Në fund të majit Partizani pret lajme pozitive nga Mbrojtja
Administratori Gjergji Thaka ka qenë dje në Ministrinë e Mbrojtjes, ku ka bërë ekspozenë e tanishme dhe ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme
Është thënë prej ditësh se Partizani, pas përfundimit të finales së Kategorisë së Dytë me Tërbunin, e ka mbaruar misionin e tij dhe shumë pikëpyetje janë vënë mbi të ardhmen e tij. Partizani nuk mund të funksionojë si në edicionin e fundit, kështu që dje administratori i të kuqve, Gjergji Thaka, ka shkuar në Ministrinë e Mbrojtjes, ku ka bërë një ekspoze të situatës.
Administratori Thaka është takuar me këshilltarin e Ministrit të Mbrojtjes, Mentor Beqja, person që është marrë me Partizanin gjatë gjithë sezonit. Gjergji Thaka i ka bërë të ditur këshilltarit se Partizani i Kategorisë së Parë nuk mund të funksionojë ashtu siç u veprua në të dytën, pasi kërkesat janë më të larta dhe kërkohet një financim shumë herë më i madh.
Por, para se të shkohet te financat, administratori Thaka ka kërkuar që së pari duhet zgjidhur problemi i licensimit, pasi federata e ka bërë të qartë se Partizani nuk do të tolerohet si një vit më parë. Mësohet se administratori Thaka i ka bërë të ditur se, me grupin që përfundoi misionin në Kategorinë e Dytë, nuk mund të ketë sukses në të parën, pasi kjo kategori është më e fortë dhe konkurruese.
Pra, nëse kërkohet që Partizani të ngjitet sa më shpejt në elitë, duhet që puna të nisë sa më shpejt dhe të bëhet një merkato cilësore, në mënyrë që tranzicioni i kuq të marrë fund. Mësohet se këshilltari Beqja është shprehur optimist dhe thuhet se deri në fund të këtij muaj për Partizanin priten lajme pozitive, madje është lënë një tjetër takim mes palëve. Me shumë gjasa me 1 qershor për Partizanin do të ketë një udhërrëfyes për sezonin e ri.
Këtë gjë e pohon edhe vetë administratori Gjergji Thaka: Dje kam biseduar me zotin Beqja dhe i kam bërë një rezyme të përgjithshme të situatës në skuadër. Problemet e Partizanit dihen nga të gjithë dhe këto gjëra ia kam bërë të ditur dhe vetë këshilltarit të ministrit. Nga këshilltari kam marrë sinjale pozitive dhe shpresoj që në takim tjetër, që pritet të jetë javën e ardhshme të kemi ndonjë rezultat konkret. Këshilltari më ka garantuar se situata është optimiste. Kaq mund tiu them për momentin.
