E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajern-Inter gjithçka gati për finalen e madhe

MADRID- Bajerni i Mynihut apo Interi, Gjermania apo Italia? Sot në mbrëmje këto pyetje do të marrin përgjigjen përfundimtare, kur Interi dhe Bajerni i Mynihut të zbresin në stadiumin Santiago Bernabeu për finalen e madhe të Champions League. Në të dy kampet ekziston besimi për fitore dhe zikaltërit shihen nga bastexhinjtë si favoritë, kjo edhe për shkak se kanë eliminuar skuadra si çelsi apo Barcelona, pa më të voglin dyshim nga më të fortat në botë. Trajneri Zhoze Murinjo pritet të hedhe në fushë një formacion kryesisht sulmues, me skemën 4-2-3-1. Në portë do të luajë Zhulio Sezar, ndërsa para tij Maikon, Lusio, Samuel dhe Kivu. Përpara mbrojtjes do të jenë Kambiaso e Zaneti, ndërsa treshja Eto-Shnajder-Pandev do të luajë pak më e tërhequr nga sulmuesi kryesor Diego Milito. Dyshimi i vetëm për Murinjon është aktivizimi i Kivusë apo i Stankoviç. Në rast se nuk luan rumuni, atëherë në të majtë të mbrojtjes do të luajë Zaneti, ndërsa Stankoviç do të zërë vendin e argjentinasit në mesfushë.
Ndërkohë, një atmosferë e ngjashme ekziston edhe te Bajerni i Mynihut, ndonëse bavarezët e kanë të përcaktuar tashmë formacionin që do të hedhin në fushë. Van Gal përgjigjet me një skemë 4-4-1-1. Në portë do të jetë veterani Hans-Jorg But, ndërsa para tij do të jenë 4 mbrojtës: Filip Lahm, Van Bujten, Demikelis dhe Badshtuber. Në mesfushë do të luajnë Van Bomel, Altintop, Shvajnstajger dhe Roben, ndërsa sulmi do të përbëhet nga dyshja Myler-Oliç, me të parin që luan më i tërhequr. Ndeshja e sotme është edhe një betejë mes Gjermanisë dhe Italisë për numrin e skuadrave në Champions League. Në rast se Interi nuk arrin të fitojë përpara se të shkohet te penalltitë, atëherë në sezonin 2011-2012, Italia do të ketë vetëm 3 skuadra në Champions, ndërsa Gjermania katër. Finalja e sotme do të drejtohet nga anglezi Hauard Ueb, një arbitër që trajneri Luis Van Gal i druhet shumë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›