E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajern – Juve, “luftë” në grupin A

Bajerni e nisi fazën e grupeve me një fitore 3-0 në transfertë përballë Makabi Haifas dy javë më parë, por humbja në fundjavë ndaj Hamburgut i ka lënë gjermanët në vendin e shtatë me 11 pikë, gjashtë më pak se kryesuesit, pas shtatë javëve të para të Bundesligës.

Kurse Juventusi, pas barazimit 1-1 me Bordonë në Ligën e kampionëve, pati probleme edhe në Serinë A, pasi nuk arriti të marrë më shumë se një pikë në shtëpi kundër Bolonjës.

Qendërmbrojtësi fabio Kanavaro është i dëmtuar dhe nuk do të luajë në Mynih, por italianët mund të bazohen te forma e mirë e portierit Xhanluixhi Bufon si dhe tek i rikthyeri Diego.

Në sulm, Vinçenco Iakuinta, i cili u la pushim në ndeshjen me Bolonjën, do të luajë si titullar sot, përkrah Trezege, që duket se ka fituar balotazhin me Amaurin.

Bardhezinjtë kanë fituar tre nga katër ndeshjet e fundit ndaj bavarezëve, në të cilat këta të fundit kanë pësuar gjithnjë gol.

Në ndeshjen tjetër të grupit A, kampionët e Francës, Bordo, do të presë në shtëpi izraelitët e Makabi Haifas.

Bajern Mynih – Juventus (ora 20:45, stadiumi: “Allianz Arena”, gjyqtar: Houard Ueb (Angli)

Formacionet e mundshme:

Bajern Mynih 4-3-3: But; Lahm, Van Bujten, Badstuber, Pranjiç; Roben, Timoshuk, Shvanstajger; Riberi, Oliç, Gomesh. Trajner: L. Van Gal

Juventus 4-3-1-2: Bufon; Grigera, Legrotlje, Kielini, Groso; Markizio, kamoranëzi, F. Melo; Diego; Iakuinta, Trezege. Trajner: Ç. Ferrara

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›