Bajerni, dy tifozë nga tre e largojnë Klinsmanin
Gjithsej 67 për qind e tifozëve do ta largonte në moment. Pyetjes "A është Jurgen Klinsman trajneri i duhur për Bajernin?", në sondazhin e faqes "Bild.de", përgjigjja e pjesës dërmuese të 22 mijë votuesve ka qenë "Është njeriu i gabuar". Vetëm një përqindje e vogël tregohet më zemërgjerë dhe mendon se trajneri duhet të qëndrojë. Por tani duket se vjen periudha më e vështirë, pasi jemi në pikën më të nxehtë të Bundesligës dhe të Champions League. Skuadra është ende në lojë për titullin kampion në Gjermani, edhe pse renditet në vendin e katërt me katër pikë larg kreut. Ajo ka ambicie edhe në Champions, kur të mërkurën do të luajë në Lisbonë kundër Sportingut. Pakënaqësia e manifestuar nga tifozët në sondazh shton edhe më shumë tensionin te Bajerni, i cili prej disa ditësh duket pranë krizës. Shtypi e kryqëzon trajnerin, të cilit, në një moment kaq delikat, nuk i kursen titullin "Klinsi tronditet!", dhe, i kujtojnë se është në kufijtë largimit. Në fakt sipas "Bild", tri humbjet ndaj Hamburgut, Hertës dhe Këlnit në katër takimet e fundit kanë lëkundur pankinën dhe sjellja e lojtarëve të Bajernit nuk ka qenë ajo e mbrojtjes së trajnerit të tyre, i akuzuar se përqendrohet më shumë te puna në fazën atletike se sa në atë taktike apo të lëvizjeve në fushë. Nëse një lojtar si Filip Lahm është lejuar të kritikojë taktikën e trajnerit të tij, duket se aty ka diçka që nuk shkon. Në situata të tilla, reagimi i klubit është esencial. Por në rastin e Klinsmanit kjo nuk do të ndodhë, sepse drejtuesit Rumenige e Hëns nuk janë të duruar dhe dëshirojnë ta shikojnë Bajernin e tyre protagonist. Pak ditë më parë, Kalle kishte kujtuar një deklaratë, që nuk linte vend për interpretime: "Duam të mbrojmë titullin dhe të gjejmë një rol në plan të parë edhe në tri kompeticionet". Pyetjes së gazetarëve pas humbjes së fundit "A trembeni për pozicionin tuaj?", Klinsmani i dha një përgjigje me një dozë të mirë sigurie: "Jo, nuk kam aspak frikë. Për më tepër, kërkoj çdo ditë të jap maksimumin te Bajerni dhe skuadra e di". Por dyshimi për shkarkimin e tij mund të vijë herët a vonë për Klinsmanin, mjafton të kujtosh se paraardhësi i Magath, dy vite më parë, u shkarkua në javën e 19, kur ishte në vendin e katërt, në të njëjtin pozicion në renditje me këtë të tanishmen. Megjithatë tashmë ka filluar të flitet për zëvendësin e tij. Humbja e fundit e kampionëve rekordmenë të Gjermanisë duket se ka krijuar një çarje të madhe mes klubit dhe trajnerit. Largimi i tij duket i afërt, ndërsa në vendin e tij ka filluar të duket hija e Rudi Fëlerit.