Esad Karishik, trajneri i ri i Elbasanit

Esad Karishik është trajneri i ri i Elbasanit, duke zëvendësuar në bankinën verdheblu Krenar Alimehmetin, të shkarkuar menjëherë pas humbjes me Skënderbeun (1-0), takim i vlefshëm për javën e 16-të të Superligës. Boshnjaku, i cili është i njohur për punën e tij rezultative te Apolonia, nënshkroi një kontratë gjashtëmujore dhe do të përfitojë 3500 euro në muaj. Elbasani rezultoi skuadra më e dobët e 16 javëve të para, duke grumbulluar 12 pikë, por që gjenden në fundin e tabelës me 9 të tilla, pas 3 pikëve të hequra me një vendim të FIFA-s për shkak të mospagesës së lojtarit Darko Periç. Stërvitja e parë e Elbasanit nën drejtimin e Esad Karishikut do të nisë, më 3 janar, ndërkohë që për periudhën 8-17 janar verdheblutë do të zhvillojnë një minifazë në Ohër të Maqedonisë.
RIKTHIMI – Esad Karishik rikthehet në Shqipëri pas gati 14 muajsh, qysh kur ai dha dorëheqjen në mënyrë enigmatike nga Apolonia e Fierit, më 15 nëntor të vitit të kaluar, pas 10 javëve të para të sezonit 2009-2010. Karishik arriti të formatojë një Apoloni të fortë në 10 javët e para të sezonit: 17 pikë, 5 fitore, 2 barazime, 3 humbje, por mesa duket rol parësor në vendimin e parevokueshëm të Karishik ka pasur humbja 2-3 me Kastriotin në shtëpi. Më pas, Karishik u prononcua se ishte larguar pasi nuk i duronte dot ndërhyrjet për t’ia bërë formacionin të tjerët. Bankinën e Apolonisë e mori Hasan Lika, por ky i fundit nuk arriti ta mbajë në Kategorinë Superiore.
TË HUAJT - Boshnjaku Esad Karishik do të jetë trajneri i katërt që do të drejtojë këtë sezon një skuadër shqiptare. Kampionatin e 72-të Kombëtar e nisën dy trajnerë të huaj: malazezi Mojash Radonjiç, i shkarkuar nga Vllaznia pas 8 ndeshjesh (në stol është Mirel Josa), dhe argjentinasi Luis Manuel Blanko, i larguar pas 16 javësh nga Dinamo (pasuesi i tij pritet të jetë Ilir Daja). Aktualisht në stolin e Bylisit është maqedonasi Nikola Ilievski, por ish-trajneri i Kombëtares së Maqedonisë e ka deklaruar disa herë dorëheqjen, pavarësisht se ajo nuk është pranuar kurrë nga presidenti ballshiot, Besnik Kapllanaj.
EKIPI I GJASHTË - Elbasani bëhet kështu ekipi i gjashtë i Superligës që do të drejtohet këtë sezon nga një trajner i dytë. Në fakt, Shkumbini dhe Besa drejtohen nga trajnerët e tyre të tretë. Peqinasit janë drejtuar nga Mirel Josa, Agim Canaj dhe aktualisht Përparim Daiu. Kavajasit kanë këta emra: Shpëtim Duro, Përparim Daiu dhe aktualisht Gerti Haxhiu). Bylisi: Ilir Spahiu dhe Nikola Ilievski; Tirana: Sulejman Starova dhe Nevil Dede, si dhe Vllaznia: Mojash Radonjiç dhe Mirel Josa. Në largim e sipër – pritet vetëm zyrtarizimi – është dhe trajneri argjentinas i Dinamos, Luis Manuel Blanko, çka me këtë largim do ta çonte numrin në 7 të skuadrave.
VALSI I BANKINAVE - Në sezonin aktual, lëvizjet e bankinave nisën me shkarkimin e Mirel Josës nga Shkumbini në javën e 2-të (u zëvendësua nga Agim Canaj), për t’u pasuar me Ilir Spahiun e Bylisit (u zëvendësua nga Nikola Ilievski). Shpëtim Duro u largua nga Besa në javën e 4-t (i pasuar nga Përparim Daiu), ndërsa Sulejman Starova u shkarkua nga Tirana në javën e 6-të (i zëvendësuar nga Nevil Dede). Shkarkimit nuk i shpëtoi edhe malaziasi Mojash Radonjiç i Vllaznisë, i zëvendësuar nga Mirel Josa. Seriali vazhdoi me Përparim Daiun, i cili ja la vendin Gerti Haxhiut, njeriut që drejton Besën nga java e 11-të. Përparim Daiu zëvendësoi në javën e 14-të te Shkumbini ish-trajnerin Agim Canaj. Për momentin i fundit është Krenar Alimehmeti, i shkarkuar nga Elbasani, pas humbjes 1-0 ndaj Skënderbeut në Korçë, takim i vlefshëm për javën e 16-të.
DORËHEQJE TË PAPRANURA - Dorëheqje publike ka dhënë dhe Stavri Nica i Laçit, por që nuk u pranua nga presidenti Pashk Laskaj. Të njëjtën gjë bëri edhe Ramazan Ndreu i Kastriotit, por dhe trajneri krutan u votëbesua nga presidenti Artan Djala. Po kështu, edhe maqedonasi Nikola Ilievski e ka deklaruar të paktën dy herë dorëheqjen e tij, por ajo nuk është pranuar kurrë nga presidenti ballshiot, Besnik Kapllanaj.
TRAJNERË PROTOKOLLI - Në fakt, për të drejtuar një ndeshje futbolli në bankinë janë ulur dhe Agim Meto i Bylisit (java e 4-t), kur zyrtarisht trajner i emëruar ishte maqedonasi Nikola Ilievski, por dhe Artan Mërgjyshi i Dinamos, i cili ka zëvendësuar për dy javë (9 dhe 10) në stolin blu argjentinasin e pezulluar, Luis Manuel Blanko. Në bankinë së fundi u ul dhe ndihmëstrajneri i Tiranës, Alpin Gallo (java 15 dhe 16), ky u fundit zëvendësoi trajnerin Nevil Dede (të pezulluar për dy javë).
SUPERLIGA 2010-2011
LËVIZJET E TRAJNERËVE
Shkumbini: Mirel Josa (nga java 1-2), Agim Canaj (nga java 3-14). Përparim Daiu (nga java 15)
Bylisi: Ilir Spahiu (nga java 1-3), Agim Meto (java e 4-t), Nikola Ilievski (nga java 5-të).
Besa: Shpëtim Duro (nga java 1-4), Përparim Daiu (nga java 5-10), Gert Haxhiu (nga java e 11-të)
Tirana: Sulejman Starova (nga java 1-6), Nevil Dede (nga java e 7-të).
Vllaznia: Mojash Radonjiç (nga java 1-8), Mirel Josa (nga java e 9-të).
Elbasani: Krenar Alimehmeti (nga java 1-16), Esad Karishik
BANKINAT AKTUALE
Dinamo Luis Manuel Blanko (argjentinas)
Flamurtari Gugash Magani
Skënderbeu Shkëlqim Muça
Tirana Nevil Dede
Shkumbini Përparim Daiu
Vllaznia Mirel Josa
Teuta Edi Martini
Laçi Stavri Nica
Besa Gert Haxhiu
Kastrioti Ramazan Ndreu
Bylis Nikola Ilievski (maqedonas)
Elbasani Esad Karishik (serbo-boshnjak)
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Hene, 27 Dhjetor 2010