E Shtunë, 31 Tetor 2026

Super çelsi, “Djajtë” lëshojnë vendin e parë

LONDER- Mançester Junajtid ka lëshuar kreun e Premier Ligës angleze, pas disfatës 2-1 sot kundër çelsit. Në “Old Traford” kanë qenë blutë e Londrës të drejtuar nga Karlo Ançeloti ata që kanë marrë 3 pikët, duke dominuar përgjatë 90 minutave. Pa Uejn Runin e dëmtuar, “Djajtë e Kuq” e kanë patur tepër të vështirë të gjenin një pikë referimi në sulm dhe epërsia e skuadrës londineze ishte e dukshme. Në minutën e 20-të Xho Kol realizoi me finte pas një aksioni të Maluda nga e majta. Ndeshja hyri në rrjedha të qeta deri në minutën e 79-të, kur Didier Drogba, i sapofutur në lojë, arriti të shënonte golin e dytë, duke mposhtur Van der Sar me një gjuajtje potente në zonë. Dy minuta më pas, Mançesteri shkurtoi me anë të italianit Makeda, që shënoi pasi preku topin me dorë, megjithatë asgjë nuk ndryshoi deri në fund. Ndërkohë, Arsenali është ngjitur në kuotën e 72 pikëve, 1 më pak se Mançesteri dhe 3 larg çelsit, pas fitores 1-0 në sekondat e fundit ndaj Ulverhempton. Goli i Niklas Bendtner i dhuroi 3 pikë skuadrës së Venger. Ndërkaq, Totenhemi ka lëshuar vendin e katërt pas humbjes 3-1 me Sandërlendin dhe fitores së thellë, 6-1 të arritur nga Mançester Siti kundër Bërnleit.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›