E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bariç: Do të fitojmë me Bjellorusinë

Bledar KUKA
Ndonëse nuk e quan veten "optimist tipik kroat", Oto Baric është i bindur se Shqipëria do të marrë 3 pikët ndaj Bjellorusisë në Euro 2008. Trajneri kroat i shqiptarëve nuk do të jetë në stol më 17 nëntor, pasi UEFA e ka pezulluar për 3 ndeshje, megjithatë ai është optimist. "Ndihmësi im, Sllavko Kovacic, kupton shumë mirë cdo mendim timin, - tha trajneri me përvojë për "Vecernji Listin", - me të nuk do të ketë asnjë problem dhe jam i bindur se do ta fitojmë atë ndeshje (ndaj Bjellorusisë) 99 herë "Oto Nacionale" Gazeta kroate informon se takimi ndaj Bjellorusëve, në kuadër të grupit G eleminator, do të jetë i 99-ti në karrierën e Herr Otos si trajner i një skuadre përfaqësuese. Pra 99 herë "Oto Nacionale" për njeriun që quhet edhe "Oto Maksimale", ndër të cilat 14 i ka si trajner i Shqipërisë. Kuptohet, "Vecernji" nuk harron të theksojë se këtë herë Baric do të jetë në tribunë, duke drejtuar takimin me aparatin celular (mobitelin), por nuk do të mund të "fshihet" me tifozëve, sepse Shqipëria do ta luajë ndeshjen pa tifozë (në fakt duhet pritur apeli i FSHF-së). "Pres ulje dënimi" 75-vjecari ka besim se UEFA do ta pranojë apelimin e bërë nga vetë ai lidhur me dënimin e tij prej 3 ndeshjes, pas përjashtimit me karton të kuq në takimin ndaj Bullgarisë më 18 tetor në "Qemal Stafa". "Kam bërë ankesë në UEFA për dënimin, - sqaron vetë ai, - shpresoj që të ma shkurtojnë dënimin të paktën një ndeshje, në mënyrë që të jem i pastër për eleminatoret e ardhshme (Botërori 2010)". Oto, këshilltar i Dinamos "Vecernji" njofton se Baric, ndonëse e zgjati kontratën me FSHF-në, nuk hoqi dorë nga roli jozyrtar i këshilltarit të Dinamos së Zagrebit. Gazetari kroat, që foli me të, ishte shumë i interesuar që specialisti me përvojë të jepte mendimin e tij për ndeshjen që Dinamo do luajë ndaj Bazelit zviceran nesër në Kupën UEFA. "Do të jem në stadium të enjten", - shprehet Barici. Ai shton se nuk ka arritur ende të takojë bashkëpresidentin e Dinamos, Mamiqin, pasi refuzoi të ishte kryeskaut i klubit. "Ende nuk jam takuar me Mamiqin, - vazhdon ai, - madje as nuk mund t'i ndihmoj shumë Dinamos për këtë ndeshje, sepse kam detyrën të përgatis dy ndeshjet e radhës për Shqipërinë. Sidoqoftë, mund të them se pres një Bazel ambicioz që do të kërkojë të shënojë gol. Nuk do të luajnë bunker, sepse nuk kanë atë stil loje. E përsëris ama që nuk mund t'i jap asnjë thërrime ndihmë trajnerit Ivankoviq për këtë ndeshje". "Bllazhevic, optimist kroat" Barici e ka gati një batutë për rivalin e tij të përjetshëm, Mirosllav "Ciro" Bllazhevic. Atij i thonë se "Bllazhevici ka parashikuar fitore 4-0 të Dinamos ndaj Bazelit". "Ciro është optimist kroat klasik, - komenton "shqiptari", - edhe po të luante Kroacia me Argjentinën, ai do të thoshte se kroatët do fitonin 3-0. Unë jam më realist, por do të më pëlqente që Ciro t'i ketë rënë në kokë rezultatit". Një shqiptar i zë vendin Hykës te Dinamo Quhet Anas Sharbini, është me origjinë shqiptare dhe luan për Rijekën në kampionatin kroat. Dinamo e Zagrebit e ka piketuar si pasardhës të Luka Modriqit, në momentin që ky do të largohet për në Perëndim. Vetë Baric duket se "e ka tradhëtuar" Jahmir Hykën, që e kishte sugjeruar si pasues te kapitenit dinamovit. "Mendoj se Anas Sharbini mund të bëhet Luka i ri dhe te Dinamo këtë e dinë shumë mirë", - është shprehur Herr Oto.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›