Interkonjeksioni, Berisha të japë shpjegime, turp për Shqipërinë
Rama: Tri pyetje Berishës për bllokimin e linjës së interkonjeksionit
Tiranë- Kreu i opozitës Edi Rama ia kushtoi pjesën më të madhe të fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar socialist çështjes së linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë.
Fakti është se projekti i linjës me kapacitet 400 kw që financohet nga gjermania ka mbetur peng i qeverisë shqiptare, madje pasi tenderi është kryer dhe ka marrë edhe miratimin e Bankës Gjermane KFW deklaroi Rama.
Më tej ai shtoi: Madje, bllokimi ka ardhur edhe mbasi vetë OST-ja e ka miratuar rezultatin e tenderit. Letrat e drejtorit të KFË drejtuar qeverisë shqiptare skanë marrë përgjigje. Ndërkohë që, në to flitet për vonesa që po shkaktojnë kosto ekstra masive, dje në komisionin e veprimtarive prodhuese deputeti ynë Artan Gaçi, të cilin e përgëzoj për këmbënguljen në shqyrtimin e kësaj çështje dhe vullnetin për ta ngritur zërin në emër të Partisë Socialiste për bllokimin e këtij projekti me interes kombëtar, mori një përgjigje të turpshme nga përfaqësuesi i partisë së Saliut në krye të komisionit në fjalë.
Gazeta Zëri e Kosovës jep detaje rrënqethëse që e lidhin bllokimin e procesit të realizmit të projektit me njerëz shumë të afërt të kryeministrit. Por, lejomëni të mos i referohem këtyre detajeve, por të ngre 3 pyetje publikisht për kryeministrin, të cilave besoj se kemi të gjithë të drejtën që në emër të interesit kombëtar dhe interesit publik tia ngremë edhe zyrtarisht në interpelancë;
1-Pse është bllokuar prej një viti ky projekt strategjik për Kosovën dhe për vetë Shqipërinë?
2-Pse qeveria shqiptare dhe personalisht Sali Berisha nuk i kanë dhënë asnjë përgjigje financuesve prej një viti, ndërkohë që këtu bëhet fjalë për një interes mirëfilli kombëtar e po ashtu dhe publik, si për shqiptarët e Shqipërisë si për shqiptarët e Kosovës?
3-Pse qeveria shqiptare e ka parë të udhës të sillet në kundërshtim me çdo normë etike dhe ligjore në kushtet e një bashkëpunimi me një donator kaq të rëndësishëm sa çështë Gjermania, për një çështje kaq të rëndësishme sa çështë pavarësia energjetike e Kosovës?
Unë nuk pres përgjigje të sinqerta nga kryeministri në kushtet kur jam i bindur, siç jemi të bindur të gjithë, se ai është tërësisht në dijeni të kësaj shfaqjeje të turpshme arrogance qeveritare, madje jam i bindur se ai vetë është regjisori i kësaj shfaqje. Sot kjo linjë strategjike për kalimin e energjisë do të ishte drejt përfundimit. Ndërkohë që bllokimi i saj jo vetëm mban peng politikën energjetike të Kosovës bashkë me projektin në fjalë, por sjell dëm të drejtpërdrejtë në bashkëpunimin me një donator aq të fuqishëm dhe bujar me Shqipërinë siç është Gjermania.
Prandaj, propozoj sot që të përgatisim urgjent një interpelancë me kryeministrin dhe tia kërkojmë të gjitha shpjegimet e nevojshme bashkë me fillimin menjëherë nga puna për realizmin e projektit. Nuk do të doja kurrë të besoja se një çështje kaq madhore dhe me një rëndësi kaq të madhe paska mbetur në dorë të një ish badigardi dhe ish doganieri të Sali Berishës, që është kthyer në drejtor me fuqi bllokuese për realizmin e një projekti të këtyre përmasave në interesa kombëtare dhe publike. Ne e dimë mirë sesi funksionon ky shtet i kapur për interesat e pushtetit. E dimë mirë sesi funksionon kjo qeveri që ska sy për ta parë interesin kombëtar dhe as interesin publik kur para syve ka ndonjë copë për të shqyer a ndonjë thes për ta mbushur me para. E dimë mirë dhe sesa shumë i dhimbset kryeministrit interesi kombëtar dhe publik kur në lojë është uria e pashuajtshme e barkut të oborrit të tij. Por, megjithatë, ne nuk do të donim në asnjë mënyrë të mësonim në fund se kjo është një tjetër histori ku flamuri kombëtar bie në gjysmë shtize dhe shtiza e flamurit të korrupsionit u ngulet Shqipërisë dhe shqiptarëve prapa shpine për të nxjerrë përfitime parash të zeza.
Sali Berisha duhet të përgjigjet dhe jo të gënjejë. Të veprojë menjëherë për ta çliruar një orë e më parë projektin që çliron Kosovën nga monopoli i Serbisë mbi linjën e furnizimit të saj me energji dhe të garantojë realizmin e këtij projekti pa i humbur më as kohë dhe as para Shqipërisë dhe shqiptarëve. Shpresoj shumë që ai të dalë dhe të thotë diçka nuk ka funksionuar siç duhet, diku është gabuar, dikush do të ndëshkohet për këtë turp qeveritar, të dalë pa përzier në llumin e një tjetër bataku që mban erë të keqe korrupsioni me interesat e kombit dhe të publikut shqiptar.
E shpresoj këto jo sepse besoj se kështu mund të ndodhë, por sepse është një nga ato raste kur turpi i qeverisë shqiptare nuk i mbetet vetëm qeverisë shqiptare, por i mbetet Shqipërisë mbarë. Ne, pastaj, do ti japim votën dhe do ta përshëndesim që nuk ia ngjeshi një tjetër njollë turpi Shqipërisë në një çështje strategjike si kjo, por më parë duhet të shpjegohet- perfundoi Rama.