, euros. Edhe kursi i këmbimit është një faktor i cili ndikon në çmimet e larta të importit. Konkretisht, duke iu referuar të dhënave të Institutit të Statistikave, Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin shkurt 2008 arriti 101.5 për qind, kundrejt muajit dhjetor 2007 (Dhjetor 07=100), duke shënuar një rritje prej 1.0 për qindësh krahasuar me muajin e kaluar. Ndryshimi vjetor në muajin shkurt është 3.6 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2.9 për qind. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një rritje prej 2.6 për qindësh, me një ndikim prej 1.0 për qindësh në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 7.6 për qindësh vërehet në nëngrupin “zarzavate, përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim rritjet e çmimeve të domateve me 33.8 për qind, kastravecëve me 14.5 për qind dhe specave me 2.5 për qind. Indeksi i nëngrupit “fruta” shënoi një rritje prej 1.9 për qindësh, ku mund të përmendim rritjet e çmimit të mandarinave me 12.2 për qind, limonëve me 6.7 për qind, kivit me 6.7 për qind, mollëve me 1.6 për qind etj. Gjatë muajit shkurt, çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupe të tjerë të këtij grupi, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet “vajra dhe yndyra” me 7.7 për qind, “bukë e drithëra” me 4.4 për qind, “qumësht, djathë e vezë” me 0.7 për qind etj. Ndërsa çmimet në nëngrupin “peshk” dhe “mish” shënuan një ulje, respektivisht 0.5 dhe 0.2 për qind. Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0.6 për qindësh, duke pasur një ndikim prej -0.03 për qindësh në totalin e ndryshimit mujor. Indeksi i grupit “Transport” shënoi një rritje prej 0.3 për qindësh, duke pasur një ndikim prej 0.02 për qindësh në totalin e ndryshimit mujor. Gjatë muajit shkurt, çmimi i naftës shënoi një ulje prej 0.2 për qindësh, ndërsa çmimi i benzinës u rrit me 0.2 për qind. Çmimet e transportit interurban shënuan një rritje prej 2.1 për qindësh, ndërsa ndryshimet në grupet e tjera variojnë nga - 0.3 për qind, në + 0.3 për qind. Rritja e çmimeve Buka 4.4 për qind Vaji 7.7 për qind Qumësht, djathë, vezë 0.6 për qind Ushqime dhe pije joalkoolike 2.6 për qind, Zarzavate, patatet 7.6 për qind Domatet 33.8 për qind Kastravecët 14.5 për qind Specat 2.5 për qind Benzina 0.2 për qind Biletat për transport 2.1 për qind INDEKSI I ÇMIMEVE TË KONSUMIT, SHKURT 2008