E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajerni mund Shalken dhe rikthehet në krye

MYNIH- Bajerni i Mynihut ka rimarrë kreun e Bundesligës gjermane, pas fitores 2-1 të arritur në fushën e rivalëve të Shalke 04. Takimi i luajtur në Gelsenkirshen ka qenë një spektakël i vërtetë, me bavarezët që edhe pse për 50 minuta me 10 vetë, kanë mundur të çojnë në shtëpi fitoren. Gjithçka është vendosur në pjesën e parë, kur në minutat 25’ dhe 26’, Bajerni arriti të shënonte dy herë me Frenk Riberi e Tomas Myler. Francezi goditi saktë fluturimthi në hyrje të zonës, ndërsa Myler shënoi me portën bosh pas pasimit të Ivica Oliç. Shalke shkurtoi me anë të Kuranji me kokë, ndërsa në minutën e 41-të Altintop la bavarezët me 10 vetë. Bajerni është ngjitur në 59 pikë, 1 më shumë se Shalke e Feliks Magat. Ndërkohë nuk ka përfituar Leverkusen, që ka pësuar një tjetër humbje, këtë herë 3-2 me Eintrahtin e Frankfurtit. Tashmë Bajeri sheh shumë pranë edhe Borusian e Dortmundit, që mposhti 2-1 Verder Bremenin në shtëpi. Fitore e rëndësishme edhe për Shtutgartin, që triumfoi 2-1 me Borusia Mënshengladbah, ndërsa Fraiburgu e Bokumi barazuan 1-1 mes tyre. Në mbrëmje, Herta e Berlinit triumfoi 3-0 në transfertë kundër Këlnit.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›