Vujanovic: Kosova nuk na pengon
Mali i Zi uron të ketë "marrëdhënie të ngushta dhe miqësore" me Serbinë me gjithë mosmarrëveshjet për Kosovën, deklaroi Presidenti malazez, Filip Vujanovic, që filloi dje një vizitë në Beograd, e që ka si synim ngrohjen e marrëdhënieve dypalëshe. "Mosmarrëveshjet me Serbinë për Kosovën nuk duhet të vendosin në rrezik interesin e përbashkët të dy vendeve të Ballkanit për të bashkëpunuar dhe për të mbajtur marrëdhënie miqësore dhe të ngushta", deklaroi Presidenti malazez në një intervistë të botuar dje nga e përditshmja "Politika". "Ne e kemi njohur pavarësinë e Kosovës pas qëndrimeve të përsëritura (...) dhe shpesh të shprehura në publik... nga partnerët tanë" të BE-së dhe NATO-s, sipas të cilave Podgorica duhej të "ndante qëndrimin e tyre lidhur me çështjen e Kosovës", vijoi Presidenti Vujanovic. Mali i Zi e njohu pavarësinë e Kosovës tetorin e kaluar, një vendim që solli një ftohje serioze të marrëdhënieve me Beogradin. Ky vendim u ndje edhe me më shumë dhimbje nga Beogradi, pasi marrëdhëniet e Serbisë dhe Malit të Zi kanë qenë gjithmonë shumë të ngushta në Histori. Ambasadori malazez në kryeqytetin serb, ishte lutur të largohej atëherë nga Beogradi.