Bariç: Doja të rikthehesha, por më quajtën “plakush”
Leonard Karaj & Jetmir Halilaj
Oto Bariç është bërë xheloz për Josip Kuzhenë, pasi dëshironte të kthehej vetë në krye të Kombëtares shqiptare. Madje, megjithëse ka përsëritur elozhet në adresë të trajnerit të ri të përfaqësueses tonë, 76-vjeçari ka mohuar të ketë bërë “shkesin” për Kuzhenë. Dy javë më parë në një deklaratë të dhënë për mediat kroate, ishte pikërisht Bariçi që nxori në skenë emrin e Kuzhesë, duke thënë se ia kishte propozuar ai FSHF-së, ndërsa dje, në një deklaratë për mediat kroate, Bariç ka përgënjeshtruar veten. “Kuzhe është një trajner shumë i mirë dhe një teknik që mund t’i japë shumë Shqipërisë, por atë nuk e kam propozuar unë atje – ka deklaruar 76-vjeçari – Unë kisha shumë dëshirë që rikthehesha si trajner në krye të Shqipërisë, pasi kam bërë një punë mjaft të mirë atje, por për drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit unë nuk plotësoja kriterin e moshës, pra isha shumë i vjetër, ndaj ata zgjodhën Kuzhenë”.
Paralajmërimi
Josip Kuzhe është një nga trajnerët kroatë që gëzon simpatinë e Oto Bariçit, por ky i fundit ka një këshillë për të: “Ai (Kuzhe) mendoj se do të ketë kushte të mira për të punuar në Shqipëri, madje mendoj se atje ka edhe shumë lojtarë cilësorë, por duhet të bëjë kujdes. Duhet të bëjë kujdes sepse shqiptarët janë popull që kërkojnë shumë dhe gjithçka e duan menjëherë dhe kjo është shumë e rrezikshme. Ka shumë presion në të tilla rrethana”, ka deklaruar Bariç.
Bushati
Trajneri i ri i Shqipërisë, Josip Kuzhe duhet të konsultohet vazhdimisht me teknikun e Shpresave, Artan Bushatin. Këtë këshillë ia jep bashkëpatrioti i tij, Oto Bariç që ka thënë se vendi ynë është i mbushur me talente. “Kuzhe duhet të konsultohet vazhdimisht me Bushatin. Ai i njeh mirë të rinjtë e futbollit shqiptar dhe është shumë bashkëpunues. Shqipëria ka nevojë për një skuadër të re dhe puna e parë që duhet të bëjë Kuzhe, është që të fusë futbollist të rinj në formacion”, ka shtuar Oto Bariç. Tekniku kroat gëzon respektin e shumë sportdashësve shqiptarë, pasi gjatë kohës që drejtoi kuqezinjtë jo vetëm që arriti të drejtonte një ekip solid, por eliminoi edhe disa nga klanet brenda skuadrës.