E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg për biznesmenin me kancer

Isuf Ukperaj kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë për shkak të gjendjes shëndetësore, Gjykata e Apelit ia refuzon, duke e lënë sërish në burg

TIRANË - Isuf Ukperaj, një nga 9 të arrestuarit e operacionit “Duart e pastra”, ku në pranga ra dhe ish-zëvendësministri i Transportit, Nikolin Jaka, rezulton të jetë i sëmurë nga kanceri. Një fakt i tillë bëri që avokati mbrojtës i tij të kërkojë revokimin e masës së sigurisë “arrest me burg” dhënë nga Gjykata e Tiranës më 17 shtator të vitit 2007. Shkalla e dytë e gjyqësorit pasi u njoh me kërkesën e mbrojtjes, vendosi të lërë në fuqi të njëjtën masë sigurie, duke lënë në burg Isuf Ukperajn, biznesmeni i akuzuar për “korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Me gjithë pretendimet e mbrojtjes, se personi nën hetim është në gjendje të rëndë shëndetësore, gjykata nuk lëshoi pe në zbutjen e masës së sigurisë, duke u bërë kështu barrierë gjithë të arrestuarve të operacionit “Duart e pastra”. Gjatë seancës së djeshme zhvilluar në Gjykatën e Apelit Tiranë, pala mbrojtëse parashtroi para trupit gjykues kërkesën për revokimin e masës së sigurisë, me arsyetimin se kanë ndryshuar kushtet e të arrestuarit, duke sjellë për pasojë edhe kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë. Sipas mbrojtjes, në cilësinë e provës para gjykatës u vunë në dispozicion rezultatet e analizave për gjendjen shëndetësore të të pandehurit, 49-vjeçarit i cili rezulton të jetë me sëmundjen e kancerit. Një fakt i tillë u pohua publikisht edhe nga avokati mbrojtës i të pandehurit, i cili tha se klienti i tij është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Pasi u njoh me pretendimin e avokatit, i cili kërkonte një masë të butë sigurie për klientin e tij, që është në gjendje të rëndë shëndetësore, gjykata vendosi të lërë sërish në qeli 49-vjeçarit të arrestuar në shtator të vitit të kaluar. Edhe pse kanë kërkuar disa herë ndryshimin e masës së sigurisë, askush nga 9 të arrestuarit e operacionit “Duart e pastra” nuk e ka përfituar një gjë të tillë, përfshi këtu dhe ish-zëvendësministrin e Transporteve, Nikolin Jakën, që ofroi 150 mijë euro garanci pasurore në këmbim të lirisë. Jo vetëm kaq, por një muaj më parë prokuroria kërkoi nga gjykata zgjatjen e periudhës së hetimit edhe një muaj për personin nën hetim, Nikolin Jaka, me pretendimin se duhet të kryhen ende disa veprime hetimore në dosje. Tashmë që koha për mbylljen e hetimeve shtrëngon, burime nga akuza thanë se brenda datës 20 të këtij muaji, dosja do të dërgohet në gjykatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›