Bajerni ndalet nga Shalke, tifozët e fishkëllejnë
MYNIH- Bajerni ka zhvilluar një lojë më të mirë në krahasim me ndeshjet e shkuara, por gjithsesi nuk ka mundur të shkojë më shumë se një barazim 1-1 në “Allianz Arena” përballë Shalke 04. Skuadra bavareze duket në rënie të lirë nën drejtimin e trajnerit Luis Van Gal, që vetëm zemërgjerësia e drejtuesve dhe kontrata e tij e lartë mund ta lejojnë të qëndrojë në detyrë. Bajerni shënoi i pari me anë të Daniel Van Bujten në minutën e 31-të, por 4 minuta para përfundimit të pjesës së parë Matip barazoi, rezultat që mbeti deri në fund dhe që e lë Bajernin në vend të 8-të. Ndërkohë, Volfsburgu fitoi 2-1 në fushën e Hofenhaimit, ashtu si Fraiburgu në atë të Bokumit. Mainci mundi 1-0 Nurembergun, kurse Mënshengladbah dhe Shtutgarti barazuan pa gola.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)