E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajerni në kërkim të nderit të humbur



Bajerni i Munihut është duke kërkuar për të shpëtuar pak krenari kur do të luajë kundër Barcelonës në ndeshjen e dytë çerekfinale të Ligës së Kampioneve, kur të parën e humbi 4-0 në Spanjë, një një humbje e frikshme që rrezikoi jo pak vendin e trajnerit Jurgen Klinsman. Trajneri i Bajernit të Mynihut, Jurgen Klinsman, dëshiron të qëndrojë me këmbë në tokë për përballjen kundër Barcelonës. Pasi e provoi forcën e katalanasve, në atë humbje 4-0, ai ka pranuar se nuk mendon aspak për kualifikim, por vetëm për të arritur një fitore në shtëpi dhe për të ruajtur nderin e ekipit. “Do të luajmë në fushën tonë dhe përballë publikut tonë. Do japim maksimumin për të arritur një rezultat pozitiv dhe është e rëndësishme për të ruajtur nderin e klubit, ndaj duhet të luftojmë për të fituar. Jemi të vetëdijshëm për forcën e kundërshtarit dhe e dimë që nuk mund t’u shënojmë katër apo pesë gola, gjithsesi do tregojmë karakterin në fushë”, tha Jurgen Klinsman. Në fakt, ai e ka pranuar që objektivi i sezonit është titulli kampion në Gjermani dhe dëshiron të ruajë përqendrimin në Bundesligë. “Kemi shumë punë për të bërë në kampionat. Jemi në ndjekje të Volfsburgut dhe jemi të gatshëm për të fituar titullin”, shtoi tekniku gjerman. Në ndeshjen e parë kundër katalanasve, gjermanët patën shumë vështirësi për të treguar se ishin rivalë të denjë për Barcelonën. Duke mos u përshtatur me lojën e shpejtë të kundërshtarit, bavarezët lanë të kuptohet gjithashtu, se kanë mjaft probleme në mbrojtje, sidomos kur kanë përballë futbollistë si Samuel Eto, Tierri Hanri dhe Lionel Mesi. Gjithsesi, në ndeshjen e kthimit, ata do mundohen të përfitojnë nga faktori fushë.
Ze Roberto
Mesfushori brazilian i Bajernit të Mynihut mendon edhe kualifikimin për në fazën tjetër të Ligës së Kampioneve. “Humbëm 4-0 në Spanjë, por në atë ndeshje nuk arritëm të tregojmë forcën tonë. Këtë herë gjërat janë më ndryshe. Janë riaftësuar disa lojtarë që mungonin dhe jemi akoma më të organizuar, sidomos në mbrojtje. Nëse arrijmë të markojmë me sukses sulmuesit e Barcelonës, të jeni të bindur se do arrijmë të bëjmë një lojë mjaft të mirë, edhe pse jo të dhurojmë edhe surpriza. Jemi një klub i madh dhe jemi të aftë të bëjmë gjëra të tilla”, tha Ze Roberto. Gjithsesi, specialistët e kanë cilësuar si të pamundur kthesën e gjermanëve.
Van Bomel
Mesfushori holandez, Mark van Bomel, ka pranuar se shoku i tij i ekipit te Bajerni i Mynihut, Frenk Riberi, do të transferohet në Spanjë të gjigantët e Barcelonës. “Frenk është një futbollist i shkëlqyer. Është lojtari më i rëndësishëm në ekipin tonë dhe më cilësori në kampionatin gjerman. Gjithsesi, ai do të largohet dhe do të luajë me Barcelonën. Mendoj se do jetë një zgjedhje e mirë për të dyja palët. Katalanasit do marrin një futbollistë shumë të talentuar, ndërkohë që Riberi do të plotësojë dëshirën e tij personale. Ai më ka thënë se ëndërron të luajë me Barçën dhe tashmë ka shansin më të mirë për ta bërë”, tha Van Bomel. Ndërkohë, përsa i përket sfidës së sotme, mesfushori holandez shtoi: “Do të jetë mjaft e vështirë, por këtë herë do jemi më të fortë, pasi do luajmë në shtëpi. Të jeni të bindur që nuk do përsëritet ajo që ndodhi në Spanjë, pasi edhe rrethanat janë më ndryshe”.

14 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›