Baçi: Ne Fier qytetarët në radhë të gjata për të bërë testin e COVID

Ish- deputeti i PD Luan Baci ka denoncuar sot defekti në laboratorin e Poliklinikës, duke e konsideruar si situatë kaotike në Fier, ndërsa thekson se qytetarët janë në radhë të gjata për të bërë testin e COVID-19.
“Janë me dhjetëra familje, me të gjithë pjesëtarët e tyre të infektuar dhe të pa identifikuar të pa regjistruar askund, askush nuk interesohet për ta.Marrin mjekimin vetë, duke telefonuar mjek me njohje personale, në të shumtën e rasteve, jo mjek infeksionist. Kurohen në shtëpi, duke paguar infermierë shumë shtrenjtë për injeksionet. I blejnë ilaçet vete, ata që munden, pjesa dërmuese nuk ka mundësi dhe pinë vetëm paracetamol dhe çaj”, tha ai.
Po ashtu, Baci shton se janë me qindra ata që e dinë që janë me Covid, por lëvizin lirshëm nëpër qytet, pa u mjekuar dhe aq më tepër pa u karantinuar.
“Mësues që detyrohen të venë në mësim, edhe kur njoftojnë se janë të infektuar. Vdekje pacientesh, qytetare Fierak me Covid që i njohim mirë dhe nuk raportohen si të tillë. Prej një jave dyndje qytetarësh në poliklinikën e Fierit! Për shkak të një difekti në laboratorin e analizave mjekësore kryhet vetëm një numër i ulët i diagnostikimeve, ndërkohe që numri i qytetareve që presin në radhe është me dhjetëra çdo ditë”, tha ai