E Shtunë, 31 Tetor 2026

Badiblideri Marin Meksi: “Zgjodha muskujt”

Dash Frashëri
"Kë vlerësoj më shumë midis badibildingut dhe studentit? Të dy, unë nuk jam i ndarë në dy pjesë, por i bashkuar në një". Marin Meksi, kampion Kombëtar për Junior (nën 21-vjec) në badibilding, e ndien veten të dyzuar. "Është njësoj si në shtëpinë time, kur mbi tavolinë kam librat dhe poshtë saj janë hekurat", - thotë Meksi për "Albania-sport.com". Një bashkëjetesë që ka nisur qysh kur ishte në moshën 16 vjec, kur ndjeu poshtë lëkurës se mund të ndërtonte një masë muskuloze dhe donte të ishte një Arnold Shvarzeneger në miniaturë. "Shvarzeneger është idhulli i të gjithë të rinjve në botë". Djali i shkrimtares dhe përkthyeses së njohur Mira Meksi, student i Juridikut në vitin e fundit të Fakultetit të Drejtësisë "Luarasi", sot 22 vjec, nuk e fsheh se adrenalina e nxit të stërvitet edhe natën, atëherë kur të tjerët në shtëpinë e tij janë në kulmin e gjumit... * * * Marin, tashmë je një badibilder i njohur në Shqipëri, një kampion kombëtar në kategorinë e Seniorëve. Si i lindi dëshira djalit të një shkrimtareje të njohur për t'u marrë me badibilding dhe jo me me poezi? Kam gjashtë-shtatë vjet që kam nisur aventurën në sportin e badibildingut, qysh kur isha 15-vjec. Si cdo i ri, edhe unë fillova me frekuentimin e palestrave të fitnesit dhe më pas vendosa të mos e lija në mes të rrugës përgatitjen time fizike dhe të merresha me badibilding të pastër, duke mos e konsideruar më një hobi, por një profesion edhe pse ky është një sport. Fillesat ishin modeste. Tashmë e ndiej veten profesionist dhe kam mundësi të eci përpara në këtë sport që ka vetëm një traditë pak më shumë se dhjetëvjecare në Shqipëri. Idhujt e mi janë të shumtë, fillojnë nga Stiv Rives, vazhdojnë me Arnold Shvarcenegerin dhe tashmë është Xhej Katler, një kampion absolut. Si arrin t'i ndërtojë muskujt një badibilder? Dëshiroj të theksoj së pari një gjë. Badibildingu nuk është një sport si futbolli, volejbolli apo dicka tjetër, që të mjafton talenti për të shkëlqyer, përpos edhe përgatitjes fizike. Badibildingu është një sport që kërkon një regjim të fortë, absolutisht të ashpër dhe aspak neglizhues. Kërkon një kronometrim të regjimit të gjumit (9-10 orë në ditë), dietës dhe stërvitjes. Ushtrimet ndahen në aerobike dhe anaerobike, që do të thotë se ka ushtrime force, por dhe vrapimi, apo jo. Do të them se ka një dallim midis një njeriu që merret me fitnes dhe një tjetri që merret me badibilding. Sa orë në ditë i duhen një badibilderi për ta mbajtur trupin në formën që ne shohim gjatë aktiviteteve? Fillimisht jam stërvitur edhe 3 deri në 4 orë në ditë, duke i masakruar pa mëshirë muskujt e mi: me shtanga, hekura, susta. Sa vjen dhe bëhesh më profesional, muskujt kanë marrë formë dhe ulet natyrshëm edhe orari i stërvitjes në 1 apo 2 orë. Të kuptohemi, ne nuk jemi supermenë, që kanë masë të madhe trupore dhe janë shumë të fuqishëm, ne përpiqemi të ndërtojmë muskujt shpejt dhe t'i zbukurojmë ato, nëse do të përdorja një figurë. Cilësorë në Shqipëri nuk kanë qenë më shumë se tre-katër. Dieta është një faktor thelbësor... Dieta është shumë rigoroze dhe do ta konsideroja aq drastike, sa do të na kishin zili edhe top-modelet më të paguara në botë. Në fund të fundit, ne jemi modele mashkullore të një bukurie tjetër. Të gjitha kombinimet midis dietës ushqimore, regjimit sportiv dhe stërvitjes janë në funksion të muskujve dhe drejt një badibilderi profesionist. Dieta kërkon ekuilibrimin e karbohidrateve dhe yndyrës, për të cilat duhet të jesh një "doktor" i vetes dhe një gladiator për ta mbajtur ashtu sic kërkohet. Titujt janë dhe krenaria e një sportisti. Cili është bilanci i Meksit? Për të qenë i sinqertë me të gjithë, janë ato që e bëjnë një sportist të dallohet mbi mesatarët. Vitin e kaluar dola nënkampion i vendit, ndërsa gjatë këtij viti u shpalla kampion kombëtar në kategorinë dhe peshën time. Për efekt të mospjesëmarrjes së madhe të sportistëve, pasi edhe për këtë ka kritere të përcaktuara qartë, grupet e sportistëve u ndanë sipas moshave: në Junior (nën 21 vjec), Senior (nën 40 vjec) dhe Master (mbi 40 vjec). Kompeticionet ndërkombëtare janë dhe ballafaqimi real i sportistëve shqiptarë të cdo lloj sporti e disipline sportive. Marini, sa konkurrues është në Europë? Është e vërtetë. Në Kampionatin Ballkanik të Shkupit arrita të hyj deri në finale, ndërsa në Kampionatin Europian të organizuar në Tjumen të Rusisë, një nga kompeticionet më të rëndësishme në rang kontinental, me pjesëmarrjen e badibildërve më të mirë nga e gjithë Europa, arrita të hyja deri në gjysmëfinale, ku morën pjesë 11 më të mirët nga 150 sportistë që e nisën garën. Dua të theksoj se isha i vetmi badibilder nga Shqipëria. Para pak ditësh kam lexuar në gazetën gjermane "Bild" historinë e një femre 40-vjecare që merrej me badibilding. A ka në Shqipëri femra që merren me këtë sport? Për fat të keq, jo. Ka një paragjykim për këtë. Gjatë kampionatit të këtij viti e futëm elementin femër në ekzibicion. Janë vetëm dy sportiste që janë në nivel të lartë, por edhe atyre u duket se nuk është shumë feminil ky sport. Ajo që ne bëjmë apel është tërheqja e femrave fitnes, me një gjatësi mesatare, por me trup të tonifikuar, me muskuj barku, etj. Pra, ideja e një modeleje sportive. Sa konkurrues është badibildingu shqiptar në raport me ato të vendeve fqinje? Badibildingu në Shqipëri është relativisht një sport i ri, ndërsa në Ballkan, sidomos në Greqi, Bullgari e Rumani, është shumë më i vjetër dhe i përhapur. Kulmin në rang botëror e kanë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, që kanë kapacitete shumë të larta të badibildingut. Edhe Republikat Balltike, si Letonia, Lituania dhe Estonia, e kanë të zhvilluar shumë këtë sport. Dieta ideale -"Është kombinimi ideal midis karbohidrateve dhe proteinave. Ushqimi parësor janë orizi, patatja. Fibrat merren nga buka integrale dhe tërshëra. Yndyrnat merren nga vaji i peshkut, ndërsa proteinat nga filetot e pulës dhe peshku ton. Nuk përjashtohet mishi. Duke bërë balancimin e tyre, shkrihet më pas dhjami dhe del muskuli i pastër". Sport luksi- "Shtëpia ime ka vetëm libra dhe hekura, dy ekstreme që kanë të bëjnë me letërsinë dhe sportin. Stërvitjen e bëj zakonisht në palestër, por jo pak herë ndodh që më shkrep në mendje për të bërë stërvitje edhe gjatë natës, kur në shtëpi të gjithë flenë. Dua të theksoj se badibildingu është një sport i kushtueshëm, një sport luksi, pasi kërkon financë të madhe". Si vlerësohet fituesi- Juria është shumë speciale dhe përbëhet nga profesionistë. Vlerësohet më shumë ai që ka masën më të madhe muskulore, ka harmoni të muskujve, definicion më të mirë, vaskularitet të damarëve, sa më shumë të ketë, aq më shumë pikë merr. Trupi gjykohet në dy gjysma: busti dhe kofshët. Janë gjashtë pozat kryesore që bën një badibilding. 60 badibilderë në Shqipëri -Numri i sportistëve që merren me badibilding në Shqipëri sa vjen e shtohet. "Kjo edhe për faktin se ne shqiptarët kemi një gjenetikë natyrore", - sqaron Meksi. "Ne konsiderohemi mezomorf, që do të thotë se jemi robustë, me kraharor të gjerë, edhe pse nuk jemi shumë të gjatë". Gjashtë më të mirët- Aktualisht janë më shumë se 60 sportistë që garojnë. "Sportistë cilësorë janë pesë-gjashtë të tillë", - thekson Meksi. "Rando Kukeli, Orion Minga, Orkez Prushi, të tre nga Tirana, tepelenasi Sokol Mati dhe cërrikasi Gramoz Beshiri janë dhe më të mirët, duke shtuar edhe veten". Badibilderët e diasporës- Në Europë dhe më gjerë janë të njohur disa badibilderë. Kosova ka shumë të tillë, - pohon Meksi. "Madje, ata vijnë dhe garojnë në Shqipëri. Mund të përmend dy sportistë shumë cilësorë si Esat Latën dhe Flamur Rexhën. Lata konsiderohet edhe një nga profesionistët në këtë sport", - thotë Meksi. Muskujt - "Baza e badibildingut janë muskujt dhe është bukuria e tyre që vlerësohet. Sa më shumë muskuj të zhvilluar të kesh, aq më tërheqës dukesh. Vlerësimi gjithmonë bëhet në bazë të tyre". Skalitja - "Badibilderat janë të fuqishëm, por si vecori kanë skalitjen e trupit dhe nuk kanë të bëjnë me peshën trupore. Badibildingu ndahet në tri faza: masa, shkrirja e dhjamit dhe tharja e ujërave" Tharja - "Pasi ushqehesh bollshëm e bëhesh mbi 100 kg, atëhere fillon fazën e tharjes së ujërave në trup në atë masë, sa lëkura duket një fletë e hollë celofani, ndërsa muskujt shfaqen plotësisht" Supermenët - "Janë njerëz që e kanë pasion sportin, por nuk mund të performojnë dot si badibilder dhe e kanalizojnë fuqinë e tyre në sporte të vecanta. Ata mund të ngrenë pesha të mëdha, gurë apo trarë". Thashethemet - "Duke qenë fizikisht më të fuqishëm se njerëzit normalë, është e natyrshme që të lindin edhe thashethemet dhe të paragjykohemi edhe për ndonjë veprim normal" Rreziqet -"Ndërhyrja për të shpëtuar dikë në rrezik apo për të ndaluar keqbërësit ka të bëjë me karakterin individual të sportistit. Unë do ta bëja një gjë të tillë" Kampionati Ballkanik Marin Meksi përfaqësoi Shqipërinë në Kampionatin e 16-të Ballkanik të Badibildingut, Fitnesit dhe Badi-fitnesit, të zhvilluar në datat 27-29 prill 2007 në Shkup të Maqedonisë. Përvec Meksit, i cili garoi për kategorinë "Juniors" mbi 75 kg, nga Shqipëria u përfaqësuan edhe gjirokastriti Nikollaq Muco ("Masters", kategoria mbi 40 vjec), tepelenasi Sokol Mati, në kategorinë "Master" (deri në peshën 85 kg) dhe Kujtim Pershpallaj në peshën deri 80 kg. Nga shtatë vende pjesëmarrëse, Shqipëria u rendit e pesta, duke lënë pas Bosnjë-Hercegovinën (6) dhe Malin e Zi (7). Vendin e parë e zuri Rumania e më pas Serbia (2), Bullgaria (3) dhe Maqedonia (4). Kampionati Europian Kampionati Europian i Juniorëve dhe Masterve të Badibildingut u zhvillua në Tjumen të Rusisë, nga 15 deri më 19 qershor të vitit 2007. Në kategorinë e "Junior" mbi 75 kg, përvec Marin Meksit (garoi me numrin 66), njëherësh edhe badibilderi i vetëm shqiptar në këtë kampionat, morën pjesë badibilderë të njohur si Leskuov, Basarov, Dirun (të tre nga Rusia), Havrishuk (Ukrainë), Blashek (Austri), Motanov (Lituani), Stals (Lituani), Menda, Smutek (të dy nga Cekia) dhe Ziolokovski nga Polonia. Në këtë kampionat, Marini arriti deri në gjysmëfinale duke qenë ndër 11 më të mirët, midis 150 konkurrentëve. Pesë të parët kaluan edhe në finale: Lesukov, Havryshuk, Basarov, Dirun dhe Blashek. Aktiviteti i parë Aktiviteti i parë i badibildingut është zhvilluar në vitin 1993 në një nga studiot e Televizionit Publik Shqiptar. "Është organizuar në studion e doktor Flamur Topit derisa të shndërrohet në një kampionat të mirëfilltë". Pas krijimit të Shoqatës Shqiptare të Badibildingut në vitin 1994, u krijua edhe federata në vitin 1996. Pas një pauze gati gjashtëvjecare, në vitin 2003 u riorganizua sërish edhe me kthimin e sportistëve cilësorë, ku vazhdon edhe tradita e saj. Ne jemi brezi i dytë i badibildërve. Nga Shvarceneger te Katler Badibildingu është procesi i rritjes maksimale të muskujve përmes kombinimit të trajnimit me pesha të rënda, kalorive të mjaftueshme dhe gjithckaje tjetër që lidhet me stërvitjen e sportistëve. Badibilderët tregojnë fizikun e tyre në një panel të përbërë nga gjyqtarë, që vendosin për dhënien e pikëve në bazë të paraqitjes estetike të sportistëve. Muskujt e badibildërve janë të lyera me vaj dhe nën efektin e lojës së dritave ato bëjnë dallimin e grupit të muskujve. Badibilderët më të famshëm janë Arnold Shvarceneger, Dorian Yates, Lou Ferigno, Franko Kolumbu, Frank Zane, Li Hanej, Ronie Koleman dhe Xhej Katler. "Vitet e hershme" të Bodibildingut konsiderohet periudha 1880 deri në vitin 1930. Babai i badibildingut modern konsiderohet një prusian (perandoria e dikurshme gjermane) i quajtur Eugen Sandou, në fund të shekullit XIX. Ai vlerësohet edhe si pionieri i këtij sporti, pasi ai lejonte publikun të shijonte shfaqjet e tij të muskujve. Sandou u bë shumë popullor me shfaqjet e tij dhe arriti ta kthejë në biznes famën e tij, madje krijoi edhe pajisjet e para të ushtrimeve duke u vendosur atyre si markë emrin e tij. Sandou njihej për fizikun e tij perfekt, ndërsa ai e quante veten e tij si një kopje të statujave antike greke dhe romake. Gara e parë e badibildingut u organizua më 14 shtator 1901 në "Royal Albert Hall" në Londër dhe u quajt "Great Competetion" (Kompeticioni i madh) dhe në të morën pjesë Eugen Sadou, Carls Levis dhe Artur Dojl. Statuja prej bronzi, e cila iu dha fituesit, paraqiste një skulpturë të Sandout të realizuar nga Frederik Pomeroi. Festivali më prestigjioz i badibildingut sot është "Mr.Olympia". Më 16 janar 1904, në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara, u mbajt kompeticioni i parë i madh. Fituesi ishte Al Treloar i cili u deklarua si "Burri me trupin më perfekt të zhvilluar në botë" duke fituar edhe një shumë prej 1000 dollarësh, një sasi parash të rëndësishme për atë kohë. Badibilderë të famshëm janë edhe Irl Liderman, një shkrues i disa librave instruktues për badibildingun, Seigmund Brejtbart (cifut), Maksik (një pionier i artit të pozimit), por dhe Alan Mid, i cili u bë një kampion i madh i sportit të muskujve edhe pse kishte humbur një këmbë në Luftën e Parë Botërore.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›