E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajern, i pangopur merr dhe kupën



Bajerni i Mynihut ka fituar Kupën e Gjermanisë falë fitores spektakolare 4-0 ndaj Verder Bremenit. Ky është trofeu i dytë që përvetësohet nga skuadra e Van Galit.Një skuadër e pamëshirshme, e cila tregoi superioritetin e vet që nga minuta e parë e takimit. Tekniku Van Gal hodhi në fushë një skuadër tipike sulmuese me Roben, Riberi e Myler në ndihmë të “pykës” Ivica Oliç. Pankinë sërish për Miroslav Klosen, i cili u përdor si zëvendësues vetëm në pjesën e dytë kur u fut në lojë në vend të Oliç në minutën e 80-të. Ndërsa nga ana tjetër Verder i besoi fantazisë së Torsten Frings dhe intuitës së peruanit, Kaludio Pizaro, por që rezultoi e dështuar totalisht para mbrojtes së pathyeshme të dyshes Demikelis-Van Bujten.
Golat
Seria e golave do të hapej nga holandezi Arjen Roben, i cili shfrytëzoi më së miri një 11-metërsh të fituar me mjeshtëri nga Ivica Oliç. Pjesa e parë përfundoi me këtë rezultat. Në fraksionin e dytë të lojës u prit një reagim nga ana e Verderit por në momentin e tyre më të mirë është Oliç që dyfishon duke siguruar pak a shumë që në atë moment trofeun e radhës së bavarezëve. Më pas loja u bë edhe më e ashpër aq sa arbitri u detyrua të nxjerrë 5 kartonë të verdhë. Madje në minutën e 77-të kur rezultati ishte 3-0 për Bajern, pas golit spektakolar të shënuar nga Riberi, u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë Torsten Frings, i cili u detyrua të linte skuadrën e tij me dhjetë lojtarë më pak. Në minutat në vazhdim kishte kohë edhe për një gol të Bastian Shvajnstajger për të realizuar pokerin bavarez. Kjo ishte kupa e 15-të që bajerni fiton në Gjermani (1957, 1966, 1967, 1969, 1971, 1982, 1984, 1986, 1998, 2000, 2003, 2005, 2006, 2008, 2010).
Deklarata
Pas ndeshjes trajneri i Bajernit Luis van Gal u shpreh mjaft i kënaqur me lojën e skuadrës së tij duke theksuar se tashmë do të kërkonte të fitonte edhe më 22 maj ndaj Interit në finalen e Kupës së Kampioneve. “Ishte një finale që u zgjidh më së miri nga skuadra jonë falë lojës mjaft të mirë që zhvilluam. Jam shumë i kënaqur me skuadrën, por më shumë për trofeun. Tani nuk na mbetet veçse të punojmë për të bërë tonin edhe trofeun e Kupës së Kampioneve ndaj Interit, edhe pse kjo finale nga ajo e 22 majit ka shumë ndryshim”, ka pohuar Van Gal. Ndërsa trajneri i Verderit kritikoi lojën e skuadrës së tij, sidomos në pjesën e dytë duke e cilësuar si aksidental penalltinë e pjesës së parë. “11-metërshi ndryshoi rrjedhën e lojës, por fatkeqësisht ne nuk arritëm të dilnim asnjëherë në skemat tona ndaj edhe nuk rrezikuam si duhet portën e Bajernit”, ka pohuar pas ndeshjes finale të kupës, tekniku i Verderit.

Verder Bremen-Bajern 0-4

Shënues: Arjen Robben 35’ (p), Ivica Olic 52’, Franck Ribery 63’, Schveinsteiger 83’
Kartonë të verdhë: Frings, Fritz, Borovski/ Van Bomel, Olic
Karton i kuq: Torsten Frings 77'
Verder: Viese, Boenisch, Naldo, Borovski (Jensen 70’), Fritz, Ozil, Hunt (Almeida 46’), Frings, Pizarro, Mertesacker, Bargfrede (Marin 54’)
Bajern: Butt, Van Buyten, Demichelis, Ribery, Robben (Altintop 86’), Olic (Klose 80’), Van Bommel, Lahm, Muller (Tymoschtschuk 77’), Badstuber, Schveinsteiger

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›