E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajden rikthen vëmendjen te Ballkani

Zv/presidenti amerikan, Xho Bajden (Joe Biden), më 21 maj do të vizitojë Kosovën, në kuadrin e një turi që pritet të zhvillojë pas pak ditëve në vendet e Ballkanit. Sipas Shtëpisë së Bardhë, ndalesa e tij e parë në këtë tur do të jetë Bosnjë-Hercegovina, më pas Serbia dhe në fund, më 21 maj, ai do të qëndrojë në Kosovë.

Ndërsa sipas një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë, në Prishtinë ai do të takojë Presidentin, Kryeministrin, kryeparlamentarin dhe ministrin e Jashtëm. Gjithashtu, Bajden do të mbajë një fjalim në Kuvendin e Kosovës, por ai do të vizitojë edhe ushtarët amerikanë të stacionuar në Bondsteel. "Gjatë vizitës, zv/presidenti do ta ketë mundësinë për të nënvizuar përkushtimin tonë për një Kosovë të unifikuar, të pavarur dhe shumetnike. Ai do të flasë me liderët e Kosovës për përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme që kanë bërë në ndërtimin e një shteti funksional dhe efektiv dhe në mbrojtjen e pakicave", mësohet të ketë thënë zyrtari i lartë amerikan.

Paraprakisht, Bajden do të vizitojë edhe Bosnjën ku do të takohet aty me përfaqësues të qeverisë dhe Presidentin e këtij vendi, kurse në Serbi është bërë e ditur se ai do të zhvillojë takim me Presidentin e këtij vendi, Boris Tadiç, si edhe me ministrin e Mbrojtjes, Dragan Shutanovac, duke shmangur një takim të mundshëm me ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremiç.

Zyrtari amerikan tha ndër të tjera se me vizitën që nënpresidenti amerikan Bajden do të bëjë në rajon, administrata e Presidentit Obama dëshiron të tregojë se Shtetet e Bashkuara interesohen shumë për investimin që bashkë me vendet evropiane bënë në rajon në vitet ‘90 dhe se dëshirojnë të ecin përpara mbi këtë bazë.

Ndërkaq, duket se për këtë vizitë janë marrë masa të forta sigurie, më së shumti pas reagimeve të ashpra të disa organizatave radikale dhe nacionaliste në Serbi. "Agjentët e SHBA-së do të mbushin rrugët e Beogradit". Kështu shkruan këto ditë media serbe, sipas së cilës, forcat amerikane të sigurimit do të kenë fjalën kryesore në garantimin e sigurisë së nënpresidentit të SHBA-së, Xho Bajden, gjatë të gjithë kohës së vizitës zë tij zyrtare, javën e ardhshme, në Serbi, ndërsa policia serbe do të marrë urdhra nga agjentët dhe specialët amerikanë dhe do të shërbejë si prapavijë. Sipas medias serbe, në Beograd tashmë kanë mbërritur të paktën 200 agjentë dhe specialë amerikanë, para se nënpresidenti amerikan, Bajden, të mbërrijë në Beograd. "Se sa pjesëtarë të shërbimeve të fshehta amerikane do të jenë saktësisht të pranishëm gjatë vizitës së Xho Bajdenit në Serbi, këtë e dinë tashmë edhe shërbimet tona përgjegjëse, sepse këta janë njerëzit që do të kenë armë dhe që të mbajnë armë, atyre u duhet leja e autoriteteve përkatëse vendëse. Këta njerëz do të kenë përgjegjësinë më të madhe për garantimin e sigurisë së nënpresidentit amerikan dhe shërbimet tona paralele duhet të përmbushin të gjitha kërkesat e tyre, që do të thotë se rolin kryesor në këtë punë do ta kenë amerikanët, shefat dhe këshilltarët për çështjet e sigurisë", shkruan media e Beogradit, duke iu referuar burimeve të mirinformuara brenda policisë serbe.

Sidoqoftë, shqetësimet e përgjithshme lidhur me mbarëvajtjen e vizitës së figurës nr. 2 të administratës së SHBA-së në Beograd, nuk janë pa baza, pasi gjatë vizitës së Xho Bajdenit në Serbi kanë paralajmëruar organizimin e demonstratave të protestës në rrugët e Beogradit kundër politikës amerikane një numër organizatash dhe shoqatash ultrancionaliste serbe, si "Obraz", "Lëvizja 1389", "Dberi", "Rendi Nacional" etj., megjithëse, duhet të theksohet dhe kështu, të paktën, vë në dukje edhe një pjesë e medias serbe, ato nuk kanë shumë simpatizantë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›