E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajden: “Kosova e pandashme, pavarësia e pakthyeshme”



Blerina Olldashi
Zëvendëspresidenti amerikan Xho Bajden siguroi Kosovën se pavarësia është e pakthyeshme dhe nuk vendi nuk do të ndahet pasi qëllimi i SHBA-ve të ndihmojë dhe përkrahë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u integruar në Bashkimin Europian. Në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, Bajden rikonfirmoi se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë një stabilitet dhe zhvillim të mëtejshëm të shtetit të ri. Numri dy i Shtëpisë së Bardhë këshilloi autoritetet e vendit për të vijuar përpara me planin Ahtisari duke iu dhënë pushtet komunal komuniteteve entike. “Duhet të bëni shumë më tepër që të ketë struktura shumetnike në polici, doganë dhe institucione”,- u shpreh Bajden. Zëvendëspresidenti kërkoi fuqizimin e shtetit ligjor, ndërkohë që siguroi edhe njëherë mbështetjen e SHBA-ve. Bajden theksoi se inkurajon serbët të marrin pjesë ne strukturat e Kosovës dhe të mos krijojnë institucione paralele, ndërsa premtoi edhe një herë se nuk ka asnjë shans për ndarjen e vendit. Zëvendëspresidenti amerikan përshëndeti Arabinë Saudite për njohjen e Kosovës dhe u bëri thirrje shteteve të tjera ta njohin atë sa më shpjet. “Jemi të kënaqur që Arabia Saudite njohu Kosovën dhe shpresojmë që dhe vende të tjera të pranojnë të njohin pavarësinë”- theksoi Bajden. Ndërkohë kryeministri Hashim Thaçi, në konferencën e përbashkët me Bajden dhe presidentin Fatmir Sejdiu garantoi në emër të qeverisë se do të punohet fort për një Kosovë të fortë. “Ne i dhamë zotimin Bajdenit për një qeverisje të mirë, se do të angazhohemi për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, forcimin e ekonomisë dhe do të ndërtojmë një Kosovë vizionare e të fortë”,- tha Thaçi duke shtuar ashtu si Sejdiu se vizita e Bajden është historike për shtetin e Kosovës dhe popullin e saj. Presidenti Sejdiu në konferencën për shtyp tha se kjo ishte një ditë historike. Më pas ai vlerësoi mbështetjen e SHBA-ve ndaj Kosovës. “Nga zemra them, Zoti e bekoftë Amerikën”-, tha presidenti Sejdiu. Bajden mbërriti në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës në orën 09.41 minuta.
Nxënës të shkollës amerikane në Prishtinës kanë dalë për ta pritur Bajden me flamuj amerikanë e kosovarë në duar, disa të veshur me kostume tradicionale shqiptare. Delegacioni i pritjes përbëhej nga ambasadorja amerikanë në Kosovë, ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni dhe dy zonjat e krerëve më të lartë të shtetit, Zonja Sejdiu e Thaçi.

Hyseni: “Serbia do ta njohë Kosovën brenda 10 viteve”

Ministri i Jashtëm, Skender Hyseni në një konferencë rajonale për Ballkanin Perëndimor në Slloveni tha se Serbia pritet që ta njohë të njohë Kosovën brenda 10 viteve. “Pres që prillin e ardhshëm të kemi një vendim të gjykatës së Hagës. Ne besojmë plotësisht në drejtësinë e GJND-së”,- ka thënë Hyseni. Ai tha gjithashtu se Kosova pret të përfshihet në planin e liberalizimit të vizave të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor. “Jam i bindur se të gjitha vendet e BE-së, herët a vonë do ta njohin Kosovën, por njohja nuk duhet të lidhet apo kushtëzohet liberalizimin e vizave sepse flasim për lirinë e lëvizjes”,- ka thënë ai. Hyseni gjithashtu shprehu mendimin se Serbia do ta njohë Kosovën brenda 10 viteve. “Për 10 vjet, me siguri Serbia do ta ketë njohur Kosovën, sepse nuk shoh se si mund t’i bashkangjitet Bashkimit Europian pa e njohur atë. Jam i sigurt se BE-ja nuk do të marrë mbi vete një problem aq të madh”,- ka thënë Hyseni.

22 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›