Server: “Serbia nuk do të jetë pjesë e BE-së pa njohur Kosovën”
Daniel Server, eksperti për Ballkanin nga Instituti Amerikan i Paqes në Uashington, ka deklaruar se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së pa njohur më parë pavarësinë e Kosovës. “Anëtarësimi i Serbisë në BE nuk është i mundshëm derisa Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës”,- tha Server. Sipas tij, e ardhmja e Serbisë në BE do të varet nga zgjidhja e problemit të Kosovës. “22 vende të BE-së e kanë njohur Kosovën, prandaj edhe nëse të gjitha vendet e Bashkimit e pranojnë anëtarësimin e Serbisë, ndërkaq një e refuzon atë, Serbia nuk do të bëhet anëtare. Me gjithë retorikën e saj, e ardhmja e Serbisë do të varet nga zgjidhja e problemit të Kosovës”,- tha Server. Eksperti konsideron si shumë të rëndësishme që Serbia të tregojë një bashkëpunim më të madh dhe të dërgojë një sinjal se do të pranojë shtetin e Kosovës. Beogradi këtë mund ta bëjë “me pranimin e anëtarësimit të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së”.
Obama: “SHBA-të në rrezik për luftë, Al Kaeda po planifikon sulme”
Presidenti amerikan Barak Obama ka mbajtur dje një fjalim ku ka folur për një rrezik që i kanoset SHBA-ve nga Al Kaeda, i cili po organizon sulme të reja ndaj vendit. “Al Kaeda është aktiv dhe po organizon sulme. SHBA-të janë në luftë me Al Kaeden dhe fraksionet e saj. Jemi të vetëdijshëm për këtë rrezik dhe do të përdorim të gjitha mjetet për ta mposhtur, edhe pse kjo do të kërkojë kohë”,- ka theksuar Obama. Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka folur edhe për burgun në Gjirin e Guantanamos, i cili sipas tij ka ndikuar negativisht në aspektin e sigurisë së Amerikës. “Burgu ne Gjirin e Guantanamos ka dobësuar sigurinë kombëtare dhe ka shërbyer si një thirrje për të mbledhur armiqtë”,- ka pohuar Obama. Presidenti ka shtuar se do ta mbyllë burgun famëkeq brenda janarit të vitit 2010, pavarësisht se ditën e martë planet e tij për një fond prej 80 milionë dollarësh për realizimin e projektit u refuzuan nga Senati.
Serbi, arrestohet atentatori në presidencë
Dragan Mariç u arrestua dje pasi hyri në selinë e presidencës serve në Beograd me dy bomba në duar. Lajmi u bë i ditur nga mediat serbe, sipas të cilave personi në fjalë, kërcenoi se do të shpërthente dy bombat, ndodhet nën kontrollin e policisë. Në momentin që personi ndodhej në godinë, mendohej se presidenti Boris Tadiç mund të ishte brenda, megjithatë radioja serbe “B92” bëri të ditur se ai nuk nuk ndodhej në zyrën. Radioja njoftoi se policia dhe forcat e armatosura bllokuan menjëherë qarkullimin në zonë dhe automjetet filluan të qarkullonin në rrugë të tjera. Mariç mengjesin e djeshëm lajmëroi se do të hynte në zyrën e presidentit me granata. Ndërsa në fillim të vitit, Dragan Mariç kishte kërcënuar se do t’i vinte flakën vetes për motive personale. Ai njihet si person me probleme mendore.
Gruevski: “Nuk do të ketë ndryshime në qeverinë maqedonase”
Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka deklaruar se nuk ka në plan të bëjë ndryshime në qeverinë e tij. Reagimi i kreut të qeverisë erdhi pas disa lajmeve të publikuara në media, se lideri i BDI-së Ali Ahmeti i kishte kërkuar atij zëvendësim të disa anëtarëve të kabinetit. Gruevski ka mohuar lajmet se disa anëtarë të BDI-së i kanë bërë presion Ahmetit që të kërkojë ndryshime në radhët e ekzekutivit. Sipas mediave, Ali Ahmeti dhe daja i tij, Fazli Veliu jane të pakenaqur me punën e disa ministrave dhe për pasojë kanë kërkuar zëvendësimin e tyre.
22 Maj 2009